Artan Ibërshimi, koreografi që i gjurmon vallet shqiptare në Maqedoninë e Veriut

Artan Ibërshimi është një emër i njohur për publikun e Maqedonisë shkaku i shumë bashkëpunimeve që ka pasur këndej. Ai, madje po bën dhe histori në koreografinë shqiptare tonën këtu në RMV, pasi është dhe  koreografi i disa valleve që janë vënë në skenë për herë të parë. Po ashtu dhe koreograf i operës së parë shqiptare. Ibershimi është pedagogu nga Tirana që në mungesë të koreografëve shqiptarë ka ardhur të plotësojë atë boshllëk duke i hulumtuar vallet e zonave tona, se cilat i duken më të pasura dhe a jemi terren pjellor koreografik, si mund ta zgjomë interesimin për këtë zhanër na rrëfen profesori në këtë intervistë për Portalb.mk.

Vallja e Kërçovës, koreograf: Artan Ibërshimi, foto: AKVSHRMV
Vallja e Kërçovës, koreograf: Artan Ibërshimi, foto: AKVSHRMV

Pse ju kanë ngjallur interesin vallet shqipe të Maqedonisë së Veriut?

Artan Ibërshimi: Mbase jo shpesh, që fillesa e një veprimtarie individuale profesionale, të startojë në bazë të disa arsyeve që lidhen ngushtësisht me interesa thelbësore artistike ose me ngjarje të një rëndësie shumë të veçantë për kulturën e një kombi apo etnie.  Siç dihet në këtë situatë u përballa edhe unë personalisht në një periudhë që mund ta emërtojë momenti historik (në perceptimin tim dhe jo vetëm) të krijimit të Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Shqiptare në Maqedoninë e Veriut në vitin 2018.

Kompozitori Fatos Lumani (atëhere drejtues i këtij institucioni në formësim e sipër) i cili i mbështetur edhe mbi referencën artistike të regjizorit Qëndrim Rijani për mua, më ftoi që të jem koreografi i koncertit të 28 nëntorit 2018. Në optikën time ky spektakel sinjalizoi lindjen e një ansambli profesional të ri në terrenin e kulturës popullore mbarëkombëtare shqiptare, që do të shkundte pluhurin e harresës të traditës folklorike shqipe në hapësirën gjeografike të Maqedonisë së Veriut. Ky institucion do të hulumtonte dhe promovonte trashëgiminë folklorike drejt një dimensioni më të zhvilluar artistik e profesional.

Duke e konsideruar prezencën time në këtë atmosferë kulturore privilegj por edhe përgjegjësi, që në fillim e në vazhdim u përfshiva tërësisht në laboratorin e një kërkimi artistik të thelluar përsa i përket njohjes së pasurisë etnokoreografike shqipe në Maqedoninë e Veriut. Sigurisht ky proces është jo vetëm tepër i vështirë dhe i ndërlikuar, por mendoj se ka një pafundësi deshifrimi, ku asnjëherë nuk mund të pretendohet të arrihen konkluzione shteruese.  Megjithatë kjo marrdhënie u trajtua nga unë si një sfidë profesionale artistike dhe që personalisht e kam parë si kontribut në ndërtimin e disa standarteve konkuruese përsa i përket përfaqësimit profesional të kulturës popullore shqiptare.

Për çdo krijues koreograf kultura folklorike përbën një pikë referimi për procesin e tij kreativ. Për mua ajo është dhe pjesë e edukacionit tim profesional gjatë shkollimit parauniversitar dhe atij universitar, ku u instaluan dijet dhe konceptet e para mbi mënyrat e trajtimit dhe qëndrimet artistike ndaj saj. Në të gjitha rastet pasurinë kulturore etnokoreografike e kam trajtuar gjatë procesin krijues si një materie e cila kërkon një zhvillim estetik të përditësuar dhe një organizimin skenik dinamik. Kjo qasje individuale është aplikuar nga unë në të tre institucionet profesionale që trajtojnë artistikisht dhe profesionalisht kulturën folklorike shqipe, në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut.

Vallja e Kërçovës , foto e huazuar nga AKVSHRMV-
Vallja e Kërçovës, foto nga AKVSHRMV

Ka terren pjellor në këtë fushë, duket zhanër i pa prekur?

