BE-ja dhe Ballkani në krizën e sigurisë ruse

Rusia vazhdon me kërcënime të reja ndaj shteteve të BE-së. Ndërkohë, planet e emergjencës së shteteve evropiane janë në proces të përditësimit. Udhëheqësit e Komunitetit Politik Evropian (EPC) rënë dakord për luftën, ekonominë dhe disa probleme të tjera gjatë Samitit në Kopenhagë. Tani, çfarë vjen pas fjalëve dhe deklaratave nga BE-ja? Më saktë shtetet evropiane duhet të bëjnë më shumë në rritjen e kapaciteteve të prodhimit të armëve? Kapacitetet prodhuese dhe rekurtimi i rregullt mbeten si opsione më të mira për shtetet evropiane. Prandaj, kjo do të thotë që planet e emergjencës duhet të marrin formë dhe të jenë gati në rast sulmi nga Rusia.

Për udhëheqësit nga e gjithë Evropa që u mbodhën në Danimarkë, kritikët thanë se vendimet e fundit, duhet të përkthehen në masa konkrete ndaj Rusisë. Kështu Kaja Kallas, përfaqësuese e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri tha se Rusia po shkakton dëme të jashtëzakonshme në Ukrainë.

“Nuk është e drejtë që dikush tjetër të paguajë për to. Në Këshillin Evropian do të diskutojmë një kredi dëmshpërblimi, të mbështetur nga asetet e ngrira ruse, për të ndihmuar Ukrainën”.

Megjithatë, ashtu siç informoi agjencia gjermane e lajmeve DPA, udhëheqësit e BE-së kanë disa vështirësi në arritjen e një marrëveshjeje mbi asetet ruse për shkak të dilemave të sigurisë dhe mbrojtjes. Disa shtete të BE-së janë zotuar të mos bëjnë gjë rreth aseteve ruse pa një vendim unanim.

Kancelari gjerman Friedrich Merz tha të enjten se pret një vendim brenda javëve të ardhshme, pavarësisht kritikave nga Belgjika. “Kemi pasur një diskutim shumë intensiv në lidhje me përdorimin e aseteve ruse për të ndihmuar më tej Ukrainën”, tha kancelari Merz. Mirëpo, kryeministri belg Bart Dewever kritikoi ashpër planet e paraqitura nga kacelari gjerman Merz dhe presidentja e Komisionit Evropian (KE) Ursula von der Leyen për të përdorur fondet e bllokuara ruse që aktualisht arrijnë deri në 210 miliardë euro. Nuk janë vetëm këto shqetësime e mosmarrëveshje në mes shteteve evropiane. Dilemat vazhdojnë edhe në çështje të tjera mbi anëtarësimin e Ukrainës dhe Molldavisë në BE. Presidenti ukrainas Vlodymyr Zelensky tha se vendi i tij është gati të nisë të negociatet e pranimit në BE, duke shtuar se ky anëtarësim do të shkonte në favor të sigurisë evropiane. Nga ana tjetër kryeministri i Hungarisë Victor Orban njoftoi se “BE-ja ka vendosur të shkojë në luftë”. Ata (BE) paraqitën strategjinë e tyre të luftës se si t’i mposhtin rusët. Orban i cilësoi planet e BE-së si një gjë të tmerrshme.

Shtetet e BE-së ka kohë që janë duke i rishikuar planet e emergjencës që tregojnë për një konfrontim të mundshëm me Rusinë. Kohë më parë BE-ja u bëri thirrje qytetarëve të grumbullojnë ushqime, ujë dhe gjëra të tjera thelbësore për të paktën 72 orë, pasi lufta, sulmet kibernetike, ndryshimet klimatike dhe sëmundjet e ndryshme rrisin shanset për një krizë.  Kështu zyrtarët e lartë evropainë kanë shfaqur drojë se në rast konfrontimi me Rusinë, numri i saktë i të plagosurëve dhe viktimave do të varet nga intensiteti i luftimeve.

“Realisht, po flasim për një shifër prej rreth një mijë trupash të plagosur në ditë”, ka thënë një zyrtarë i lartë gjerman për agjencinë Reuters. Gjermania nuk është i vetmi vend që rrit planifikimin për viktima masive përballë një lufte me Rusinë. Finlanda, Suedia, Danimarka, Polonia dhe shtetet balltike, gjithashtu po përgatiten për të gjitha skenarët e mundshëm. Franca gjithashtu i ka vendosur spitalet e saj në gatishmëri lufte. Prodhimi ushtarak në rritje i Rusisë sipas BE-së përbën një kërcënim që mund të vijë aty para 2029. Sipas shefit të mbrojtjes së Gjermanisë, gjeneralit Carsten Breuer kjo është ajo që po vlerësojnë analistët deri në në vitin 2029. “Ne duhet të jemi gati deri në vitin 2029,” tha ai. “Nëse më pyetni tani, a është kjo një garanci që nuk do të ndodhë më herët se viti 2029? “Do të thoja jo, nuk është. Pra, ne duhet të jemi në gjendje të luftojmë”.

Në Britani të Madhe, zyrtarët qeveritarë po përditësojnë planet e emergjencës në rast të një sulmi ajror rus. Ish-komandanti i NATO-s, koloneli Hamish de Bretton-Gordon, tha për gazetën “The Sun” se “Britania është në shënjestër të Putinit dhe ne jemi ata që ka të ngjarë të sulmohemi të parët.

