Brezi i udhëkryqit dhe kode shekujsh

Jemi brezi i udhëkryqit që s’mund të çlirohemi nga ankthet dhe tmerret e shekullit të kaluar.

Jetojmë sipas kodeve të shekullit të kaluar dhe i shohim me dyshim e frikë kodet e shekullit të ri.

Ne rebelët e shekullit të kaluar dhe të çorientuarit e shekullit të ri, jetuam me ideale të tjera dhe në shekullin e ri s’kemi ideale të reja.

E dimë prej nga vijmë, por rendim drejt të ardhmes pa e ditur se ku do të shkojmë.

U zhgënjyem nga jeta që e jetuam dhe jemi dyshimtarë për jetën që e jetojnë pjesëtarët e shekullit të ri.

Po shuhen faret e synimeve tona derisa lundrojmë nëpër oqeanet e jetës.

U rritëm në Galaktikën Gutenberg dhe duhej të përshtateshim në Galaktikën Digjitale.

Jetuam në kohë të trazuar dhe në botë të trishtë, por të paktën ishin reale.

Bota e tanishme na duket e pakuptueshme dhe e panjohur.

Flasim me gjuhën që pakkush e kupton dhe s’e durojmë gjuhën e re pa sintaksë.

Deshëm të formulonim mendime që u rezistojnë kohërave, por ato s’i pranon shekulli i ri, që s’e honeps gjuhës e ëndrrës.

Në shekullin e vjetër u formuam si idealistë, kurse në shekullin e materializmit shihemi si të krisur.

Gjurmët që lamë në shekullin e kaluar i fshin shekulli i ri.

Çështjet tona etike nuk na i pranon ky shekull, i cili i zhvendosi kufijtë e dallimit ndërmjet të mirës e të keqes apo të drejtës e të gabuarës.

Standardet dhe vlerat tona sikur janë shkruar në Librin e të Vdekurve dhe jo në Librin e Përjetësisë.

Ne kemi drojë ta ngremë zërin, sepse na thonë se nuk e kuptojmë të renë edhe pse e dimë se në historinë njerëzore pati epoka pasardhëse më të zymta se epokat paraprake.

Brezi i ri mund të jetë më i aftë se brezi ynë, por epoka e tyre duket më e çmendur dhe më e paparashikueshme se epoka jonë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.