Artan Ibërshimi: Është e vërtetë, siç thoni dhe ju gjendet një terren pjellor i paeksploruar me parë profesionalisht dhe i cili është konsideruar nga studiuesi Ramazan Bogdani në ekspeditën folklorike të vitit 1999 në fshatrat e komunave Zajas dhe Osllome të Kërçovës, si “zbulim” në gjeografinë e vallëzimit shqiptar. Mbështetur edhe në referenca studimore që janë bërë edhe nga të tjerë, kam përshtypjen se egziston një pasuri e bollshme koreografike në folklorin e shqiptareve të Maqedonisë së Veriut , e cila është në pritje të këndvështrimeve kompozicionale koreografike që zbulojnë jo vetëm hapat e kërcimit, por që i ndërthurin ato me ritet, doket, zakonet, historinë, e zonave përkatëse, duke përcjellur njëkohësisht mesazhe konkrete për çdo grupim njerëzor, por dhe duke i komunikuar këto me një ndjesi kombëtare apo etnike. Kjo sigurisht kërkon një grupim profesionistësh të cilët mbartin dije apo metodike hulumtuese bazuar në strategji studimore afat shkurtër dhe afat gjatë, por mbi të gjitha që kanë aftësinë e grumbullimit, seleksionimit dhe sistemimit me një etike profesionale të këtij terreni pjellor të valleve folklorike në të gjitha trevat etnokoreografike të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Mendoj dhe gjykoj se ndërtimi apo sugjerimi i politikave kulturore për inventarizimin e kësaj pasurie puro folklorike do të krijojë një  “literaturë” ku koreografët profesioniste të kuotuar me nuhatjen e tyre artistike do të dinë ti japin vlerën e caktuar të një identiteti kulturor të patjetërsueshëm valles shqipe në Maqedonisë së Veriut .

Si niset kërkimet për vallen e parë profesionale të Kërçovës “Trashëgimtarët e Uskanës”?Sa kohë deshi që të vihet në skenë deri në realizimin final?

Artan Ibërshimi: Vendim marrja për startimin e procesit krijues për këtë punim koreografik ishte e drejtuesit të institucionit z. Tolaj, bazuar mbi idenë paraprake të paraardhësit të tij z. Pustina. Ishte një periudhe kur punoja për koreografinë e operas së parë shqiptare Skënderbeu në Teatrin e Operas dhe Baletit në Shkup, e realizuar nga regjizori Rijani, kompzitori Lumani dhe libretist Arian Krasniqi, kur fillova paralelisht edhe kërkimet e para për punimin koreografik  “Trashëgimtaret e Uskanës”. Faza e parë e procesit përfshiu referencat burimore duke shfrytëzuan takimet me bartësit folklorik apo njohësit e repertorit të valleve të zones, të cilët sollën përvojën, karakterin dhe stilistikën kërcyese të tyre. Në të njëjtën kohë u shfrytëzuan edhe burimet filmike nga grupet folklorike të zonës nga interpretë me moshe më të re. Faza e dytë ishte një reflektim personal për të ndërtuar një përmbajte e cila të transmetonte mesazhin e trashëgimisë kulturore dhe si element i cili shërbeu si një bosht dramaturgjik ku u trajtua veprimi skeniko koreografik, u gjeten momente nga rituali i dasmës. Nëpërmjet ritualit zbuluam karakteristikat më të veçanta të zakoneve, psikologjisë dhe kulturës së jetesës të komunitetit kërçovar. Një tjetër element simbolik që luajti rolin e një detaji artistik ishte molla, e cila transmentoi një energji shumë poetike në strukturën kompozicionale të punimit. Faza e tretë ishte strukturimi i veprimit koreografik dhe gjetja e gjuhës kërcyese që citoi, përpunoi dhe zhvilloi motivet e valleve të burrave “Ibrahim Hoxha”, “Vallja e len’- e rrafshet”, “Shtate Bilbilat” dhe vallja e grave “Moj lule Uskane”, të cilat moren një ridimensionim artistik duke u pasuruar emocionalisht dhe teknikisht. Qëllimi përfundimtar i procesit të realizimit të këtij punimi ishte që ai të ishte një përgjithsim artistik i pasurisë kërcyese kërçovare si pjesë dominuese e krahinës së Pollogut. Realizimi i këtij punimi koreografik zgjati përafërsisht 6 muaj sepse ndërhyri në mes periudha e Covidit e cila paralizoi çdo veprimtari artistike.

Duke gjykuar për të gjitha drejtimet artistike kompozicional, por edhe për mesazhin që transmeton tek publiku, mendoj se mund të prezantohej me dinjitet në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës 2023, nga trupa e valltarëve të Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Shqiptare Maqedonisë së Veriut.

