AUV alarmon: Temperaturat e larta rrisin rrezikun e helmimit, blini vetëm në vende të sigurta
Me temperaturat e paralajmëruara deri në 40 gradë gjatë ditëve në vijim, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) paralajmëron se rritet ndjeshëm rreziku i helmimit nga ushqimi dhe u bën thirrje qytetarëve të jenë veçanërisht të kujdesshëm gjatë blerjes, transportit, ruajtjes dhe përgatitjes së produkteve ushqimore, transmeton Portalb.mk.
Nga AUV-ja theksojnë se temperaturat e larta paraqesin rrezik edhe për shëndetin e kafshëve, prandaj është e nevojshme që atyre me kohë t’u sigurohen sasi të mjaftueshme ushqimi të sigurt dhe ujë të freskët.
“Për të zvogëluar rrezikun e helmimit, qytetarët duhet të blejnë ushqim ekskluzivisht në vende të kontrolluara të shitjes, ku produktet, veçanërisht ato me origjinë shtazore, ruhen në pajisje të përshtatshme ftohëse”, njofton Agjencia.
Agjencia këshillon që të mos blihen produkte me ambalazh të dëmtuar ose të fryrë, ndërsa ushqimet e ftohta dhe të ngrira të merren në fund të blerjeve. Produktet që prishen lehtë, si mishi, qumështi dhe vezët, nuk duhet të lihen për kohë të gjatë në automjete ose në temperatura të larta.
“Ushqimet e ftohta duhet të ruhen në temperaturë nën 5 gradë Celsius, ndërsa ushqimet që përgatiten termikisht duhet të zihen mirë, në temperaturë mbi 60 gradë. Frutat dhe perimet duhet të lahen mirë nën ujë të rrjedhshëm, ndërsa mishi i papërpunuar, qumështi dhe vezët duhet të përpunohen në mënyrë të përshtatshme para konsumimit”, thekson Agjencia.
Pas përgatitjes, ushqimi duhet të ftohet shpejt dhe të ruhet në frigorifer. Ushqimi i gatuar rekomandohet të vendoset në raftet e sipërme, ndërsa ai i papërpunuar në raftet e poshtme, për të shmangur kontaminimin e ndërsjellë. Gjithashtu, ushqimi duhet të mbrohet nga insektet, brejtësit dhe kafshët shtëpiake.
Nëse ushqimi konsumohet në objekte hotelierike, AUV-ja rekomandon të zgjidhen lokale që respektojnë standardet e higjienës dhe kanë reputacion të mirë. Në objektet e ushqimit të shpejtë këshillohet të shmangen shtesat si majoneza, salcat dhe dressing-ët, nëse nuk ruhen në frigorifer.