Supremja konfirmoi vendimin e Apelit, 13 vjet burg për Vasil Jovanovin për goditjen e Frosina Kulakovës

Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e Vasil Jovanovit për rishikim të jashtëzakonshëm të vendimit përfundimtar që e dënon atë me 13 vjet burg për shkak se kishte goditur me makinë Frosina Kulakovën në janar të vitit të kaluar në bulevardin Aradhat Partizane në Shkup, transmeton Portalb.mk.

Një deklaratë e publikuar në ueb-faqen e Gjykatës thotë se vendimi është marrë pas një seance të këshillit të mbajtur më 11 mars të këtij viti, duke konfirmuar në mënyrë efektive dënimin me 13 vjet burg të Jovanovit.

“Gjykata Supreme ka lëshuar vendim me të cilin e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për rishikim të jashtëzakonshëm të vendimit përfundimtar, të paraqitur nga i dënuari V. J. përmes avokatit të tij mbrojtës, kundër vendimit të Gjykatës Themelore Penale të Shkupit të datës 13.05.2025 dhe vendimit të Gjykatës së Apelit të Shkupit të datës 27.10.2025, me të cilin ai është shpallur fajtor për një krim të rëndë kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik dhe është dënuar me dënim me burg prej 13 vjetësh”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Supreme.

Vasil Jovanov u dënua për herë të parë në maj të vitit të kaluar kur Gjykata Themelore Penale e Shkupit e dënoi me 12 vjet burg për shkak se kishte përplasur me makinë 22-vjeçaren Frosina Kulakova. Përveç dënimit me burg, Gjykata Penale vendosi gjithashtu ndalim drejtimi automjeti për pesë vjet dhe një gjobë.

Pesë muaj më vonë, në tetor të vitit të kaluar, Gjykata e Apelit e rriti dënimin e Jovanovit në 13 vjet burg.