Vallja e Dërvenit , foto e huazuar nga Faqja e AKVSHRMV.jpg1
Vallja e Dërvenit, foto nga Faqja e AKVSHRMV

Po vallja e Dërvenit ç’ka inetresante sipas jush? “Prej Tetove në Dibër”?

Artan Ibërshimi: Vallja “Prej Tetove në Dibër” ishte një krijim koreografik që ishte pjesë e programit të premirës së parë zyrtare të Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Shqiptare në Maqedonine e Veriut. Për të gjithë ne ishte një ngjarje me rëndësi të veçantë kulturore, dhe emocionalisht prezenca e çdo krijuesi ishte historike. Angazhimi im për realizimin e valles “Prej Tetove në Dibër” ishte shumë dinamik dhe tepër konciz sepse i njihja potencialet interpretative të trupës së kërcimit, që nga momentet e konkursit të praninit të tyre në ansambël. Tek të gjithë ndjehej një atmosferë gëzimi dhe entuziazmi për pjesmarrjen e tyre në një institucion artistik profesional të sapo formuar. Lexova tek portretet e tyre pasionin për të udhëtuar në mënyrë profesionale me vallëzimin në cçdo trevë dhe krahinë të shqiptarisë. Prandaj e konsiderova dhe përmbajtjen e valles si një energji udhëtuese dhe bashkuese ndërmjet trevave shqiptare. Mora si refencë karakterin humoristik të valleve të djemve të Dibrës dhe valles së qendisjes së vajzave, duke i ndërthurur me këngën tetovare “Moj e mir e hollë e gjatë”, me elementë të valles së Gajdes, por dhe me elemente të tjerë të lojës së Kapuçave etjer. Kështu gjatë procesit të kërkimit u ndërtua një strukturë dramaturgjike e veprimit koreografik që bazohej tek loja, komunikimi, dialogimi ndërmjet djemve dhe vajzave, si dhe energjia e një zhvendosjeje hapsinore e veprimit të tyre skenik. Ai trajtonte imagjinatën e një udhëtimi kulturor ndër treva të ndryshme folklorike. Gjuha kërcyese erdhi si një trajtesë e marrdhënies të trupit me gjendjen emocionale që krijonte veprimi e zhvendosjes hapsinore. Në këtë krijim koreografik një rol frymëezues ka luajtur edhe kompozimi muzikor i realizuar nga Ylber Asllanaj. Gjithashtu edhe këtë punim koreografik, duke e gjykuar në të gjitha drejtimet artistike kompozicionale, por edhe për mesazhin që transmeton tek publiku, mendoj se mund të prezantohej me dinjitet në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës 2023, nga trupa e valltarëve të Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Shqiptare e Maqedonisë së Veriut. Vallja me motive të Dërvenit është një punim koreografik që përfaqëson vallen e fundit që kam punuar me ansamblin dhe që në këndvështrimin tim ka një referencë më të theksuar folklorike dhe me një koncept për të përfaqësuar një pjesë dominuese të pasurisë kërcyese dërvenase.Ky krijim koreografik ka si qëllim dhënien e mesazhit së domosdoshmërisë së transmetimit të trashëgimisë kulturore ndërmjet gjeneratave nëpërmjet ruajtjes të çdo vlerë të saj, gjë e shprehur nga ideja: “si dikur edhe tani”. Pikërisht ky ka qënë rezultati i pretenduar dhe i kërkuar nga procesi i kompozimit koreografik. Konceptualisht ky krijim koreografik mbështetet në përdorimin dhe ndërthurjen dramaturgjike të disa elementeve artistike që janë: a) përdorimi i dy objekteve të shoqërimit muzikor folklotir, defi dhe lodra, që produktojnë një nga elementet e bazike të procesit të vallëzimit, ritmin, i cili nxit apo provokon lëvizjen plastike koreografike nga lëvizje më të ngadalta në më të shpejta. b) Lëvizjet shumë të ngadalta të valles së Bilbilit (ose Kapedanja sipas emërtimit të hershëm të saj, e konfirmuar nga bartësi i valles folklorike Uzri Osmani), të cilat i japin veprimit plastiko kërcyes kontekstin e ardhjes nga një hershmëri epike e largët tradicionale. Ky mendim transmetohet në vazhdim tek veprimi plastik i grupit të vajzave, të cilat me përkuljen shumë të ngadaltë të trupit nga anash majtas, para dhe anash djathtas si dhe me ndryshimet e shpejta dhe të fiksuara të pozave, të japin imazhin e skupturave apo statujave të femrave ilire. c) Transmetimi dhe ndjekja e energjisë së veprimit koreografik nga grupi i djemve te ai i vajzave dhe anasjelltas. d) Dinamika hapsinore e veprimit skeniko-koreografik në të gjithë vallen si dhe zgjidhja e tij në formën e një vorbulle apo të një vazhdimësie rrethore. Vetë veprimi skeniko-koreografik fillon si një dialog i kërcimtarëve me këto objekte, të cilat me formën e tyre të rrumbullakët, në kuptimin metaforik shërbejnë si një rrotë e historisë ( veprimi i femrës me def) që sjell me vete peshën e rëndë dhe përgjegjësinë e traditës për trashëgiminë e saj ndër shekuj (veprimi i dy djemve me lodër). Ky krijim koreografik është paraparë në këndvështrim kompozicional si një prezantim varacional i repertorit të valleve folklorike të zonës së Dërvenit, ose e thënë ndryshe si një panoramë që varion ngjyrimet plastiko kërcyese të kësaj zone. Në kuptimin e identifikimit të formës kompozicionale, ky punim koreografik i referohet suitës koreografike me varacione. Struktura kompozicionale e saj është mbështetur te Vallja Osman Pashës, Vallja Bilbilit (ose Kapedanja), Vallja Kurbetçe, Vallja Prishtinka ose Anadollka. Një nga elemntet që e bën të veçantë këtë valle është edhe shoqërimi muzikor, i cili është totalisht i mbështetur në instrumente folklorikë. Të njëjtën gjë do të thoja se edhe ky punim koreografik duke e gjykuar në të gjitha drejtimet artistike kompozicionale, por edhe për mesazhin që transmeton tek publiku, mendoj se mund të prezantohej me dinjitet në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës 2023, nga trupa e valltarëve të Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare e Maqedonisë së Veriut.

