BDI: Kasami po blen vota me kontrata pune; NPK: Çdo gjë është sipas ligjit
Disa javë para zgjedhjeve lokale, Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova” – Tetovë dje ndau kontratat e punës me afat të caktuar për punëtorët, ku përfshihet sigurimi shëndetësor dhe pensional. Me këtë veprim, sipas BDI-së, udhëheqësia komunale në krye me Bilall Kasamin përfiton vota. Nga NPK-ja akuzojnë BDI-në se e la në gjendje të keqe ndërmarrjen, shkruan Portalb.mk.
Hamit Hajrullai, nga BDI në Tetovë thotë se pushteti komunal në krye me Bilall Kasamin, po shkel ligjet dhe normat etike për të përfituar vota.
Ai thekson se viktimë e fundit janë punëtorët e NPK Tetova të cilëve u jepen kontrata afatshkurta mu në prag të zgjedhjeve lokale.
“Pushteti komunal ka zgjedhur përsëri të mos respektojë dinjitetin dhe punën e punëtorëve të NPK-së. Punëtorët e NPK-së meritojnë respekt dhe përkrahje jo tallje dhe abuzim”, tha Hajrullai.
Ai shtoi se derisa punëtorët e NPK-së nuk u janë paguar sigurimet shëndetësore dhe pensionale, aktivistët partiak marrin paga dhe nuk shkojnë në punë.
Nga ana tjetër, drejtori i NPK-së Samet Bislimi thotë se kontratat janë bërë në përputhje me ligjin.
Ai theksoi se BDI e ka sjellë në këtë gjendje ndërmarrjen dhe ata i kanë vuajtur pasojat e tyre.
“Tani nuk ka më kontrata në vepër, por të gjithë punëtorët janë me sigurim shëndetësor dhe pensional. Nuk është e vërtetë se kemi bërë kontrata të jashtëligjshme, gjithçka është në bazë të ligjit dhe në afatet e parapara, këtu e kam vendimin që është i datës 06.08.2025 për punësimet që kanë qenë me kontrata në vepër”, tha Bislimi.
Kujtojmë që punëtorët e NPK-së në të kaluarën vazhdimisht kanë pasur probleme dhe kanë qenë në minus me pagat.
- LEXO: NPK-ja e Tetovës assesi të zhbllokohet financiarisht, punëtorët mbeten pa rroga dhe kontribute
Përndryshe, më 11 dhjetor 2024 Këshilli Komunal miratoi vendim që të mbulojë harxhimet dhe humbjet e NPK-së në vlerë prej rreth 60 milionë denarë, të cilat pritej të destinoheshin për pagat e punëtorëve.
Nga opozita aso kohe thanë se ky veprim ngre dyshime për keqpërdorime dhe nuk e përkrahën të njëjtën duke e braktisur seancën.
Komuna e Tetovës edhe në të kaluarën e ka subvencionuar NPK-në me miliona denarë, ndërkaq opozita edhe atëherë e ka braktisur seancën.