Dogana sekuestroi tre mijë gjilpëra për tatuazh

Në pikën kufitare Bllatë është parandaluar kontrabandimi i më shumë se tre mijë gjilpërave për tatuazh, transmeton Portalb.mk.

Nëpunësit doganorë, në hyrje të pikës kufitare Bllatë, sekuestruan më shumë se tre mijë gjilpëra dhe pajisje të tjera për tatuazh, të cilat drejtuesi i një automjeti transportues është përpjekur t’i fusë ilegalisht në vend.

Drejtoria e Doganava njoftoi se gjatë kontrollit të detajuar, nëpunësit doganorë, përveç gjilpërave, në automjet zbuluan edhe 60 paketime me gjithsej 7,2 litra bojë për tatuazh, 150 copë yndyrë për tatuazh dhe mjete ndihmëse për tatuazhe.

“Pajisjet për tatuazh, siç janë gjilpërat, janë të rregulluara me leje të detyrueshme për import dhe çdo tentativë për tregti të paligjshme me mallra të tilla paraqet rrezik për shëndetin e qytetarëve”, thanë nga Drejtoria Doganore.

Nga aty apeluan te të gjithë pjesëmarrësve në trafikun e udhëtarëve dhe të mallrave që t’i respektojnë rregulloret ligjore, pasi çdo tentativë për rrezikimin e sigurisë së qytetarëve do të sanksionohet në mënyrën më të rreptë.