BE-ja u dakordua të bllokoj për një kohë të pacaktuar asetet ruse
Bashkimi Evropian ka rënë dakord të imobilizojë asetet e Bankës Qendrore të Rusisë, një element kyç i skemës së huasë së reparacioneve për Ukrainën, që ende është në negociata intensive përpara një samiti vendimtar javën e ardhshme, transmeton Euronews.
Me këtë veprim, BE-ja bllokon asetet nën juridiksionin e saj për një kohë të pacaktuar, mes frikës se Shtetet e Bashkuara mund të kërkojnë kontroll mbi fondet ruse dhe t’i përdorin ato në një marrëveshje të ardhshme me Moskën për t’i dhënë fund luftës.
Imobilizimi afatgjatë u miratua nga ambasadorët të enjten pasdite në bazë të Nenit 122 të traktateve të BE-së, i cili kërkon vetëm shumicë të kualifikuar të shteteve anëtare dhe anashkalon Parlamentin Evropian.
Ligji ndalon kthimin e 210 miliardë eurove të aseteve te Banka Qendrore e Rusisë. Pjesa më e madhe e aseteve, 185 miliardë euro, mbahet në Euroclear, një depozitë qendrore titujsh në Bruksel. 25 miliardët e mbetur ruhen në banka private.
Deri tani, fondet ishin të bllokuara nën një regjim standard sanksionesh, i cili varet nga unanimiteti i 27 shteteve dhe është i ekspozuar ndaj vetove individuale.
Por javën e kaluar, Komisioni Evropian propozoi përdorimin e Nenit 122 për t’i mbajtur asetet larg Rusisë për një të ardhme të pacaktuar. Ky nen është përdorur më parë për t’u përballur me emergjenca ekonomike, si pandemia e COVID-19 dhe kriza energjetike.
Në një interpretim të ri, Komisioni argumentoi se tronditjet e shkaktuara nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia kanë krijuar një “ndikim serioz ekonomik” për BE-në si tërësi, duke shkaktuar “çrregullime serioze të furnizimit, pasiguri më të lartë, rritje të rrezikut financiar, më pak investime dhe konsum”, si edhe sulme të shumta hibride në formën e dronëve, sabotazheve dhe fushatave të dezinformimit.
“Ndalimi i transferimit të fondeve drejt Rusisë është i domosdoshëm për të kufizuar dëmin ndaj ekonomisë së Bashkimit”, thuhet në hyrje të propozimit.
Sipas ndalimit, 210 miliardë eurot do të lirohen vetëm kur veprimet e Rusisë “të kenë pushuar objektivisht së paraqituri rreziqe të konsiderueshme” për ekonominë evropiane dhe kur Moska të ketë paguar reparacionet ndaj Ukrainës “pa pasoja ekonomike dhe financiare” për bllokun.
Për lirimin e fondeve do të kërkohet një shumicë e re e kualifikuar.
“Neni 122 ka të bëjë esencialisht me vendosjen e imobilizimit të aseteve në një bazë më të qëndrueshme, në mënyrë që të mos shtyhet çdo gjashtë muaj”, tha të enjten një diplomat i lartë, duke folur në kushte anonimiteti.
“Këshilli Evropian tashmë ka vendosur që kjo duhet të bëhet, që asetet të mbeten të imobilizuara derisa Rusia të ketë paguar dëmet e luftës, prandaj mund të thuhet se vendimi i bazuar në nenin 122 është zbatimi i atij vendimi të Këshillit Evropian”, tha zëdhënësi.