Ata që (nuk) janë si ne

“Sa shumë i duam ata që janë si ne”, është varg i Eeva Kilpit (1928 – 2026), poetes dhe aktivistes finlandeze.

Ne i duam të ngjashmit me ne, sepse besojmë se jemi të qetë në praninë e tyre, por kjo qetësi shpesh kthehet në rutinë dhe bezdi.

Të duash të ngjashmit si vetja është e pritshme, por është madhështore kur i duam ose kur i respektojmë ata që nuk janë si ne; ata që nuk na ngjajnë; që nuk kanë bindjet, mendimet e vizionet tona; që nuk i përkasin gjuhës e kulturës sonë; që nuk janë pjesë e partisë apo ideologjisë që besojmë.

Kështu ne respektojmë një mënyrë tjetër jetese, një mendim tjetër, një vizion tjetër mbi botën, një kulturë tjetër.

Mungesa e respektit për atë “që nuk është si ne” përherë ka shkaktuar tensione, konflikte dhe vuajtje anekënd botës.

Eeva Kilpi i vlerësoi “të ndryshmit”, që me mirësjellje trokasin në derën e jetës sonë.

Ata meritojnë mirëseardhje, sepse na mundësojnë të zbulojmë anën tjetër të jetës.

Rroj me këtë utopi për raportet e njerëzve me botën, e cila, fatkeqësisht, po bëhet gjithnjë më armiqësore ndaj atyre “që nuk janë si ne”.

Spiralja e urrejtjes ndaj atyre “që nuk janë si ne” po rritet kudo nëpër botë, kurse urrejtja u paraprin të gjitha të këqijave. Kur urrejtja nxitet në “laboratorë” të elitave, atëherë gjërat bëhen edhe më të rrezikshme.

Ne kemi nevojë për ata “që nuk janë si ne”, sepse, nëpërmjet tyre, shohim se bota është e bukur falë shumëllojshmërisë.

Le t’i referohemi sërish Eeva Kilpit dhe vargjeve të saj, ku flet për njerëzit të cilëve ngjashmëria ua bën jetën të padurueshme: “Më në fund takova një person, / që i donte të njëjtat gjëra si unë: / dallëndyshet, lakuriqët e natës dhe shtëpitë e braktisura, / rrugët e këqija dhe barin e lartë, / yjet e pyllit, mjegullën dhe vetminë. / Dhe kur përputheshim, s’mund ta duronim njëri-tjetrin.”

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.