Biblioteka “Max van der Stoel” u shpall “Biblioteka e Vitit 2024”, Abdullai: Do të vazhdojmë të zhvillojmë programe të reja
Biblioteka “Max van der Stoel” e Universitetit të Evropës Juglindore ka fituar çmimin “Biblioteka e Vitit” për vitin 2024, në kategorinë e bibliotekave të arsimit të lartë, shkruan Portalb.mk.
Ky çmim, i ndarë nga Shoqata e Bibliotekarëve të Maqedonisë, është një njohje për përkushtimin e vazhdueshëm, profesionalizmin dhe kontributin e rëndësishëm në zhvillimin e veprimtarisë bibliotekare, që stafi ynë e demonstron çdo ditë.
Drejtoresha e Bibliotekës “Max van der Stoel” Elmedina Abdullai për Portalb.mk tha se ky vlerësim është dëshmi e përkushtimit të tyre të vazhdueshëm ndaj dijes.

“Jemi jashtëzakonisht të nderuar dhe krenarë. Ky vlerësim është dëshmi e përkushtimit tonë të vazhdueshëm ndaj dijes, shërbimit cilësor për përdoruesit dhe rolit aktiv që kemi luajtur gjatë vitit në promovimin e leximit, edukimit dhe kulturës. Për ne, ky vlerësim është rezultat i punës së përbashkët, përkushtimit të palodhshëm të stafit të bibliotekës dhe bashkëpunimit të ngushtë me menaxhmentin gjegjësisht komunitetin universitar, si dhe më gjerë”, tha Abdullai.
Ajo tha se ky vlerësim i motivon për të vazhduar më tej për të gjetur metoda të reja, atraktive dhe bashkëkohore, në mënyrë që të jenë në hap me kohën dhe të zgjerojnë më tej shërbimet e tyre.
“Ne do të vazhdojmë të zhvillojmë programe të reja edukative, punëtori, ekspozita kulturore dhe bashkëpunime me institucione vendore dhe ndërkombëtare, duke e promovuar bibliotekën si një hapësirë të hapur dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë”, tha Abdullai.
Ajo shtoi se kjo bibliotekë nuk është vetëm një hapsirë e frekuentuar nga studentët dhe stafi akademik apo administrativ, por edhe nga anëtarë të komunitetit dhe studentë të universiteteve të tjera, për qëllime studimore, kërkimore dhe për aktivitete bashkëpunuese.
“Gjatë këtij viti kemi qenë mikpritës të dhjetëra aktiviteteve me karakter letrar, artistik dhe edukativ, duke përfshirë promovime librash, ekspozita arti, ligjërata publike dhe projekte ndërdisiplinore, të cilat kanë tërhequr artdashës, studiues dhe qytetarë nga më gjerë. Kjo pjesëmarrje e lartë është dëshmi e rëndësisë që ka biblioteka jonë si një qendër dinamike kulturore dhe akademike”, tha Abdulai.
Pranimi zyrtar i çmimit do të bëhet më 15 maj 2024, në Veles, gjatë hapjes së Konferencës së 5-të Ndërkombëtare të Bibliotekarëve.