Berisha: Mosbindja civile aksion politik vijues i opozitës

Ish-kryeministri Sali Berisha dhe mbështetësit e tij të “Grupimit të Rithemelimit” të Partisë Demokratike shpallën mosbindjen civile si aksionin e tyre të ardhshëm për të kundërshtuar maxhoranën socialiste në Parlament, shkruan DW.

“Mosbindja civile është betimi im. Ajo do të jetë nje aksion pa kthim për të shpëtuar demokracinë, ” tha ish-kryeministri Berisha në fjalën e tij në Kuvendin Kombëtar të mbështetësve të tij në Tiranë (02.12).

Paralajmërimi i ish-kryeministrit Berisha vjen pas bllokimit muajin e kaluar nga opozita të seancave plenare të Parlamentit, si reagim ndaj mospranimit prej maxhorancës socialiste të kërkesës së opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore lidhur me korrupsionin në qeverinë Rama, një e drejtë kjo kushtetuese e opozitës.

“Edi Rama është armiku ynë i përbashkët. Mos mendoni se Edi Rama rrëzohet me fjalime, deklarata apo me zgjedhje” tha Berisha duke u bërë thirrje të gjithe focave opozitare t’i bashkohen aksionit të sapo shpallur.

PD-ja e vërtetë dhe PD-ja zyrtare

Në Kuvendin Kombëtar nuk morën pjesë deputetët e grupit tjetër të PD, që njihet si PD zyrtare, me kryetar Lulzim Bashën. Ish-kryeministri Berisha konsideron si PD-ja e vërtetë – Grupimin e Rithemelimi, të drejtuar prej tij.

Mbështetësit e ish-kryeministrit Berisha në Kuvendin Kombëtar i dhanë atij votë-besimin për të vazhduar të jetë kryetar i Grupimit të Rithemelimit, pas humbjes së Zgjedhjeve Lokale 2023, të zhvilluara në 14 maj të këtij viti.

Asnjë reflektim

Në Kuvendin Kombëtar nuk u analizua shkaqet që i sollën PD humbjen e Zgjedhjeve Lokale. Berisha e përligji heshtjen për humbjen e tyre me “zhvillimet dramatike, më dramatiket që nga viti 1991 e deri më sot sot të grushtit të shtetit brenda shtetit, ndaj opozitës.”

“Kjo situatë i dikton PD-së agjendën e saj duke filluar nga parlamenti dhe vazhduar në të gjitha strukturat e saj. Kam bindjen se ky angazhim PD-së dhe kjo platformë që paraqitet në këtë Kuvend Kombëtar në kushtet e emergjencës së krijuar nga grushti i shtetit brenda shtetit, nuk do të pengojë analizat e demokratëve për zgjedhjet e kaluara,” theksoi ai.

Në votimin për votë-besimin e ish-kryeministrit Berisha si kryetar i “Grupimit të Rithemelimit” morën pjesë një mijë delegate, nga të cilët vetëm 55 votuan kundër dhe shtatë vota u shpallën të pavlefshme.

Argita Malltezi – vajzë dhe aktiviste pa ambicie politike

Për herë të parë në një aktivitet politik të PD mori pjesë vajza e ish-kryeministrit Berisha, Argita Malltezi, bashkëshorti i të cilës, Jamarbër Maltezi ndodhet në arrest shtëpie i akuzuar për “korrupsion pasiv në bashkëpunim” nga SPAK-u lidhur me privatizimin e ish-Klubit Sportiv Partizani. Nën të njëjtën akuzë ndodhet edhe kryeministri Berisha ndaj të cilit që në tetorin e këtij viti Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (GJKKO) mori masën e sigurisë për paraqitje dy herë në muaj në policinë gjyqësore si edhe ndalimin e daljes jashtë Shqipërisë. Ish-kryeministri Berisha e konsideron antikushtetuese masën e sigurisë ndaj tij dhe ka refuzuar të paraqitet në policinë gjyqësore për t’u pyetur.

Ish-kryeministri Berisha tha se vajza e tij, Argita Malltezi, e mori fjalën si një aktiviste që në ditët e para të themelimit të PD-së.

“Është fjalimi i saj i parë publik në Kuvendin e PD-së po kjo nuk do të thotë asgjë më shumë se sa një fjalim në të cilën shprehu mendimet e saj si aktiviste e kësaj partie.” – tha Berisha.

Vetë Argita Malltezi theksoi se nuk kishte asnjë ambicie politike.

Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-kryeministrit, Sali Berisha, është arrestuar për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”. Ai dhe Sali Berisha akuzohen për “korrupsion pasiv në bashkëpunim”.