“Ballkani i fortë”, stërvitje e forcave elite të rajonit në Shqipëri

Prej ditësh forcat elite të forcave të armatosura të Shqipërisë po zhvillojnë stërvitje të përbashkëta me forcat ushtarake të tetë vendeve të rajonit ne bizë të Martaneshit, në kuadër të marrëveshjes “Ballkani i fortë”, raporton ABC. Kjo stërvitje zhvillohet për herë të parë në Shqipëri. Qëllimi i stërvitjes është promovimi i paqes dhe stabilitetit në të gjithë rajonin.

“Jemi në javën e dytë. Javën e parë e zhvilluam në Zall-Herr me taktika të vogla. Këtë javë fokusohemi tek taktikat kolektive”,nënkolonel Ajet Jata, komandant i regjimentit të operacioneve speciale.

“Që nga muaji shkurt kemi organizuar tre konferenca planizuese dhe javën e shkuar u bë dislokimi i trupave nga Shqipëria, Bosnja, Maqedonia, Mali i Zi, Turqia, Greqia, Rumania”, tha major Bleart Vuçaj, Shefi i operacionit dhe stërvitjes.

“Trupat po zhvillojnë taktika të përbashkëta për të mësuar nga përvoja e njëri tjetrit. Në këtë moment forcat ushtarake po demostrojnë goditjen e një baze terroriste”

Gjatë stërvitjes u demostruan operacione speciale ne qendra te banuara, goditje objekti, qitje me snajper, shpërthim eksplozivi, hedhje me litar nga helikopteri. Forcat e armatosura të Shqipërisë për herë të parë në këtë stërvitje u përfaqësuan nga operatorët e tyre në hedhjet me parashutë.

Stërvitja e përbashkët “Strong Balkan 23”, është krijuar në vitin 2007 si marrëveshje e përbashkët mes komandantëve të shtabeve të përgjithshme të vendeve pjesëmarrëse. Pjesë e kësaj marrëveshje nuk është Kosova, për shkak se gjatë krijimit të saj nuk ishte ende shtet i pavarur. Ndërkaq, Serbia është pjesë e iniciativës, por ka vendosur të mos marrë pjesë në stërvitje.