Informata të rrejshme e fotografi që pretendohet se janë publikuar nga media në Serbi për situatën në Kosovë, u shpërndanë me të madhe nëpër rrjete sociale pas dështimit të Kuvendit që ta zgjedhë presidentin/en e re. Duke përdor logon dhe dizajnin e “Novostit” nga Serbia, medium ky i njohur dhe i demaskuar disa herë për propagandë kundër institucioneve dhe liderëve të Kosovës, në rrjete sociale u shpërnda një përmbajtje e gjeneruar përmes inteligjencës artificiale ku pretendohet se e paraqet kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku. Madje kjo dezinformatë qarkulloi edhe nga grupe me emrin e LDK-së, duke arritur mijëra pëlqime, komente e shpërndarje, shkruan Sbunker.
Në versionin e fabrikuar, ndërhyrja është e shumëfishtë. Titulli kryesor është zëvendësuar plotësisht për të vendosur në qendër Abdixhikun, duke pretenduar se ai po e çon vendin në zgjedhje të parakohshme dhe se për këtë po “falënderohet nga Beogradi”.
Titulli i shkruar në alfabetin cirilikë, e deformon edhe emrin e Abdixhikut. Në ballinën e rreme ai quhet “Ljubomir”, emër ky me tingëllim serb. Kjo teknikë përdoret në funksion të narracionit që synon të krijojë një lidhje simbolike me Serbinë dhe të përforcojë perceptimin e ndërtuar nga titulli.
Manipulimi nuk ndalet te titulli dhe emri pasi edhe temat e tjera në ballinë janë riorganizuar në atë mënyrë për të mbështetur narrativën kryesore.
Artikujt anësorë dhe citimet janë formuluar në mënyrë të paqartë dhe pa referenca të verifikueshme. Formulime si “u vlerësua si hap i rëndësishëm” krijojnë përshtypjen e një reagimi zyrtar nga Serbia pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës, ani se deklarata të tilla që pretendohet se janë thënë nga zëvendës/presidenti nuk ekzistojnë në burime zyrtare.
Element tjetër kyç është fotografia e përdorur e Abdixhikut. Ajo nuk përputhet me fotografi të njohura publike dhe shfaq karakteristika tipike të imazheve të gjeneruara përmes inteligjencës artificiale. Kjo e bën manipulimin më të sofistikuar, pasi përmbajtja vizuale dhe tekstuale janë ndërtuar së bashku për të krijuar një narrativë bindëse.
Detaji që e forcon edhe më shumë provën e manipulimit është data. Në të dyja versionet, si në ballinën reale ashtu edhe në atë të rreme, figuron e njëjta datë: 22 maj 2024, që nuk përkon me kontekstin aktual. Manipuluesit nuk e kanë ndryshuar këtë element, çka tregon se kanë përdorur ballinën autentike si bazë dhe kanë ndërhyrë vetëm në përmbajtje.
Çka përmban ballina origjinale e datës 22 maj?
Ballina autentike e “Večernje novosti” për atë datë nuk përmend fare Abdixhikun. Ajo fokusohet në tema tjera, ndër to edhe një titull për kryeministrin e Kosovës Albin Kurti: “Kurti nuk do të dëgjojë as ‘C’ për serbët në Kosovë”.
Ndërsa në versionin e fabrikuar, gjithçka është ndërtuar përreth një narrative të vetme politike, duke e kthyer ballinën në mjet propagandistik me qëllimin për ta dëmtuar një parti opozitare duke e lidhur me Serbinë. Kësisoj, “Večernje novosti”, e njohur për narrativa propaganudese kundër Kosovës, vihen në shërbim për të prodhuar përmbajtje që synojnë audiencën shqipfolëse, me qëllimin për të diskredituar politikanë të caktuar.
Kjo tregon për një përzierje të dezinformimit, ku narrativat nuk janë më vetëm ndërkufitare (Serbi–Kosovë) por përdoren edhe për konsum të brendshëm politik. Pra, një media serbe shfrytëzohet për të nxitur perceptim negativ për një politikan kosovar tek publiku shqiptar.
Kriza që shfrytëzohet
Periudhat e paqartësisë institucionale, si bllokadat politike apo zgjedhjet krijojnë terren të përshtatshëm për përhapjen e dezinformatave. Në këtë rast, dështimi për zgjedhjen e presidentit e ka rritur ndjeshmërinë publike dhe interesin për zhvillimet politike. Në këtë situatë, përmbajtje të manipuluara si kjo “ballinë” gjejnë më lehtë audiencë dhe ndikim.
Duke e paraqitur Lumir Abdixhikun si figurë që “po e çon vendin në zgjedhje” dhe madje “po falënderohet nga Beogradi”, krijohet lidhje e drejtpërdrejtë emocionale me një nga temat më të ndjeshme në Kosovë që përdoret vazhdimisht, e që është raporti me Serbinë.
Kosova po hyn në një cikël tjetër zgjedhor pasi dështimit të zgjedhjes së presidentet/presidentes, brenda afatit kushtetues. Në seancën e 28 prillit kur edhe ishte afati i fundit, nuk u krijua kuorumi i domosdoshëm për zgjedhjen e presidentet/es për votimin e dy kandidateve të propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje, Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha. Kryeministri Albin Kurti akuzoi opozitën për mungesë bashkëpunimi, duke thënë se mazhoranca kishte ofruar zgjidhje por që nuk ishin pranuar nga opozita. E opozita ka akuzuar Kurtin për tentim kapje të institucioneve kyçe duke propozuar kandidatë, pa marrëveshje politike me opozitën.
Pas dështimit për zgjedhjen e presidentit, Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda 45 ditësh.