“Britania me të vërtetë duhet të heqë pluhurin nga planet e saj të emergjencës”, tha ai. Në këtë drejtim, KE ka prezantuar strategjinë e unionit. Sipas KE-së, strategjia synon të rrisë gatishmërinë civile dhe ushtarake të BE-së për krizat e ardhshme. Strategjia është vetëm një dokument, që synon të ndihmojë shtetet anëtare në transformimin e forcave të armatosura, duke u mbështetur në programet ekzistuese industriale të mbrojtjes, në investime për të fituar aftësi të nivelit të lartë në fusha kritike si ajo detare, tokësore, ajrore etj. Shtetet anëtare të BE-së dhe ato në proces të anëtarësimit, duhet të përqëndrohen në një treg të përbashkët në shërbimet e mbrojtjes me fokus rritjen e kapaciteteve të mbrojtjes dhe prokurimit të përbashkët. Se sa do t’ia arrijë BE-ja këtu mbetet për tu parë. Një rast i mirë është tani kur dronë dhe avionë ushtarakë rus kanë shkelur hapësirën ajrore të NATO-s. Shtetet anëtare kanë mundësi të punojnë bashkë dhe të shpenzojnë në fushën e mbrojtjes, sulmit etj.

Planet e BE-së për krizë dhe luftë janë disa. Mund të fillojmë me planin “Gatishmëria 2030” ndryshe i quajtur “ReArmEurope”, 2025. Plani synon të arrijë një buxhet deri në 800 miliardë euro në shpenzime mbrojtëse deri në vitin 2030. Frika nga pushtimi i mundshëm rus ka shtyrë KE të shkojnë përtej, duke kërkuar një bashkëveprim të kujdeshëm në grumbullimin e stoqeve dhe prokurimin e përbashkët, duke plotësuar strategjitë e NATO-s. Përveç “ReArmEurope”, KE-ja ka në disponim edhe programe të tjera si: “Kapaciteti i Zbatimit të Shpejtë të BE-së” (RDC), “Veprimi i Sigurisë për Evropën” (SAFE), “Mbikëqyrja e Krahut Lindor”, “Udhëzime për Gatishmëri Civile”, “Korniza e Kërcënimeve Hibride” etj. Sipas dokumentit, planet koordinohen nëpërmjet KE-së, Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS) dhe Agjencisë Evropiane të Mbrojtjes (EDA). Po sipas BE-së, planet bazohen në Kompasin Strategjik 2022 dhe Rishikimin Vjetor të Mbrojtjes 2024 (CARD) me qëllim të identifikohen dobësitë e shteteve evropiane në fushën e mbrojtjes.

Ndërsa planet e BE-së ofrojnë një kornizë, zbatimi ndryshon sipas pozitës gjeografike të shteteve. Shumë prej tyre përputhen me planet e shteteve e disa jo. Nevojat e përgjithshme të trupave të BE-së për vetëmbrojtje pa ndihmën amerikane shkojnë deri në 300 mijë personel shtesë dhe rritje vjetore të shpenzimeve ushtarake prej 250 miliardë euro. Disa pengesa të vëna nga konventat ndërkombëtare, ka bërë që disa shtete anëtare të BE-së dhe NATO-s të tërhiqen po nga këto konventa. Polonia dhe shtetet balltike janë tërhequr nga “Konventa mbi ndalimin e përdorimit, magazinimit, prodhimit dhe transferimit të minave” të vitit 1997, e njohur si Traktati i Otavës. Se sa do ta bëjnë më shumë shtetet evropiane mbetet të shihet gjatë 2026, ku shtetet anëtare të NATO-s janë zotuar se do të rrisin kapacitetet e prodhimit të armëve.

Pavarësisht dilemave, shtetet evropiane dhe ballkanike ka të ngjarë të mos jenë në gjendje të qëndrojnë mënjanë sjelljes provokuese të Rusisë, gjë që potencialisht mund të çojë në konflikte të reja në kontinentin evropian. Shtetet ballkanike që kanë qëllim të përbashkët anëtarësimin në BE, do të duhet të punojnë më shumë në integrimin në programet e BE-së për luftë, të risin gatishmërinë civile, obligimin ushtarak ta bëjnë të detyrueshëm për një kohë të pacaktuar, dhe natyrisht të fokusohen në vëzhgimin e kërcënimeve të brendshme e të jashtme. Në këtë kontekst, gjatë fjalimit të tij mbi ribashkimin e Gjermanisë, kancelari gjerman, Frederich Merz, i bëri thirrje qytetarëve gjermanë të shtrëngojë rripin për shkak të kërcënimeve dhe sfidave me të cilat përballet Gjermania. Ai bëri thirrje për një rol të madh për Gjermaninë në çështjet botërore. Ndërsa shtetet e BE-së do të përpiqen të ngushtojnë hendekun, çfarë do të bëjnë shtetet e Ballkanit? Planet e emergjencës të BE-së dhe NATO-s, në rast të një konflikti që mund të zgjasin disa muaj, ka të ngjarë të mos jenë të mjaftueshme; prandaj, qeveritë anëtare të NATO-s në Ballkan duhet të rishikojnë plane shtesë për t’u përballur me rreziqet jo vetëm nga Rusia.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.