“Apostulli”, vëllimi i parë i një biografie të re për Fan Nolin nga Ilir Ikonomi

Ilir Ikonomi është gazetar i njohur dhe po ashtu autor librash historik. U lind në Pogradec më 1 shtator 1954 dhe e kaloi fëmijërinë në Tiranë dhe Berat. Kreu studimet e larta për gjuhë kineze në Pekin (1978). Punoi si përkthyes në Radio Tirana (1978-1991), pastaj si gazetar për agjencinë e lajmeve Reuter. Prej vitit 1992 jeton në SHBA dhe punon për VOA (Zëri i Amerikës). Është autor i librit “Faik Konica, jeta në Uashington”, Esat Pashë Toptani- Njeriu, lufta , pushteti’’ , ‘’ Pavarësia – Udhëtimi i paharruar i Ismail Qemalit ‘’, ‘’ Pushtimi ‘’ . Kësaj radhe hedh dritë mbi një tjetër personalitet të rëndësishëm të shqiptarëve, Fan Nolin. Për Portalb.mk sjellim një bisedë me të dhëna mbi vëllimin e parë mbi këtë jetë shkrim. Promovimi u bë të martën, më 7 nëntor, ora 13:00 në Universitetin Evropian të Tiranës.

kopertina e librit
Kopertina e librit

‘’Libri “Apostulli” jep një përshkrim me ngjyra të gjalla të Fan Stilian Nolit, në periudhën që fillon nga arritja e tij në Amerikë më 1906 e deri në vitin 1920, kur ai largohet për në Shqipëri.

Gjatë kësaj kohe të rëndësishme, Noli themeloi Kishën Shqipe, Shoqërinë “Besa-Besën”, gazetën “Dielli” dhe, bashkë me Faik Konicën e të tjerë, krijoi Federatën “Vatra”, e cila do të shërbente si një qeveri shqiptare në mërgim.

Në libër do të gjeni fakte të reja për Nolin, njërin prej shqiptarëve më të ditur dhe më interesantë që kanë ekzistuar ndonjëherë. Çdo e dhënë është rreptësishtë e dokumentuar.

Për të shkruar librin kam bërë kërkime në shumë arkiva e biblioteka dhe jam këshilluar me historianë e specialistë të tjerë.

Koha që pasqyron ky vëllim nuk ishte aspak një fushë e gjelbër pikniku, por një shesh beteje, ku Noli jo domosdo gëzonte mbështetjen e të gjithëve. Jam përpjekur që lexuesi të mos e shijojë librin si një fotografi, por si një film, ku personazhet debatojnë, përplasen, rrëzohen e ringrihen.

Libri ka një parathënie të shkruar nga historiani i mirënjohur amerikan Bernd Fischer, është i pajisur me shënime në fund të faqeve, me fotografi dhe me një tregues emrash. Ballina është punuar nga Besnik Frashni, UET Press. Ka 430 faqe.’’

kopertina e librit
Kopertina e librit

Portalb: Çka keni konsultuar për përpilimin e librit “Apostulli”?

Ilir Ikonomi- Ky është vetëm libri i parë i biografisë së Nolit. Kam konsultuar të gjitha burimet e mundshme, kryesisht Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë, Arkivin Amerikan, Arkivin e Ministrisë së Jashtme Austriake, Bibliotekën e Kongresit në Uashington, Bibliotekën Noliane në Boston dhe publikime të tjera të rralla. Ka edhe shumë libra dhe burime të tjera të njohura që njerëzit i përmendin shpesh nëpër rrjete sociale, por ndryshimi është se unë i jap ato si dokumente të lidhura me sfondin historik të kohës, e jo si materiale të veçuara.

Portalb: Hedh dritë mbi gjëra të reja?

Ilir Ikonomi– Po. Në libër ka shumë gjëra të reja ose gjëra për të cilat është folur pak ose aspak. Çdo kapitull sjell diçka të re, por më e rëndësishmja është se dokumentet dhe faktet e reja vijnë në një kontekst të ri dhe jo si gjetje anekdotike dhe të palidhura, si ato që shpërndajnë zakonisht njerëzit nëpër rrjetet sociale.

