BE-ja e mori të mirëqenë deklaratën e kryeministrit serb për zbatimin e marrëveshjes bazë

Bashkimi Evropian është kritikuar për qasjen ndaj Serbisë. Derisa muaj më parë, nuk reagoi ndaj mohimit të marrëveshjes së Brukselit nga kryeministri Milos Vuçeviq, Brukseli e ka marrë të mirëqenë një deklaratë të re të tij për zbatimin e dokumentit. Këtë e ka cilësuar si përkushtim të ri të Beogradit për normalizimin e raporteve me Kosovën, raporton Koha.net.

Një deklaratë e kryeministrit të Serbisë, Milos Vuçeviq, e bërë muajin e shkuar është marrë si garanci nga Bashkimi Evropian për zbatimin e marrëveshjes së arritur me Kosovën.

Në Bruksel refuzuan ta publikojnë përmbajtjen e letrës së ish-kryeministres serbe, Ana Bërnabiq, në të cilën theksohet se Beogradi nuk i zbaton disa nga pikat, dhe as atë të kreut të ri të Qeverisë së Serbisë, por letrën e fundit e vlerësuan si sinjal për përkushtim në normalizim të raporteve me Kosovën.

“Nuk i diskutojmë apo shpalosim letërkëmbimet. Në përgjithësi, ne mirëpresim që edhe Kosova edhe Serbia janë riangazhuar publikisht për procesin e normalizimit të marrëdhënieve. Në rastin e Serbisë, kryeministri Vuçeviç deklaroi më 9 tetor se Serbia rikonfirmon përkushtimin e saj për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe zotohet se do të angazhohet në mënyrë konstruktive në atë proces në mënyrë që ai të përparojë shpejt. Në këtë kontekst, Serbia angazhohet të zbatojë plotësisht të gjitha detyrimet e saj përkatëse që dalin nga Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksi i Zbatimit të saj, si dhe nga të gjitha marrëveshjet e mëparshme të dialogut, ka thënë zëdhënësja e BE-së, Nabila Massarali.

Detajet e zbatimit do të diskutohen në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Është thelbësore që përfundimisht të ecim përpara në zbatimin e marrëveshjeve të dialogut, në të mirë të qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë”.

Në takimin e fundit të zhvilluar në Bruksel, kryenegociatori Besnik Bislimi, tha se ka dëgjuar nga Serbia se, përmes një letre, kryeministri Vuçeviq ka shprehur gatishmëri për zbatimin e obligimeve të dala nga marrëveshja bazike.

Por letra nuk shihet nga pala kosovare si tërheqje nga ajo e dhjetorit të vitit të shkuar nga ish-kryeministrja Bërnabiq.

Për dallim nga deklarata e muajit tetor, të cilën e cituan në BE, kryeministri serb Vuçeviq, në korrik të këtij viti, në Kuvendin e Serbisë, ka deklaruar se ky shtet nuk e pranon marrëveshjen dhe çfarëdo gjëje që nënkupton njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Në atë kohë, për deklaratën e Vuçeviqit nuk pati reaguar BE-ja.

Sipas ekspertit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Akri Çipa, blloku evropian duhet të ndalojë së anashkaluari deklaratat e veprimet e Serbisë.

“Nëse deri më sot BE-ja ka preferuar karotën si bastun kundrejt Serbisë ka ardhur momenti  për ta ndryshuar këtë raport për shkak se jo vetëm që i ka dhënë mundësinë Beogradit të mos përballet me përgjegjësitë dhe angazhimet e ndërmarra por i ka dhënë edhe ambicie për të qenë më agresiv në qasjen qoftë ndaj dialogut, qoftë ndaj Kosovës veçanërisht, por edhe fqinjëve të tjerë  në rajon”, është shprehur ai.

Kosova dhe Serbia kanë pranuar verbalisht marrëveshjen bazë në shkurt të vitit të shkuar. Por, ajo nuk ka gjetur zbatim deri tash.