BDI akuzon Qeverinë për fshirje të shqiptarëve në videon e 35-vjetorit, VLEN-i nuk e ka parë
Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar sot për përjashtimin e shqiptarëve nga spoti i 35 vjetorit të pavarësisë së Maqedonisë së Veriut. Nga ana tjetër, nga VLEN-i thanë se nuk e kanë parë spotin dhe nuk janë të informuar për planifikimin e organizimit, transmeton Portalb.mk.
Nga BDI thonë se në vend që ky jubile të përfaqësojë të gjithë qytetarët dhe rrugëtimin e përbashkët të shtetit, Qeveria ka zgjedhur të paraqesë një version ekskluzivisht maqedonas të tij.
“Spoti është vetëm në gjuhën maqedonase. Artistët janë maqedonas. Shqiptarët praktikisht nuk ekzistojnë në rrëfimin që Qeveria ka përgatitur për 35 vitet e shtetit. Madje, një nga figurat qendrore të spotit është Igor Durlovski, emër i lidhur drejtpërdrejt me ngjarjet e 27 prillit 2017, kur turma hyri dhunshëm në Kuvend pas zgjedhjes së kryetarit të parë shqiptar të Kuvendit. Por edhe më shqetësuese është ajo që Qeveria ka vendosur ta fshijë nga historia”, thanë nga BDI.
Ata theksojnë se edhe më shqetësuese është që spot nuk ka Marrëveshje të Ohrit – dokumentin që i dha fund konfliktit të vitit 2001 dhe vendosi themelet e karakterit multietnik të shtetit, nuk e ka anëtarësimin në NATO dhe nuk e ka Konferencën e Parë Ndërqeveritare me Bashkimin Evropian.
“Pra, janë fshirë pikërisht momentet historike që e transformuan shtetin nga një projekt etnik në një shtet të përbashkët, që e ankoruan në NATO dhe që e hapën rrugën drejt Bashkimit Evropian. Ky spot, në fakt, është fotografia më e saktë e kësaj Qeverie: një Qeveri e përjashtimit.Shqiptarët mund t’i ketë në listën e ministrave, por nuk i ka në rrëfimin e shtetit. I ka si emra dhe numra për dekor, por jo si prani, ndikim dhe faktor vendimmarrës”, thanë nga BDI.
Pavarësisht se VLEN është në Qeveri nga atje thonë se nuk e kanë parë spotin e 35 vjetorit të pavarësisë së Maqedonisë së Veriut, ku janë anashkaluar shqiptarët, NATO-ja dhe BE-ja.
Zëdhënësi i VLEN-it, Driton Sulejmani, i pyetur për arsyejet e anashkalimit të shqiptarëve në spotin e 35 vjetur të Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut, tha se nuk e ka parë spotin për 35-vjetorin e pavarësisë dhe nuk është i informuar për planifikimin e organizimit.
“Ta them të drejtën nuk e kam parë spotin dhe nuk e di cili është planifikimi i qeverisë në lidhje me organizimin që po e përmendni, por do të marrim informata dhe do të ju njoftojmë, patjetër”, deklaroi Driton Sulejmani, zëdhënës VLEN dhe zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës.
Në prag të 35 vjetorit të pavarësisë së vendit dhe 25 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, Qeveria e Maqedonisë së Veriut vazhdon ta anashkaojnë gjuhën shqipe dhe shqiptarët, të cilët përbëjnë rreth 30 përqind të popullsisë.
Rasti i fundit ku shqiptarët dhe gjuha shqipe janë anashkaluar është videoklipi për 35 vjetorin e pavarësisë së vendit i publikuar nga Qeveria dhe kryeministri Hristijan Mickoski.
Përveç se videoklipi nuk është i përkthyer në shqip, në përmbajtje nuk ka thuajse asnjë element shqiptar, me raste paraqiten disa sekuenca nga Çarshia e Vjetër e Shkupit, por pa asnjë kontekst i cili asocon te shqiptarët.
Portalb.mk kërkoi nga Qeveria se pse gjuha shqipe dhe shqiptarët janë përjashtuar nga ky videoklip, por nuk morëm përgjigje deri në publikim të tekstit.
Në lidhje me këtë ka reaguar edhe Aleanca për Shqiptarët të cilët thonë se është e papranueshme që një material zyrtar, i financuar edhe nga taksat e qytetarëve shqiptarë, të ndërtohet mbi një narrativë një etnike, duke krijuar përshtypjen sikur ky shtet i përket vetëm një komuniteti.
Ndryshe, më 8 shtator 1991, në Republikën e Maqedonisë u zhvillua referendum ku mbi 95% votuan për shtet të pavarur, pas të cilit u shpall Republika e pavarur e Maqedonisë, e cila deri atëherë ishte pjesë e ish-Jugosllavisë.