Vallja e Dërvenit , foto e huazuar nga Faqja e AKVSHRMV.jpg1
Vallja e Dërvenit, foto nga Faqja e AKVSHRMV

Cila zonë shqiptare i ka vallet më të bukura ose me karakteristike?

Artan Ibërshimi: Çdo trevë apo zonë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, sipas gjykimit tim paraqet një interes artistik për ti hulumtuar, studiuar por dhe për ti trajtuar ato koreografikisht. Personalisht do të isha shumë i interesuar dhe do të kisha guzuar të përfshihesha në një laborator kërkimi artistik mbi malësinë e Sharrit, të zonës përreth liqenit Strugë, por edhe për zonën e Shkupit. Për të gjithë krijuesit koreografë është një përgjegjësi artistike që të angazhohemi në zbulimit dhe trajtimin e vlerave të vallëzimit tradicional të cçdo zone edhe për faktin tjetër të pasurimit të procçesit tonë të njohjes së folklorit.

A flet një koreograf përmes valleve?

Artan Ibërshimi: Vallja është një medium ku çdo koreograf shpreh mendimet e tij, botën e tij shpirtërore, emocionet dhe gjithçka që ndodh rreth qënies së tij, nëpëmjet një procesi reflektues. Për ta bërë të mundur këtë ai zgjedh si instrument shprehës trupin e njeriut. Ai me vallen përçon mesazhe, qëllime kulturore, këndvështrime individuale dhe çdo gjë tjetër të rëndësishme me vlerë humane. Pra e thënë thjesht, ai shprehet dhe komunikon nëpërmjet saj me kozmosin që e rrethon. Çdo spektator i vëmendshëm kur shikon një valle arrin të kuptojë personalitetin e një koreografit dhe kompleksitetin e tij kulturor, intelektual, krijues, artistik etjer, vetëm nga aftësia që ai ka për ti shprehur qartë nëpërmjet valles. Prandaj mund të themi se po, koreografi flet përmes valles.

Elementë të ndryshëm të gjuhës së vallëzimit si gjesti, veprimet plastike trupore dhe reagimet e mimikës së fytyrës, kanë mundësuar që në shoqërinë primitive komunikimin ndërmjet pjestarëve të saj, prandaj dhe egzistenca e vetë valles edhe mbas lindjes së gjuhës verbale, tregon nevojën që ka njeriu për të në çdo kohë. Jo më kot Kadare e ka quajtur vallen një “eky” të kohës sonë. Ndërsa Jose Gil ka thënë se : “kur gjuhët pushojnë së qëni vepruese….. Njeriu me sa duket, gjen vallen, trupin që flet”. Prandaj përsëri mund të themi se po, koreografi flet përmes valles.

