Avokati i Popullit Naser Ziberi tha se ekipet e tij u kanë ndihmuar qytetarëve t’i gjejnë dokumentet e përgatitura

Ia kujtojmë Ministrisë së Punëve të Brendshme të bëjë riorganizim të mirë të procesit për lëshimin e dokumenteve personale dhe normalisht të rrjedhë ai proces i lëshimit të dokumenteve të përgatitura. Këtë sot e deklaroi Avokati i Popullit Naser Ziberi, i cili tha se në periudhën e kaluar vazhdimisht kanë arritur ankesa nga qytetarët në lidhje me pamundësinë që t’i marrin dokumentet për të cilën është zbatuar procesi i fotografimit, por edhe procesi i përpunimit, por nuk janë lëshuar, transmeton Portalb.mk.

“Qytetarët presin të marrin termin, pastaj për fotografim, përpunim, dhe pastaj presin edhe për dhënien e dokumenteve personale”, tha Ziberi.

Ai shtoi se duke i pasur parasysh ankesat, ekipet e Avokatit të Popullit i kanë vizituar dy pikat kryesore në RTVM dhe Kisella Vodë, ku i kanë konstatuar ankesat. Siç tha Ziberi, ka numër serioz të dokumenteve (letërnjoftime, patentë shoferi dhe pasaporta) të cilat, siç tha ai, janë lënë anash dhe nuk ka kontroll organi për shpërndarjen e tyre, gjegjësisht dhënien.

“Kjo është punë jo e natyrshme. MPB është e detyruar që ta bëjë sipas detyrës zyrtare, dhe jo të jetë kjo pas kërkesës sonë, ta kërkojmë pasaportën e atij apo këtij qytetari”, tha ai.

Ekipi i Avokatit të Popullit u ka ndihmuar qytetarëve të cilët urgjentisht u është dashur pasaporta, e të cilët nuk kanë mundur t’i marrin, më shpesh për udhëtim, mjekim, sport, biznes e kështu me radhë. Ekipet e Avokatit bashkë me të punësuar në MPB i kanë gjetur dokumentet e përgatitura gati.

Ndryshe qytetarët po përballen me kaos për nxjerrjen e dokumenteve pasi që të gjithë shtetasit e Maqedonisë së Veriut kishin afat për ndryshimin e dokumenteve personale deri më 13 shkurt të këtij viti. Pas kësaj date, qytetarët me pasaporta të vjetra nuk mund të udhëtojnë jashtë vendit. Ndryshimi i dokumenteve buron nga Marrëveshja e Prespës, e nënshkruar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë më 17 qershor 2018, e cila u dha fund mospajtimeve të kamotshme mes dy shteteve.