BDI: 40 avancime në Regjistrin Qendror, 0 për shqiptarët

BDI akuzon për shkelje të parimit të përfaqësimit të drejtë, duke theksuar se në 40 avancime në Regjistrin Qendror nuk është përfshirë asnjë shqiptar. Sipas tyre, kjo tregon përjashtim dhe diskriminim në trajtimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore. Ata fajësojnë VLEN-in si pjesë e qeverisë për këtë situatë dhe për heshtjen ndaj saj. BDI kërkon transparencë për kriteret e avancimeve dhe masa konkrete për të garantuar barazi, transmeton Portalb.mk.

“Bashkimi Demokratik për Integrim e konsideron këtë zhvillim si një shkelje të rëndë të parimit të përfaqësimit të drejtë dhe një alarm serioz për mënyrën se si po trajtohen shqiptarët në institucionet shtetërore. Në një institucion publik ku janë realizuar 40 avancime, fakti që asnjë shqiptar nuk është avancuar tregon qartë se përfaqësimi nuk është më standard, por është bërë përjashtim. VLEN-i, si pjesë e qeverisë, mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për këtë gjendje”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Sipas partisë, ndërkohë që të drejtat e shqiptarëve duhet të mbrohen, “ata kanë zgjedhur të heshtin”.

“BDI kërkon sqarim të menjëhershëm për kriteret dhe procedurat e këtyre avancimeve, si dhe marrjen e masave konkrete për të garantuar përfaqësim të drejtë dhe të barabartë. Shqiptarët nuk mund të trajtohen si të padukshëm në institucionet e këtij shteti”, thuhet në reagim.

Kujtojmë se që nga ardhja e qeverisë së re në Maqedoninë e Veriut, çështja e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat ka qenë temë pothuajse e përditshme debati midis partive politike, sidomos pas shfuqizimit në tetor të 2024 të instrumentit “Balancues”, i cili ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore. Pas këtij vendimi, për punësimet në administratën publike nuk po mbahet llogari për përkatësinë etnike. 

Portalb.mk në një analize të realizuar vitin e kaluar prezantoi numrat e përfaqësimit etnik në disa institucione që janë në disproporcion me numrin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut sipas regjistrimit të popullsisë. Nga të dhënat e siguruara rezultoi se në Presidencë, Ministrinë për Transformim Digjital, Ministrinë e Sportit, Bankën Popullore, MEPSO dhe Agjencinë e Administratës, shqiptarët janë të nënpërfaqësuar. 

Shqiptarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ngjashëm si numerikisht, nuk qëndrojnë mirë në përfaqësim të drejt dhe adekuat as kur bëhet fjalë për pozicione udhëheqëse administrative. Portalb.mk ka analizuar disa institucione shtetërore, për atë se sa shqiptarë ka në pozita udhëheqëse. 

Opozita shqiptare në Maqedoninë e Veriut vazhdimisht ka akuzuar qeverinë aktuale se po punëson pa asnjë baraspeshë sa i përket përfaqësimit të drejtë dhe adekuat. 

Ndërkaq protagonistët e koalicionit VLEN tash e një kohë të gjatë vazhdimisht dalin me deklarata se është në përfundim procesi i zgjidhjes ligjore për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, që nga shfuqizimi i mekanizmit juridik “Balancuesi”. Por një zgjidhje e tillë ligjore po zvarritet me muaj të tërë.