BEI dhe Komisioni Evropian do të trefishojnë mbështetjen këshillimore për Ballkanin Perëndimor

Falë marrëveshjes së njoftuar nga Banka Evropiane e Investimeve (BEI) dhe Komisioni Evropiannë takimin e palëve të interesuara  të Jaspers, të organizuar në Bruksel, Banka do të jetë në gjendje të trefishojë ndihmën e saj këshillimore për Ballkanin Perëndimor dhe mundësisht edhe Turqinë. Mbështetja do të ofrohet në kuadër të programit të përbashkët të institucioneve JASPERS, duke e çuar buxhetin në vlerën më të madhe deri më sot prej 20 milionë euro për asistencë teknike dhe rritjen e kapaciteteve të ekspertëve , gjatë gjashtë viteve të ardhshme.

“Kjo marrëveshje e re angazhon burime në nivel rekord për të mbështetur procesin e zgjerimit të BE-së, duke ndihmuar vendet të përgatisin strategji, plane dhe investime jetike, duke rritur kapacitetet e tyre për përgatitjen dhe zbatimin e projekteve. Kjo mbështetje e shtuar këshillimore e BEI-t do t’u lejojë partnerëve tanë në Ballkanin Perëndimor të zbatojnë në mënyrë efikase më shumë projekte në kuadër të planit ekonomik dhe investimeve të BE-së, duke ndjekur prioritetet e politikës së BEI-t”, deklaroi zëvendëspresidentja e BEI-t, Teresa Czerwińska.

“Në kudër të krahut tonë të përkushtuar për aktivitete jashtë BE-së – BEI Globale, përmes shërbimeve këshillimore të BEI-t dhe Komisionit Evropian, ne jemi të vendosur të sigurojmë një të ardhme të qëndrueshme për njerëzit në vendet fqinje të BE-së, t’i ndihmojmë ata të përparojnë me reformat, rritjen ekonomike dhe masat për klimën”, shtoi ajo. 

  • Institucionet ranë dakord për alokimin e buxhetit më të madh deri më sot për shërbimet këshillimore të BEI-t në rajon në kuadër të programit Jaspers, që arrin vlerën 20 milionë euro
  • Me shtimin e këtyre shërbimeve, Banka synon të mbështesë procesin e zgjerimit përmes përgatitjes së projekteve dhe strategjive të qëndrueshme
  • Që nga viti 2005, mbështetja këshillimore në kuadër të programit JASPERS mobilizoi mbi 317 miliardë euro investime për qindra projekte të reja në 27 vende.

Që nga viti 2005, programi këshillimor i BEI-t, JASPERS, është zbatuar në 27 vende dhe ka mbështetur përgatitjen e qindra projekteve me vlerë mbi 317 miliardë euro në fushat e transportit të qëndrueshëm, mbrojtjes së mjedisit, novacionit, kujdesit shëndetësor dhe tranzicionit të gjelbër brenda dhe jashtë BE-së.

Mathieu Bousquet, drejtor i komanduar në Drejtorinë e Përgjithshme për Negociatat e Fqinjësisë dhe të Zgjerimit (DG NEAR), Komisioni Evropian, tha:

“Ne jemi shumë të kënaqur për nënshkrimin e një marrëveshjeje të re kontributi me BEI-n për vazhdimin e mbështetjes këshillimore JASPER në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi. Nëpërmjet JASPERS, ne vazhdojmë të mbështesim përfituesit e IPA në rrugën e tyre drejt BE-së përmes përgatitjes dhe zbatimit të projekteve infrastrukturore që janë teknikisht të shëndosha, të qëndrueshme për mjedisin, si dhe ekonomikisht e financiarisht të qëndrueshme. Vlen të theksohet se JASPERS gjithashtu këshillon vendet anëtare të BE-së për investime dhe përgatitjen në proceset e mëparshme të anëtarësimit. Jam i bindur se shërbimet këshillimore të ofruara nga JASPERS do të vazhdojnë të sjellin një ndikim pozitiv social dhe përfitime ekonomike për qytetarët. Ne presim të kontribuojmë në reduktimin e kohës së udhëtimit, rritjen e disponueshmërinë dhe aksesit në ujë të pijshëm, energji të pastër, si dhe të aksesit në infrastrukturë të sigurt digjitale, arsim efikas, energji dhe infrastrukturë të kujdesit shëndetësor. Kjo është vijim i drejtpërdrejtë i mbështetjes sonë më parë në rajon dhe i punës së vazhdueshme të kryer në Partneritetin Lindor nga “EPIC”. Asistenca JASPERS zbatohet në linjë me prioritetet e sektorit, të theksuara në ‘Global Gateway’ të BE-së, planet ekonomike dhe të investimeve dhe agjendën e gjelbër për Ballkanin Perëndimor”.

Duke qenë aktive në Ballkanin Perëndimor që nga viti 2011, marrëveshja e fundit bazohet në suksesin e mbi njëqind detyrave këshillimore të JASPERS për përgatitjen e projekteve me vlerë 9 miliardë euro në sektorët e transportit, ujësjellësit, mbetjeve dhe efikasitetit energjetik. Një shembull i një mbështetjeje të tillë është përgatitja e planit të ngritjes së kapaciteteve për hekurudhat shqiptare, që rezultoi në alokimin e një granti investimi me vlerë 136 milionë euro në kuadër të kornizës së investimeve të Ballkanit Perëndimor, me qëllim rehabilitimin e linjës hekurudhore nga Vora deri në kufirin me Malin e Zi.

Aktiviteti theksoi gjithashtu ndihmën e shtuar të JASPERS për Ukrainën, Moldavinë dhe vendet e tjera të partneritetit lindor të BE-së. Nëpërmjet një instrumenti të dedikuar të investimeve të partneritetit lindor në konektivitet (EPIC), këto vende kanë marrë mbështetjen këshillimore JASPERS me qëllim përmirësimin e lidhjes së transportit si brenda rajonit të Partneritetit Lindor ashtu edhe ndërmjet vendeve partnere dhe BE-së, me një fokus të fortë në rrjetin e zgjeruar transevropian të transportit (TEN-T).

Që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, janë krijuar korsi solidariteti BE-Ukrainë për të lehtësuar eksportet e grurit nga Ukraina për tek vendet në nevojë, si dhe për të përmirësuar lidhjen e transportit të Ukrainës dhe Moldavisë me BE-në në kuadrin afatgjatë. Në partneritet me Komisionin Evropian, JASPERS zhvilloi një strategji për integrimin në BE të sistemeve hekurudhore të Ukrainës dhe të Moldavisë. Ekspertët e programit ndihmuan gjithashtu në sigurimin e financimit për instrumentin e BE-së për lidhjen e Evropës me qëllim krijimin e vendkalimeve kufitare, duke mundësuar transport më të shpejtë dhe me kapacitet më të lartë të mallrave.