Koreografi flet përmes valles edhe në një dimension tjetër, sepse instrumenti i tij komunikues vepron si një barometër i të vërtetës të asaj që ai shpreh. Trupi nuk ka ka aftësinë për të fshehur ndjesitë dhe nuk mund të manipulojë situatat e ndryshme në komunikim si fjala. Ai është i drejtpërdrejt në reagimet e tij dhe shprehjet e tij nuk nënkuptojnë qëndrime apo emocione të tjera nga ato që shprehen në një moment të caktuar. Siç duket me anë të trupit koreografi krijon një gjuhë morfologjia e së cilës funksion si një skaner i qënies humane me fuqi vepruese interaktive dhe ku siç  rezulton, realizohet procesi i komunikimit të tij. Prandaj përfundimisht mund të themi se po, koreografi flet përmes valles në çdo rast.

Jeni për vallëzimin modern më shumë apo atë tradicional?

Artan Ibërshimi: Vallëzimi tradicional dhe ai modern janë dy forma të dallueshme vallëzimi me origjinë dhe në karakteristika. Vallëzimi tradicional përfaqëson një formë kërcimi që është përcjellë brez pas brezi brenda një komuniteti apo kulture të caktuar, dhe që pasqyron trashëgiminë kulturore apo vlerat e shoqërisë në të cilën e ka origjinën. Një degëzim i vallëzimit tradicional është vallja popullore e cila ndryshe nga vallja tradicionale është më bashkëkohore dhe priret të evoluojë me tendencat dhe ndikimet aktuale të artit kërcyes. Ajo shpesh përfshinë elementë të kompozicionit koreografik nga stile të ndryshme kërcimi për të krijuar një formë shprehjeje më moderne dhe gjithëpërfshirëse. Megjithatë midis tyre egzistojnë disa dallime  në qëllim, në kontekst, në strukturën kompozicionale koreografike, në shoqërimin muzikor, në elementin e kostumografisë, si dhe në aftësinë evoluuese dhe përshtatjes ndaj zhvillimeve të reja që ndodhin në artin kërcyes. Ndërsa kërcimi modern, nga ana tjetër, është një formë më bashkëkohore e kërcimit që u shfaq në fillim të shekullit të 20-të si një reagim ndaj stileve të ngurta dhe formale të kërcimit klasik. Ai thekson lirinë e lëvizjes në një stil më të rrjedhshëm, natyral, duke përfshirë elemente të improvizimit dhe eksperimentimit.

Në opinionin tim që të dyja janë pjesë e trungut të artit kërcyes dhe që janë të vlefshme për  komunitetin njerëzor për rolin që luajnë. Që të dyja kanë ardhur si nevojë e shprehjes artistike në periudha të ndryshme historike të shoqërisë njerëzore. Në të njëjtën kohë që të dyja duhet patjetër  të jenë pjesë e edukimit profesional dhe formimit të një artisti në fushën e koreografisë. Personalisht në aktivitetin tim artistik kam qënë i prirur ti aplikojë që të dyja stilistikat dhe të ndërtojë  jo vetëm opinion për secilën, por dhe të kuptojë se cila e identifikon më tepër personalitetin tim krijues apo shijen time stilistike. Në Ansamblin Shtetëror të Valleve  dhe Këngëve Shqiptare në Maqedoninë e Veriut, jam përpjekur që vallëzimin tradicional ta orientojë tek koncepti i vallëzimit popullor për ti dhënë atij një dimension më të civilizuar kulturor dhe më të përditsuar artistik, duke e pasuruar atë me elementë të rinj të kompozicionit dhe strukturës koreografike dhe për të krijuar kështu një formë shprehjeje më moderne dhe gjithëpërfshirëse.

Prej Tetove në Dibër , foto e huazuar nga Faqja e AKVSHRMV.jpg1
Prej Tetove në Dibër, foto nga Faqja e AKVSHRMV

Sa i kushtohet rëndësi këtij zhanri në hapësirat shqiptare? Në Shqipëri më duket ka më shumë interesim për ta studiuar koreografinë ndryshe nga ne që vecçse para dy-tre vitesh kemi koreografin e parë të diplomuar shqiptar?

