Bashkimi Evropian reagoi për mos-përmendjen e emrit kushtetues nga presidentja Davkova

Opinioni ndërkombëtar dhe një pjesë e aktorëve politikë vendorë reaguan publikisht pasi presidentja e re Gordana Siljanovska Davkova nuk e tha emrin kushtetues të shtetit në betimin e saj. Një veprim i tillë konsiderohet shkelje e Marrëveshjes së Prespës, e cila u ndërmjetësua nga Kombet e Bashkuara në vitin 2018 pas mosmarrëveshjes 28-vjeçare të emrit, transmeton Portalb.mk.

Derisa mediat greke mbushën faqet e para me këtë lëvizje të Siljanovska Davkovës, reagim erdhi edhe nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, e cila pasditen e 12 majit përmes rrjetit social X tha se Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojë me integrimin në BE duke zbatuar reformat dhe duke respektuar marrëveshjet e lidhura, përfshirë atë të Prespës.

“Që Maqedonia e Veriut të vazhdojë rrugën e saj të suksesshme drejt anëtarësimit në BE, është më e rëndësishme që vendi të vazhdojë në rrugën e reformave dhe respektimin e plotë të marrëveshjeve të saj detyruese, përfshirë Marrëveshjen e Prespës”, ​​ka shkruar Von Der Leyen.

Kryetari i Këshillit të Evropës, Charles Michel është shpehur i zhgënjyer me presidentin e re të Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova pasi e njejta nuk respektoi emrin kushtetues të shtetit.

Në rrjetin social X, Michel ka rikujtuar se marrëveshja e Prespës duhet të respektohet.

Reagimi i plotë:

Shumë zhgënjyese që presidentja e re e Maqedonisë së Veriut nuk përdori emrin kushtetues të vendit gjatë ceremonisë së sotme të betimit. BE rikujton rëndësinë e zbatimit të vazhdueshëm të marrëveshjeve ligjërisht të detyrueshme, përfshirë marrëveshjen e Prespës me Greqinë.

Një reagim i tillë erdhi vetëm pak orë pasi Von Der Leyen, përmes një postimi në të njëjtin rrjet social, e uroi Siljanovska Davkovën që u bë presidentja e parë grua e Maqedonisë së Veriut.

Një reagim zyrtar, në formë deklarate, ka ardhur edhe nga Ministria e Jashtme e Greqisë.

“Ky akt është shkelje flagrante e Marrëveshjes së Prespës dhe Kushtetutës së vendit tonë fqinj, e cila është në përputhje me detyrimet ndërkombëtare të Maqedonisë së Veriut. Me gjithë kundërshtimet që ka shprehur si parti opozitare gjatë ratifikimit të Marrëveshjes së Prespës, qeveria aktuale greke, ashtu siç është ratifikuar, ka respektuar marrëveshjen ndërkombëtare, e cila mbizotëron mbi çdo dispozitë tjetër ligjore”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme greke.

Në këtë kontekst, Greqia thekson kategorikisht se përparimi i mëtejshëm në marrëdhëniet dypalëshe me Maqedoninë e Veriut, si dhe përparimi në kursin evropian, varet nga zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Prespës dhe kryesisht nga përdorimi i emrit kushtetues të vendit.

Ministri aktual i Drejtësisë në qeverinë në largim, Krenar Lloga, pretendon se betimi i Siljanovska Davkovës është i pavlefshëm.

“Mos respektimi i emrit kushtetues të shtetit e bën të pavlefshëm betimin e Siljanovskës”, thotë Lloga dhe shton se në një rast të tillë ose duhet të përsëritet procedura ose pozita e kryetarit të shtetit të merret nga kryetari i Kuvendit Jovan Mitrevski, si U.D.

Ndërkohë edhe kolaicioni Vlen, si partner i ardhshëm në Qeverinë e Mickoskit, ka shprehur shqetësim për siç thonë ndikimin e emocioneve të fushatës zgjedhore në racionalitetin e hapave të parë në realpolitikë.

