Borxhi i jashtëm neto i Maqedonisë së Veriut deri më 30 qershor arriti 4,48 miliardë euro

Banka Popullore njoftoi se më 30 qershor 2024 neto borxhi i jashtëm arriti në 4,481 milionë euro ose 30,8 për qind nga PBB-ja e parashikuar, raporton MIA. Borxhi i jashtëm neto në tremujorin e dytë të vitit 2024 është rritur për 109 milionë euro ose 2,5 për qind. Nga aspekti i strukturës, borxhi neto privat vazhdon të ketë peshë më të madhe në totalin e borxhit neto me 64 për qind.

Krahasuar me fundin e vitit 2023, borxhi i jashtëm bruto është më i lartë për 519 milionë euro, ose për 4.6 për qind.

Rritja e arritur është rezultat i rritjes së borxhit të jashtëm privat (për 366 milionë euro) dhe rritjes së borxhit publik (për 34 milionë euro). Në rastin e borxhit privat, rritje është vërejtur tek subjektet e lidhura kapitale (për 315 milionë euro) dhe sektori privat jobankar (për 180 milionë euro), ndërsa borxhi i bankave private ka shënuar rënie (për 129 milionë euro). Sa i përket borxhit publik, rritja është kryesisht rezultat i rritjes së detyrimeve të bankave publike dhe ndërmarrjeve publike (për 18 milionë euro) dhe sektorit “shtetëror” (për 13 milionë euro).

Sipas Bankës Popullore, në krahasim me fundin e vitit paraprak kërkesat e jashtme bruto janë më të larta për 404 milionë euro. Pa efektin e aktiviteteve specifike për administrimin e rezervave valutore të bankës qendrore, kërkesat e jashtme bruto u rritën për 162 milionë euro, si rezultat i rritjes së kërkesave private (për 431 milionë euro), ndërsa kërkesat publike u ulën (për 269 milionë euro). Rritja e kërkesave private rezulton nga rritja e kërkesave të subjekteve kapitale (për 336 milionë euro) dhe sektorëve të tjerë (për 164 milionë euro), ndërsa kërkesat e institucioneve depozituese janë ulur (për 69 milionë euro).

Ndryshe, kryeministri Hristijan Mickoski në fushatën parazgjedhore kishte premtuar marrjen e borxhit prej një vendi të huaj, duke e mbajtur të fshehur se për cilin shtet bëhet fjalë. Ai kishte paralajmëruar nismën e re për zhvillimin e komunave në vend duke siguruar 250 milionë euro.

Me një borxh publik që i afrohet 9 miliardë eurove dhe një borxh të jashtëm bruto deri në 11,8 milionë euro, shteti me një zgjidhje ligjore siguroi terrenin për kredinë e re nga Hungaria në vlerë pre 500 milionë euro.