Gashi: Ende nuk jam informuar se Ziadin Sela do të veprojë nën një subjekt të ri politik
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, thotë se ende nuk ka marrë njoftim nga deputeti Ziadin Sela se në të ardhmen do të përfaqësojë dhomën legjislative nën emrin e një partie të re. Në një deklaratë pas brifingut të sotëm me gazetarët, Gashi tha se sapo të njoftohet për çdo ndryshim në veprimet e deputetëve, sa i përket përkatësisë së tyre partiake, do t’i informojë deputetët e tjerë dhe publikun, transmeton Portalb.mk.
“Nuk jam njoftuar ende. Në momentin që secili deputet, grup parlamentar ose grup deputetësh që nuk janë të organizuar në një grup parlamentar deklaron ndryshe, e informon kryetarin e Kuvendit, unë i informoj të gjithë deputetët dhe publikun, në mënyrë që në momentin që njoftohem, ju dhe publiku të njoftoheni për çdo ndryshim në grupet parlamentare në Kuvend”, tha kryetari i parlamentit, duke iu përgjigjur pyetjeve gazetareske në lidhje me informacionin që erdhi nga deputeti Ziadin Sela.
Sela, nëse shikoni faqen e internetit të Parlamentit, ende renditet si deputet nga Aleanca për Shqiptarët ose – siç quhet zakonisht në diskursin publik – një nga krahët e kësaj partie, pas ndarjes me Arben Taravarin në shkurt të vitit 2024.
Këto ditë, ai njoftoi formimin e një partie të re politike, e cila do të quhet Lidhja Shqiptare dhe anëtarët e së cilës, siç tha ai, kanë ideale me të cilat do të ndërtojnë një entitet të fortë politik.
Sipas deklaratës së Selës, të dhënë në një intervistë për gazetën “Lajm”, partia e re është formuar tashmë dhe përfaqëson një vazhdimësi të idesë dhe kauzës së Aleancës për Shqiptarët.
Vendimi për formimin e një entiteti të ri vjen pas vendimit të Gjykatës Themelore në Tetovë më 18 mars, me anë të të cilit vulat e Aleancës për Shqiptarët i përkisnin krahut të Arben Taravarit.
“S’ia kam lënë rastësisë unë. Unë e kam krijuar atë parti të re politike, biles quhet akoma më mirë, është “Lidhja shqiptare”, ka ngjyra kuq e zi, ne nuk dorëzohemi. Kështu që ideja e Aleancës dhe kauza e Aleancës së vërtetë e ka edhe vazhdimësinë e vetë”, tha Sela.
Pas ndarjes me Taravarin, para zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në vitin 2024, krahu i Aleancës për Shqiptarët i udhëhequr nga Zijadin Sela ishte pjesë e koalicionit “Fronti Evropian”, të udhëhequr nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), i cili më pas u riemërua “Aleanca Kombëtare për Integrim” (AKIA). Në dhjetor të vitit të kaluar, në një mbledhje të kryesisë së partisë, krahu i Selës vendosi të largohej nga koalicioni AKI, dhe që deputetët e saj në Kuvend të vepronin si grup i pavarur.
Javën e kaluar, siç thotë krahu i Selës, Gjykata Themelore në Tetovë mori vendim politik dhe të cilin e konsiderojnë si një atentat ndaj një partie politike shqiptare që “për vite me radhë ishte një faktor i madh në skenën politike në vend dhe një mbrojtëse e fuqishme e kauzës kombëtare shqiptare”.
- LEXO: Ziadin Sela: Kam krijuar parti të re politike, quhet “Lidhja Shqiptare”
- LEXO: Gjykata e Tetovës vendosi për fatin e ASH-së: Taravari kryetar legjitim i partisë (Dokument)
- LEXO: Një Aleancë për Shqiptarët, dy fronte: Procesi për vulat ende në gjykatë, dy grupet në “luftë” me njëra tjetrën
- LEXO: ASH krahu i Selës thotë se gjykata vendosi që ai të jetë kryetar i partisë, Taravari: Vulat ia japin BDI-së