BDI: Qytetarët e Tetovës, Gostivarit dhe Kumanovës paguajnë deri në 650 euro më shumë në vit për shkak të rritjes së çmimeve
Bashkimi Demokratik për Integrim ka publikuar një analizë ku thekson se mosndërhyrja e Qeverisë ndaj rritjes së çmimeve të derivateve të naftës po u kushton qytetarëve dhe bizneseve rreth 685 mijë euro në ditë. Sipas saj, gjatë dy javëve të fundit janë paguar mbi 10 milionë euro më shumë. BDI thekson se rritja e çmimeve ka ndikuar drejtpërdrejt në shpenzimet e qytetarëve, veçanërisht për ata që udhëtojnë drejt Shkupit. Partia akuzon Qeverinë për mungesë reagimi dhe kërkon masa urgjente për të lehtësuar barrën ekonomike, transmeton Portalb.mk.
“Bashkimi Demokratik për Integrim sot del me të dhëna konkrete dhe një analizë të detajuar lidhur me mosintervenimin e Qeverisë përballë rritjes dramatike të çmimeve të derivateve të naftës”, thonë nga BDI.
BDI shton se duke u bazuar në konsumin vjetor, mujor dhe ditor në Maqedoninë e Veriut, rezulton se konsumi i derivateve të naftës për transport arrin rreth 720.000 ton në vit, përkatësisht:
• Konsumi mujor: 60.000 ton (60 milionë litra)
• Konsumi javor: 15.000 ton (15 milionë litra)
• Konsumi ditor: 2.000 ton (2 milionë litra)
“Mosndërhyrja e Qeverisë po u kushton qytetarëve dhe bizneseve rreth 685.000 euro në ditë, ose mbi 5.15 milionë euro në javë. Vetëm gjatë dy javëve të fundit, qytetarët kanë paguar mbi 10 milionë euro më shumë për derivate të naftës”, thonë nga BDI.
Kjo parti thekson se rritja e çmimeve prej 21 denarë për litër ka goditur drejtpërdrejt qytetarët që udhëtojnë drejt Shkupit:
• Qytetarët e Tetovës: rreth 600 euro më shumë në vit/qytetarë
• Qytetarët e Gostivarit: rreth 780 euro më shumë në vit/qytetarë
• Qytetarët e Kumanovës: rreth 579 euro më shumë në vit/qytetarë
“Këto janë shifra alarmante që rëndojnë drejtpërdrejt mbi buxhetin familjar dhe përkeqësojnë standardin jetësor të qytetarëve. Prandaj, kërkojmë masa urgjente nga Qeveria për të mbrojtur qytetarët dhe ekonominë nga kjo barrë e papërballueshme”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Kujtojmë se dje BDI reagoi ndaj rritjes së çmimit të naftës, duke e cilësuar situatën si dështim të Qeverisë për të menaxhuar krizën ekonomike. Sipas tyre, mungesa e një Ministrie funksionale të Ekonomisë po ndikon drejtpërdrejt në standardin jetësor të qytetarëve. Partia paralajmëroi rritje të përgjithshme të çmimeve mbi 10% nëse nuk ndërmerren masa urgjente, duke kërkuar edhe shkarkimin e ministrit aktual të Ekonomisë.