Britania ofroi garanci për mbrojtjen e kufijve të Kosovës
Ministri i Mbretërisë së Bashkuar për Forcat e Armatosura, James Heappey, ka qëndruar të martën në Kosovë. Pas takimeve të ndara me presidenten Vjosa Osmani e me kryeministrin Albin Kurti, Heappey tha se vazhdimi i mandatit të trupave britanike flet për përkushtimin që shteti i tij ka për mbrojtjen e sovranitetit dhe për ofrimin e sigurisë, raporton Koha.net.
Pas takimeve të ndara me presidenten Vjosa Osmani e me kryeministrin Albin Kurti, Heappey tha se vazhdimi i mandatit të trupave britanike flet për përkushtimin që shteti i tij ka për mbrojtjen e sovranitetit dhe për ofrimin e sigurisë.
“Unë mendoj që ka sfida. Sigurisht që ka, por ne jemi shumë të qartë në pozicionin për sfidat e sigurisë që janë në vendin tuaj. Prezenca jonë në KFOR e nënvizon këtë, por po ashtu edhe mbështetja jonë diplomatike për Kosovën. Ne do të vazhdojmë të punojmë me ju për të zgjidhur sfidat e sigurisë që ekzistojnë dhe për të siguruar që ju të vazhdoni të jeni të lirë dhe të sigurt brenda kufijve tuaj”, deklaroi Heappey.
Ministri britanik bëri të ditur se, përveç për sigurinë në përgjithësi, me presidenten Osmani e kryeministrin Kurti ka diskutuar edhe për synimet që Kosova ka drejt anëtarësimit në NATO dhe BE.
“Ne diskutuam në përgjithësi për situatën e sigurisë në vend dhe rolin që mund dhe duhet të luajë Mbretëria e Bashkuar në zgjidhjen e tyre, dhe pastaj, sigurisht, ambicia afatgjate e Kosovës që të jetë anëtare e BE-së dhe NATO-s. Dhe përderisa, natyrisht, të dyja këto organizata kërkojnë një konsensus të gjerë, Mbretëria e Bashkuar mbetet e përkushtuar që ta shohë Kosovën në atë rrugë, kur rrethanat ta lejojnë një gjë të tillë”, tha ai.
Pas takimit me ministrin Heappey, përfaqësuesit shtetërorë nuk janë prononcuar për media.
E, në një njoftim për media, Presidenca bëri të ditur se i ka kërkuar ndihmë Britanisë së Madhe në rrugën drejt anëtarësimit në NATO
“Presidentja Osmani vuri theksin në vazhdimin e mbështetjes së Mbretërisë së Bashkuar për Forcën tonë të Sigurisë, e cila po forcohet me standardet më të larta të NATO-s, përmes trajnimeve të ndryshme në rritje të kapaciteteve të përbashkëta. Në këtë frymë, presidentja potencoi edhe gatishmërinë e Kosovës që t’u bashkohet forcave britanike në misione paqeruajtëse në vende të tjera të botës. Presidentja Osmani ka përmendur edhe nevojën e forcimit të bashkëpunimit të ndërsjellë që të ecet përpara me hyrjen e Republikës sonë në Programin e Partneritetit për Paqe e deri tek anëtarësimi në NATO”, thuhet në njoftim të Presidencës.
Në kuadër të misionit të KFOR-it në Kosovë veprojnë 41 trupa britanike.