BDI: Prodhimi i termoelektranave në janar është ulur për plot 22.5%

BDI njofton se rënia prej 22.5% e prodhimit të energjisë nga termoelektranat është konfirmuar edhe nga Enti Shtetëror i Statistikave. Sipas tyre, kjo mungesë është kompensuar përmes blerjes së energjisë elektrike, kryesisht nga TE-TO, transmeton Portalb.mk

“Ajo që BDI e publikoi në lidhje me blerjen e energjisë elektrike, dje u konfirmua edhe nga Enti Shtetëror i Statistikave, sipas të cilit prodhimi bruto i energjisë elektrike nga termoelektranat është ulur për plot 22.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ky mungesë është kompensuar tërësisht me blerjen e energjisë elektrike bazë. Për të qenë qytetarët plotësisht të informuar, energjia elektrike është blerë nga TE-TO dhe kjo është një informatë publikisht e qasshme”, thonë nga partia.

Partia thekson se këto të dhëna janë publike dhe kërkon nga EMV të publikojë kontratat dhe thirrjet për blerje të energjisë. Qëllimi, sipas BDI-së, është transparencë e plotë për qytetarët mbi menaxhimin e sektorit energjetik.

“Për të përcaktuar se kush e thotë të vërtetën, i bëjmë thirrje ESM-së që të publikojë të gjitha thirrjet publike dhe kontratat për blerje-shitje të energjisë elektrike, në mënyrë që qytetarët të kenë pasqyrë të plotë se si menaxhohen kapacitetet elektroenergjetike të shtetit”, deklaruan nga BDI.

Kujtojmë se Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) publikoi të dhëna lidhur me gjendjen në sektorin energjetik, duke kundërshtuar deklaratat e kryeministrit Hristijan Mickoski për performancën e EMV-së. Sipas tyre, vetëm në dy muajt e parë të vitit 2026 janë shpenzuar mbi 24 milionë euro për import të energjisë elektrike. Këto shifra, sipas BDI-së, tregojnë mungesë kapacitetesh prodhuese vendore. Ata paralajmërojnë se kjo situatë mund të reflektohet me rritje të çmimeve për qytetarët.