“Ne i kuptojmë ndjenjat e popullit maqedonas, por nuk ka shans të dytë për një përshtypje të parë për kreun e ri të shtetit. Presidenti i Republikës duhet të jetë shembull i respektimit të Kushtetutës, sidomos kur bëhet fjalë për një profesoreshë të së Drejtës Kushtetuese. Maqedonia e Veriut është anëtare fuqiplotë e Aleancës së NATO-s dhe negociatat me BE-në kanë filluar, por ndryshimet kushtetuese na presin përpara për të vazhduar në rrugën evropiane. Ne nuk kemi nevojë për hapjen e plagëve të vjetra. Ndaj është mirë që presidentja e re nënshkroi betimin me emrin kushtetues, që është ende një shenjë se realiteti de facto pranohet prej saj”, thuhet në reagimin e VLEN-it.

Ndryshe, ambasadorja e Greqisë në Maqedoninë e Veriut, Sofia Filipidou, e ftuar në seancën e Kuvendit për betimin e Gordana Silijanovska, u largua në protestë kur Siljanovska Davkova tha “Maqedoni” në vend të “Republika e Maqedonisë së Veriut”.

A do të hyjë në fuqi urdhri ekzekutiv i SHBA-së për sanksionimin e individëve që punojnë kundër Marrëveshjes së Prespës?

Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, pikërisht një muaj më parë, në një prononcim për Zërin e Amerikës deklaroi se SHBA pret që Maqedonia e Veriut të ruajë frymën e Marrëveshjes së Prespës dhe që diskursi publik të jetë i bazuar në fakte.

“Ashtu si Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj Marrëveshjes së Prespës, ne presim që Maqedonia e Veriut ta ruajë këtë frymë dhe diskursi publik të mbetet i bazuar në fakte dhe i rrënjosur në një përkushtim për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut në BE,” u përgjigj një zëdhënës i Departamentit të Shtetit kur u pyet nëse SHBA-të janë të shqetësuara për cenimin e mundshëm të Marrëveshjes së Prespës.

Në vitin 2021, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, nënshkroi një urdhër ekzekutiv, i cili parashikon ngrirjen e aseteve dhe ndalimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara të personave që punojnë kundër Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, përkatësisht personave të cilët cenojnë paqen dhe sigurinë e vendeve nga Ballkani Perëndimor.

Bëhet fjalë për një dokument të titulluar “Urdhër Ekzekutiv për të bllokuar pasuritë dhe pezulluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara të personave të caktuar që kontribuojnë në situatën destabilizuese në Ballkanin Perëndimor”.

Më pas Departamenti i Shtetit sqaroi se urdhri ekzekutiv nuk vlen vetëm për personat në vendet e Ballkanit Perëndimor që kërcënojnë Marrëveshjen e Prespës, por edhe në vende të tjera. Urdhri ekzekutiv autorizon sanksione kundër atyre që minojnë stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, kudo që ndodhen, me kusht që të plotësojnë kriteret përkatëse të synimit.

Edhe në paragrafin e parë të Urdhrit Ekzekutiv, sanksionet janë përcaktuar, ndër të tjera, në rastin e mëposhtëm:

“Të jesh përgjegjës ose bashkëpunëtor, ose drejtpërdrejt ose tërthorazi i përfshirë në, shkeljen, ose një akti që pengon ose kërcënon zbatimin e çdo marrëveshjeje për sigurinë rajonale, paqen, bashkëpunimin ose njohjen reciproke ose kornizën ose mekanizmin e llogaridhënies në lidhje me Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë Marrëveshja e Prespës 2018; Marrëveshja Kornizë e Ohrit e vitit 2001”.

Lideri i VMRO-DPMNE-së dhe me gjasë mandatar i ri i qeverisë së re, Hristijan Mickoski, në duelin parazgjedhor me liderin e LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, tha se nëse zgjidhet kryeministër do t’i referohet vendit vetëm si “Maqedoni”, pavarësisht Marrëveshjes së Prespës nga viti 2018, e cila zgjidhi mosmarrëveshjen me Greqinë për emrin e vendit. Kjo për paraardhësin e Siljanovska Davkovës, Stevo Pendarovski, do të thotë se vendi do të përjashtohet nga Aleanca e NATO-s.

Ajo që në fushatën parazgjedhore kishte sqaruar që do të mundohet të shmang emrin e ri zyrtar të shtetit, për çka kishte reaguar edhe pala greke.