Britania sanksionoi Kinën, Londra zyrtare akuzoi Pekinin për aktivitete spiunazhi

Qeveritë e Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë njoftuan vendosjen e sanksioneve ndaj një kompanie dhe dy individëve të lidhur me qeverinë britanike për një seri aktivitetesh kibernetike dashakeqe, që vinin në shënjestër institucionin elektoral dhe ligjvënësit në të dyja vendet, raporton EN.

“Mund të konfirmoj se aktorë të kontraktuar nga shteti kinez kanë qenë përgjegjës për dy fushata kibernetike që vunë në shënjestër si institucionet tona demokratike edhe ato parlamentare. Shumë partnerë tanët, përfshirë Shtetet e Bashkuara, do të bëjnë deklarata të ngjashme për të ekspozuar këtë aktivitet dhe të mbajnë Kinën përgjegjëse për aktivitete armiqësore ndaj demokracive tona”- Oliver Dowden, zëvendës kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar.

Oliver Dowden sqaroi se Mbretëria e Bashkuar ka sanksionuar tashmë dy individë dhe një entitet të lidhur me grupin e sponsorizuar nga shteti kinez “APT31”.

Më herët, lideri i Partisë Konservatore britanike, Sir Iain Duncan Smith i bëri thirrje qeverisë që ta etiketojë Kinën si një “kërcënim” dhe jo më një “sfidë”.

Politikanët janë anëtarë të Aleancës Ndërparlamentare për Kinën, një grup ndërkombëtar presioni që synon ndalimin e influencës në rritje të Kinës dhe që denoncon abuzimet me të drejtat e njeriut nga qeveria kineze.

Duke iu përgjigjur akuzave, Ministria e Jashtme të Kinës deklaroi se vendet duhet t’i bazojnë deklaratat e tyre në prova dhe jo të njollosin shtete të tjera pa fakte.