Artan Ibërshimi: Është e vërtet se rëndësia që i kushtohet këtij zhanri në hapësirat shqiptare është i ndryshëm dhe sigurisht që vërehet një diferencë e konsiderueshme në këtë drejtim. Mendoj se zvogëlimi pse jo dhe eleminimi i tyre do të vijë vetëm duke patur si prioritet arsimimin dhe shkollimin profesional në të gjitha nivelet e tij. Duhet të kuptojmë të gjithë se investimi në këtë drejtim është e vetmja mënyrë dhe rrugë për tu përfaqësuar me dinjitet konkurues artistik, dhe për këtë qëllim nevojitet kontributi i të gjithë autoriteteve apo i personaliteteve drejtuese, sidomos i grupeve që ndërtojnë strategjitë dhe politikat kulturoro-arsimore.  Për shembull në Shqipëri funksion sistemi i shkollimit 8 vjeçar për kërcimtar dhe sistemi universitar 3+2 për Koreografi /Mëesuesi. Për statistike institucioni analog i Ansamblit Shtetëror në Shqipëeri ka të gjithë trupën e kërcimtarëve me shkollim dhe diplomë 8 vjeçare për kërcimtarë dhe mbi 85/%  e tyre me  shkollim universitar. Sigurisht që sistemi i shkollimit koreografik 8 vjeçar tek ne ka një histori rreth 65-70 vjeçare, ndërsa  ai universitar rreth 40 vjeçare. Tek ansambli Shota në dijeni time, trupa nuk kanë shkollim profesional specifik si kërcimtar dhe ndoshta 3 persona kanë shkollim universitar të cunguar në fushën e koreografisë dikush vetëm 3 vjeçar, dhe dikush 2 vjeçar. Në ansamblin shqiptar tek ju, trupa e kërcimtarëve pothuajse të gjithë janë me diploma uversitare të degevë të ndryshme, por asnjë koreografike dhe vetëm një person është me shkollim 8 vjeçar profesional si kërcimtar. Në sektorët e muzikorë si të orkestrinës dhe vokali pothuajse të gjithë me shkollim të plotë universitar në specifikën përkatëse. Dikush mund të thotë se trupa ka shumë të talentuar dhe  performanca e tyre skenike është optimale, gjë të cilën edhe unë mund ta pranojë. Por mund të shtrohet edhe pyetja, si një institucion i emërtuar profesionist funksion me individë që nuk plotësojnë standarte të një formimi të plotë profesional?  Të gjithë jemi të vetëdijshëm se vështirësitë janë të shumta dhe të trashëguara nga e kaluara, por në këtë drejtim duhet të projektohet zgjidhje e ngutshme për të përparuar sa më shpejt.

Ç’mund të bëjmë për të rritur interesin në këtë zhanër, autoritetet, personalitetet?

Artan Ibërshimi: Rrugët dhe mundësitë janë të shumta, mjafton angazhimi dhe këmbëngulja për ti shkuar gjërave deri në fund. Unë mund të rendis disa sygjerime pa pretenduar që ato të jenë shteruese.

Çfarë mund të sygjerohet për të rritur interesin:

  • Promovimi i repertorit të ansamblit në çdo shkollë të arsimit ulët dhe të mesëm, për të nxitur ardhjen e elementëve të rinj për tu angazhuar me artin e kërcimit, dhe si një formë e edukimit përmes artit.
  • Hapjen e një dege koreografike pranë shkollave të muzikës, ndoshta në qytetet ku ka shkolla të tilla, si psh në Tetovë.
  • Hapja e një dege koeografie pranë Universitetit të Tetovës. Para disa vjetësh unë jam angazhuar në pregatitjen e kurikulës mësimore 4 vjeçare koreografike pranë Fakultetit të Muzikës në këtë universitet, (por nuk shkoi deri në konkretizimin final kjo përpjekje)
  • Nxitja e brezit të ri për tu shkolluar në degën e koreografisë në shkollën e baletit në Shkup.

Çfarë mund të sygjerohet për rritjen e cilësisë profesionale dhe zbutjes së mungesës së shkollimit specifik:

  • ngritje e një grupi specialistësh që të ndërtojë një strategji zhvillimi afat shkurtër dhe afat gjatë.
  • ngritja e një “shkolle” brenda institucionit për emancipimin profesional të kërcimtarëve ku të angazhohen pedagogë të ndyshëm me programe konkrete dhe të detajuara profesionale.
  • organizimi i work-shop-eve të ndryshme me një shtrije në të gjithë sezonin artistik.
  • aplikimi i sistemeve të ndryshme kërcyese për procesin parapregatitor ( siç ishte rasti i aplikimit të Sistemit të Kërcimit Etnik Shqiptar të Sadik Batkut)