Portalb: Cili është fakti më interesant mbi jetën e tij që ju e keni zbuluar?

Ilir Ikonomi- Për shembull qëndrimi i Nolit në Austri mes viteve 1913-1915 ka qenë pothuajse i paeksploruar dhe unë ua sjell lexuesve si një befasi, që i ndihmon të kuptojnë më mirë pikëpamjet e tij për të kundërshtuar kishën ortodokse greke dhe për të ngritur një kishë kombëtare shqiptare në Shqipërinë e asaj kohe. Për fat të keq, këto plane të Nolit dështuan.

Portalb: Noli do martohej nëse do gjente një grua të mirë shqiptare?

Ilir Ikonomi- Noli përpiqej të gjente një priftëreshë, para se të bëhej prift. I kërkoi komunitetit shqiptar në Rumani dhe në Egjipt, por ishte e vështirë, sepse duheshin para për ta sjellë priftëreshën në Amerikë. Ndërkaq, shqiptarët që vinin aso kohe në Amerikë ishin kryesisht meshkuj. Ata vinin për të bërë punë të rënda dhe për t’i dërguar fitimet në vendlindje. Më vonë, në Amerikë, në vitin 1919, Noli do të vetëshpallej peshkop. Në atë kohë ai ishte 37 vjeç. Peshkopët ortodoksë nuk martohen, kështu që planet e mëparshme për martesë dështuan gjithsesi. Përfundimisht, Noli u bë peshkop i rregullt në Shqipëri, në vitin 1923, pra mbeti i pamartuar deri në fund të jetës.

kopertina e librit
kopertina e librit

Portalb: Besimi i tij ishte i nxitur nga kombëtarizma apo thjesht, arsye religjioze?

Ilir Ikonomi– Është e pamundur të kuptosh besimin dhe bindjet e njeriut. Sigurisht, ai ishte religjioz në shpirt, por edhe diti ta vinte fenë në shërbim të çështjes kombëtare. Ai ngulte këmbë që shqiptarët të kishin priftërinj kombëtarë, d.m.th. shqiptarë atdhedashës dhe ky ishte ndryshimi i kishës shqipe që ai themeloi në vitin 1908 dhe asaj greke që dominonte ortodoksinë në Shqipëri. Një ndër qëllimet që ai ngriti kishën shqipe, ishte t’i tregonte botës se të jesh ortodoks nuk do të thotë të jesh patjetër grek. Me këtë propagandë ai ndikoi që të ndaleshin planet e Greqisë për të aneksuar Shqipërinë e jugut, që ata e konsideronin si greke dhe ku jetonin shqiptarët ortodoksë.

Portalb: E keni trajtuar raportin Konica dhe Noli?

Ilir Ikonomi- Sigurisht. Konica shkoi në Amerikë në tetor 1909 dhe aty dy burrat patën rast të takoheshin për herë të parë. Të dy ishin mjaft të kulturuar, shumë më tepër se të tjerët dhe kishin shumë ç’të bisedonin. Kjo i lidhi në një miqësi të ngushtë.

Portalb: Noli u adaptua mirë në Amerikë, cilat janë gjurmët që la atje?

Ilir Ikonomi– Gjurmët e tij janë kryesisht tek shqiptarët e Amerikës. Ai themeloi shoqërinë Besa-Besën, kishën shqipe, gazetën Dielli dhe Federatën Vatra. Veç kësaj, luftoi fort për mbrojtjen e tërësisë së Shqipërisë në konferencën e paqes në Paris. Ndonëse nuk ishte vetë në konferencë, puna dhe ndikimi i tij u ndjenë mjaft. Ai u bë një personalitet i shquar i shqiptarëve të Amerikës. Noli la edhe shumë punime historike e letrare si dhe shqipërime që edhe sot mund të merren si shembull i bukurisë, elegancës dhe njohjes së thellë të letërsisë e historisë botërore.