Boshllëqe dhe mospërputhje në raportimin e pasurisë dhe interesave të zyrtarëve në RMV në rrugën e zbulimit të korrupsionit

Qendra për Komunikime Civile, Shoqata e Këshilltarëve Tatimorë dhe Aktivo publikuan sot “Hulumtimin mbi zbulimin e konflikteve të mundshme të interesit dhe abuzimit të pushtetit në prokurimin publik nga personat e ekspozuar politikisht”, i cili tregon se përmes Regjistrit të pronarëve të vërtetë, është zbuluar pronësia në kompani të personave të ekspozuar politikisht (kryetarë komunash dhe ministra), të cilët nuk ishin raportuar në deklaratat e interesave të paraqitura në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), transmeton Portalb.mk.

41 nga 360 zyrtarët e mëparshëm dhe aktualë të analizuar, raportohen si pronarë të vëretë në një kompani, 23 prej këtyre zyrtarëve i fshehën plotësisht ose pjesërisht aksionet e tyre në kompani kur paraqitën deklaratë interesash në KSHPK.

Dallimet në të dhënat mbi interesat e biznesit të zyrtarëve tregojnë mungesën e kontrollit dhe verifikimit adekuat të saktësisë së të dhënave si në Regjistrin e pronarëve të vërtetë ashtu edhe në deklaratat e interesave që personat e zgjedhur dhe të emëruar i paraqesin KSHPK-së.

Kompanive në pronësi të kryetarëve të komunave dhe ish-ministrave u janë dhënë kontrata prokurimi publik, koncesione dhe licenca të dhëna nga institucionet shtetërore.

Hulumtimi tregon se qytetarët, gazetarët dhe organizatat e shoqërisë civile pengohen të marrin pjesë aktive në zbulimin e konflikteve të mundshme të interesit dhe abuzimit të pushtetit nga mbajtësit e funksioneve. Regjistri i pronarëve të vërtetë nuk është i disponueshëm publikisht dhe informacioni në të është subjekt pagese, ndërsa të dhënat mbi interesat e biznesit të zyrtarëve në sistemin elektronik të disponueshëm publikisht të KShPK-së janë të paplota.

Në deklaratat e interesave në KhSPK, zyrtarët raportojnë të dhëna vetëm për familjen më të ngushtë me të cilën jetojnë nën të njëjtën çati, ndërsa deklaratat e paraqitura në KShPK deri në fund të vitit 2023 janë të disponueshme vetëm në formë letre dhe nuk janë të disponueshme në portalin e specializuar në internet, etj.

“Në kushtet kur informacioni i pronësisë duhet të paguhet, dhe deklaratat e interesave në shumë raste nuk janë gjithëpërfshirëse dhe të sakta, është më e lehtë të fshihen pronarët e kompanive, në vend që të lidhen publikisht dhe të publikohen kompanitë që kanë fituar tendera dhe koncesione me pronarët e tyre”, thonë nga QKC-ja.

Kujtojmë se në prill të këtij viti, Qendra për Komunikime Qytetare (QKQ) pas analizimit të listës së publikuar të kompanive zbuloi se 23 kompani janë në prag të humbjes së licencës që ka qenë një nga kushtet për ta fituar tenderin.