Belgjika filloi kryesimin e BE-së
Belgjika nga sot merr kryesimin gjashtëmujor të Presidencës së Bashkimit Evropian. Belgjika, vendi në të cilin edhe ndodhet selia e Bashkimit Evropian- Brukseli, dhe i cili ishte i pari që kishte rolin e kryesuesit kur ky sistem u vendos, do të kryesojë për të 13 herë me radhë, transmeton Alsat-M.
Kryesimi belg ndodh në kohën kur do të mbahen zgjedhjet evropiane, mes datave 6-9 qershor.
Qeveria belge ka premtuar se do të ketë kapacitete të duhura dhe fokusin e mjaftueshëm për ta kryer detyrën e kryesuesit të radhës me sukses, por nuk është e qartë nëse do të kthejë në shqyrtim aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, të dorëzuar në fund 2022 kur kryesimin e kishte Republika Çeke.
Qeveria e Belgjikës ka përmendur prioritetet, me të cilat do të merret gjatë gjashtë muajve.
“Presidenca belge do të monitorojë proceset që janë në vazhdim e sipër me të gjitha vendet relevante, në përputhje me metodologjinë ekzistuese, bazuar në qasjen e meritave individuale, dhe progresin e secilit kandidat në përmbushjen e kritereve të anëtarësimit. Do të inkurajojmë integrimin në BE duke promovuar reformat e domosdoshme transformative në fushat kyçe, posaçërisht sundimin e ligjit, institucionet demokratike, lirinë e mediave dhe të drejtat themelore”, thuhet në dokument.
Gjatë kryesimit të Belgjikës, më 1 maj 2024, do të shënohet 20-vjetori i zgjerimit më të madh të BE-së. Belgjika do të merret edhe me definimin e një agjende strategjike për zhvillimin e BE-së ku zgjerimi do të ketë një vend të rëndësishëm. Kjo “agjendë strategjike” do ta vendosë bazën për veprimin e BE-së 2024-2029.
Sa i përket procesit të zgjerimit të BE-së, gjatë kryesimit të Belgjikës, do të mund të nisin negociatat e aderimit me Ukrainën dhe Moldavinë. Bosnja e Hercegovina do të vlerësohet në mars 2024, për të parë nëse i ka përmbushur kushtet për të nisur negociatat e aderimit.