BDI dhe VLEN me akuza ndaj njëra-tjetrës për gënjeshtra dhe dështime

Partitë shqiptare në pushtet dhe opozitë edhe sot kanë lëshuar akuza dhe kundërakuza ndaj njëra-tjetrës për gënjeshtra dhe dështime. VLEN akuzoi BDI-në për ndryshim të shpeshtë të identitetit politik për të fshehur dështimet dhe korrupsionin 23-vjeçar, ndërsa BDI akuzoi VlEN-in për mashtrime elektorale, dështime qeverisëse, dhe afrime me forca proruse e proserbe, transmeton Portalb.mk.

“BDI dhe aleatët e saj e kanë shndërruar politikën në një lojë logosh dhe ngjyrash. Herë shpallen Front Evropian, herë Front Kombëtar, sot me emrin AKI, çdo ditë një identitet i ri, vetëm e vetëm për ta fshehur krizën e brendshme dhe dështimet 23-vjeçare. Ky është tregues i qartë i një partie që nuk e di kush është dhe ku po shkon. Një ditë ngjyra e gjelbër, ditën tjetër e kaltër, por në çdo rast, qytetarët i shohin të njëjtët njerëz, me të njëjtat dështime dhe me të njëjtin korrupsion. Ndërkohë, nga “Fronti” i tyre po largohen një e nga një: u largua partia turke, e cila ka qenë forcë serioze me rreth 20 mijë qytetarë mbështetës; u largua Menduh Thaçi, dhe ky është vetëm fillimi. Forcat që në të kaluarën janë përplasur rëndë mes vete, sot përpiqen të fshihen nën një logo të përbashkët, por qytetarët e dinë mirë se kjo është vetëm një fasadë”, thonë nga VLEN.

Nga ana tjetër BDI thotë se VLEN fillimisht premtoi se menjëherë pas konstituimit të Kuvendit, para formimit të Qeverisë, do të miratoheshin ndryshimet kushtetuese për të vijuar rrugën europiane, por gënjyen. Pastaj shton BDI, premtuan se në 100 ditët e para të Qeverisë do të ndryshonin Kushtetutën, por se gënjyen sërish.
“Më vonë premtuan se brenda tre muajve do ta realizonin këtë premtim. Gënjyen përsëri! Tre muajshin e zgjatën dhe premtuan se në gjashtëmujorin e parë të Qeverisë do ta ndryshonin Kushtetutën. Gënjyen si gjithmonë! Gjatë gjithë këtyre premtimeve përsërisnin se nëse nuk e ndryshonin Kushtetutën, do ta braktisnin Qeverinë. Gënjyen edhe këtu! Në vend të Bashkimit Europian, VLEN solli “Botën Serbe” bashkë me Dodikun, Vuçiçin, Rusinë dhe Kinën në krye të vendit. Skandale të përditshme, paaftësi e paprecedentë, servilitet dhe vasalitet të paimagjinueshëm, nënçmim, përbuzje, dështime dhe një ZERO e madhe, këto janë tiparet e VLEN-it. As këto nuk mjaftojnë që ata të drejtojnë kurrizin dhe të largohen nga turpi që i ka kapluar. VLEN-i është dëshmuar botërisht si mashtrim i madh politik dhe turp kombëtar që po u kushton shqiptarëve shtrenjtë: nga të qenurit krenarë dhe në krye të shtetit, tek nënçmimi, përbuzja dhe përjashtimi”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Këto akuza dhe kundër-akuza janë intensifikuar me afrimin e zgjedhjeve lokale që do të mbahen në vjeshtë.

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi më 9 gusht i shpalli zgjedhjet lokale. Raundi i parë i votimit për kryetarë të komunave do të mbahet më 19 tetor, kur do të votohet edhe për lista të këshilltarëve. Raund të dytë për kryetarë të komunave do të ketë më 2 nëntor.