Blerim Bexheti vendosi të largohet nga Komuna e Sarajit, ai do të jetë deputet në Kuvendin e RMV-së

Kryetari i Komunës së Sarajit, Blerim Bexheti, ka vendosur të jetë deputeti i ardhshëm në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Ai ka vlerësuar që ky vendim është për të mirën e qytetarëve, transmeton Portalb.mk.

Të dashur qytetarë të komunës së Sarajit dhe më gjërë, dua të ju njoftoj se prej sot fillon rrugëtim i ri i imi si deputet dhe zëri juaj në kuvendin e RMV-së. Duke dashur të falenderoj gjithsecilin nga ju që më përkrahët në zgjedhjet lokale që të isha në krye të komunës së Sarajit dhe tani që të ju përfaqësoj në kuvend”, njoftoi Bexheti.

Me këtë vendim, qytetarët e Komunës së Sarajit do të kenë zgjedhje të parakohshme lokale për të përzgjedhur kryetarin e ri të komunës deri në mbarimin e këtij mandati.

Në zgjedhjet e fundit lokale që u mbajtën më 17 tetor të vitit 2021, Blerim Bexheti u zgjodh kryetari i Komunës së Sarajit me 10 790 vota, apo 74 % e numrit të votuesve.

Ndryshe, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami ka vendosur mos të marrë mandatin e deputetit në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, por do të vazhdojë të jetë kryetar komune.