Aksion policor në RMV: Një spital privat dyshohet se ka faturuar edhe Fondin edhe pacientë, mbi 4 milionë euro nën hetim
Është në zhvillim e sipër një aksion policor në më shumë se dhjetë lokacione në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë, në kuadër të një hetimi për dyshime për keqpërdorime financiare të lidhura me një spital privat dhe Fondin për Sigurim Shëndetësor (FSSh), transmeton Portalb.mk.
Ministria përkatëse për “360 Gradë” konfirmoi se është duke u zhvilluar aksion, i cili po kryhet në koordinim me prokurorin publik kompetent nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PPO GOKK).
Ish-drejtori i FSSh-së, Den Donçev, është personi i parë i raportuar në këtë rast, njofton “Skopje1”, duke iu referuar informacioneve jozyrtare.
Sipas informacioneve të siguruara nga “Skopje Info”, objekt i hetimit është dyshimi se shërbime të caktuara shëndetësore janë faturuar dy herë – një herë nga Fondi për Sigurim Shëndetësor dhe më pas edhe nga vetë pacientët, me çmime private.
Dyshimet kanë të bëjnë me raste në të cilat Fondi tashmë i kishte mbuluar shpenzimet për paketa të caktuara të shërbimeve shëndetësore, ndërsa pacientët, përveç participimit të përcaktuar me ligj, dyshohet se kishin paguar edhe shuma shtesë.
Sipas informacioneve jozyrtare, hetimi përfshin transaksione financiare në vlerë prej mbi 260 milionë denarësh, përkatësisht më shumë se katër milionë euro.
Jozyrtarisht, bëhet fjalë për një spital privat të specializuar për sëmundjet e syve në Shkup, me investitorë turq, i cili funksionon që nga viti 2011 dhe në hapje ishte prezantuar si një nga investimet më të mëdha të huaja në sektorin shëndetësor. Spitali ka mbi 4.000 metra katrorë hapësirë dhe është i specializuar për shërbime oftalmologjike.
Në kuadër të hetimit po verifikohet edhe mënyra se si janë evidentuar dhe përdorur mjetet financiare në veprimtarinë e mëtejshme të institucionit shëndetësor, si dhe nëse një pjesë e tyre është përfshirë në qarkullimin e rregullt të pagesave dhe është shpenzuar për qëllime të ndryshme afariste.
Aksioni policor përfshin kontrolle të dokumentacionit dhe të veprimtarisë financiare në disa lokacione, ndërsa hetimi duhet të përcaktojë nëse janë shkelur dispozitat ligjore dhe në çfarë mase.
Deri më tani, institucionet kompetente nuk kanë dhënë informacione zyrtare për numrin e personave të përfshirë, as për veprat e mundshme penale për të cilat mund të ngrihen kallëzime.
Më shumë detaje priten pas përfundimit të aksionit policor dhe publikimit të njoftimit zyrtar nga institucionet kompetente.