Aeroporti i Shkupit përcolli pasagjerin e tre miliontë
Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit sot priti pasagjerin e tre miliontë brenda një viti të vetëm. Kjo, siç tha zëvendëskryeministri dhe Ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski, po ndodh për herë të parë në historinë e trafikut ajror në vend, transmeton Portalb.mk.
Sipas tij, Aeroporti i Shkupit tashmë po bëhet një qendër për të gjithë rajonin, ku ka një rritje të vazhdueshme të pasagjerëve, numri i turistëve po rritet dhe biznesit i ofrohen komunikime dhe lidhje më të mira.
Nikolloski, së bashku me menaxhmentin e TAV Maqedoni, mori pjesë në ceremoninë në të cilën Milena Taskova u përcoll në fluturimin e saj Shkup-Bari, duke u bërë pasagjerja e tre miliontë në Aeroportin e Shkupit.
“Jam i lumtur që kjo familje që udhëton sot për në Bari ka fatin e mirë të jetë pasagjerja e tre miliontë në Aeroportin e Shkupit. Nëse e krahasojmë me diçka që ndodhi 10, 20 dhe 30 vjet më parë, kjo do të ishte e paimagjinueshme. Me këtë, Aeroporti i Shkupit po bëhet një qendër për të gjithë rajonin”, tha zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit.
Ai theksoi se që nga shtatori i vitit të kaluar, ka pasur 21 destinacione të reja nga aeroportet e Shkupit dhe Ohrit, që është numri më i madh i prezantuar nga çdo vend në rajon.
“Prandaj, numrat nuk janë të rastësishëm dhe nuk është rastësi që aeroporti i Shkupit përfundoi me 3.2 milionë pasagjerë, dhe Ohri me mbi 300,000 pasagjerë, dhe deri në fund të vitit presim të kemi mbi 3.5 milionë pasagjerë”, thotë Nikolloski.
Këtë vit, sipas tij, ka pasur rritje të vazhdueshme, gjegjësisht në nëntor arriti në 25 përqind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, që do të thotë se numri i pasagjerëve që udhëtojnë nga aeroportet maqedonase është rritur me një të katërtën.
Ai njoftoi se nga 6 prilli i vitit të ardhshëm do të fillojnë linjat ajrore Shkup – Napoli dhe Shkup – Budapest, dhe nga 28 qershori do të fillojë edhe linja Ohër – Katovicë, Ohër – Vroclav, Ohër – Milano, si dhe linja e rregullt Ohër – Vjenë e “Austrian Airlines”.
Me të gjitha linjat dhe aktivitetet e reja, shpresohet që vitin e ardhshëm në këtë kohë në Aeroportin e Shkupit të ketë 3.5 milionë pasagjerë.
Menaxhmenti i operatorit të aeroportit i dhuroi pasagjerit të tre milionët shërbime falas aeroportuale nga kompanitë simotra të TAV dhe dy bileta falas nga Wizz Air.
Nexhat Kurt, drejtor i Përgjithshëm i TAV Maqedoni, tha se që nga viti 2010, kur morën përsipër menaxhimin e aeroporteve, numri i pasagjerëve është pesëfishuar.
“Viti i parë i operimit në vitin 2010 përfundoi me 674,000 pasagjerë në Aeroportin e Shkupit, në vitin 2014 arritëm në milionin e parë, dhe në vitin 2018 patëm pasagjerin e dy milionët. Sot kemi pasagjerin e tre milionët”, tha ai.