Biden dhe Trump “bashkojnë forcat”! Përpjekje për armëpushim në Gazë para 20 janarit
Ndërsa Presidentit Joe Biden i mbaron mandati më 20 janar, ndihmësit e tij po punojnë me ekipin e Presidentit të zgjedhur Donald Trump për të mundësuar një armëpushim në Gazë, raporton Zëri i Amerikës.
Vdekjet dhe shkatërrimi vazhdojnë të jenë një realitet i përditshëm për palestinezët në Gazë, pavarësisht se Shtetet e Bashkuara kanë bërë trysni për një armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit. Presidentit Biden i mbaron mandati më 20 janar.
Në fillim të javës, zoti Trump përsëriti ultimatumin e tij për një marrëveshje që do të lironte pengjet izraelite të mbajtura nga Hamasi.
“Nëse ata nuk lirohen deri sa të marr detyrën, tmerri do të pasojë në Lindjen e Mesme”.
Analistët thonë se ultimatumi i zotit Trump nuk ka gjasa të ndikojë tek Hamasi, pasi grupi i cilësuar terrorist nga Shtetet e Bashkuara, vazhdon të goditet nga fushata ushtarake izraelite. Ata thonë se nuk ka gjasa të ndikojë tek çështjet e pazgjidhura në tryezën e negociatave.
Zëri i Amerikës bisedoi me ish negociatorin amerikan për Lindjen e Mesme, Aaron David Miller, i cili aktualisht punon me institutin “Carnegie Endowment for International Peace”.
“Numri i të burgosurve që do të lirohen, sa pengje, prova që janë gjallë, vendndodhja e pengjeve të gjalla, sa do të lirohen në fazën e parë [të armëpushimit]? Këto janë çështje që kanë shumë pak të bëjnë me politikën e ardhshme të administratës Trump.”
Të enjten, Presidenti Biden përshëndeti zgjedhjen nga parlamenti libanez të zotit Joseph Aoun si presidentin e ardhshëm të vendit, duke i dhënë fund një vakumi shumëvjeçar të qeverisjes dhe një lufte mbi njëvjeçare midis Izraelit dhe Hezbollahut.