ASH dhe BDI: Qeveria po e fut Maqedoninë e Veriut në “Botën Serbe”
Aleanca për Shqiptarët (ASH) e Taravrit dhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) akuzojnë qeverinë aktuale të VMRO-DPMNE dhe partnerët e saj të VLEN-it se po e fusin Maqedoninë e Veriut në projektin nacionalist “Bota Serbe” përmes heshtjes dhe pjesëmarrjes në aktivitete zyrtare serbe. Sipas tyre, kjo retorikë dhe këto veprime minojnë sovranitetin, identitetin dhe orientimin euroatlantik të vendit. BDI e cilëson të papranueshme paraqitjen e Maqedonisë si “Republika e tretë serbe” dhe paralajmërojnë se do të kundërshtojnë çdo tentativë që rrezikon rrugën drejt BE-së dhe marrëveshjet multietnike, transmeton Portalb.mk.
“Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësim të thellë dhe alarmon opinionin publik se Maqedonia e Veriut po përballet me një ofensivë të hapur të projektit famëkeq të “Botës Serbe”. Ky projekt po manifestohet gjithnjë e më shpesh në mënyrë zyrtare, me praninë dhe, fatkeqësisht, me bekimin e përfaqësuesve shtetërorë të vendit tonë. Pas festimeve në Manastir, ku delegacioni i lartë i Serbisë, bashkë me ministra dhe zyrtarë të Qeverisë sonë, nën petkun e “Frontit të Selanikut” kremtuan pushtimin serb të territoreve tona, më 7 shtator 2025 në Kajmakçalan dëgjuam edhe një deklaratë skandaloze të ministrit serb të Mbrojtjes, Bratislav Gashiç, i cili foli për “rrugën e lirisë” dhe “kthimin në atdhe” të ushtrisë serbe në tokën e Maqedonisë. Pjesëmarrja e institucioneve tona në këto skenarë është jo vetëm provokim i rëndë historik dhe politik, por edhe përpjekje për të relativizuar sovranitetin e shtetit tonë, duke e paraqitur Maqedoninë e Veriut si “Republika e tretë serbe”. Kjo është e papranueshme. Është kërcënim direkt ndaj identitetit, stabilitetit shtetëror dhe orientimit euroatlantik të vendit. BDI thekson qartë: projekti i “Botës Serbe” është armiqësor për Maqedoninë e Veriut. Marrëveshja e Ohrit, kohezioni multietnik dhe rruga jonë e pakthyeshme drejt Bashkimit Evropian janë garancia jonë e vetme për një të ardhme të sigurt. Çdo tentativë për t’i minuar këto vlera do të hasë në kundërshtimin tonë të vendosur, pa kompromis”, thonë nga BDI.
Aleanca për Shqiptarët e Taravarit nga ana tjetër thotë se deklaratat e fundit të ministrit serb të mbrojtjes Bratislav Gashiq dhe anëtares së qeverisë së Serbisë, Milica Gjurgjeviq Stamenkovski, në Kajmakçallan, nuk janë thjesht kujtesë historike, por një mesazh politik me ngarkesë të qartë aktuale: krijimi i “unitetit të popullit serb” kudo që jeton.
“Kjo retorikë është e rrezikshme për rajonin dhe për Maqedoninë e Veriut në veçanti, sepse e vendos vendin tonë në orbitën e projektit famëkeq të “Botës Serbe”.
Fatkeqësisht, qeveria aktuale e VMRO-DPMNE-së bashkë me vazalët e saj të VLEN-it, me heshtjen dhe nënshtrimin e tyre politik, e kanë futur Maqedoninë e Veriut me të dyja këmbët në këtë “Botë Serbe”. Duke mos reaguar dhe duke pranuar imponimin e narrativave nacionaliste nga Beogradi, ata po e bëjnë vendin tonë pjesë të një projekti që mohon identitetin dhe sovranitetin e qytetarëve tanë. Aleanca për Shqiptarët thekson se Maqedonia e Veriut nuk është dhe nuk mund të bëhet kurrë “portë e lirisë” për ushtritë dhe planet hegjemoniste të Serbisë. Qytetarët shqiptarë dhe të gjithë ata që besojnë në një shtet evropian, duhet të kuptojnë se rruga jonë është drejt Perëndimit dhe Bashkimit Evropian, jo kthim pas në skenarë të rrezikshëm të shekullit të kaluar. Ne i bëjmë thirrje Ministrisë së Punëve të Jashtme që të reagojë qartë dhe pa ekuivoke ndaj këtyre deklaratave provokuese, në vend që të heshtë nga frika e prishjes së raporteve me Beogradin. Sovraniteti i Maqedonisë së Veriut dhe qetësia ndër-etnike nuk mund të jenë monedhë shkëmbimi në pazaret politike të VMRO-së dhe vasalëve të saj”, thonë nga ASH.
Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ka kohë që debatohet edhe brenda eksponentëve politikë për prezencën e të a.q. “botës serbe” në jetën politike të vendit. Millorad Dodik, politikani kontrovers serb, kryetar i të a.q. Republika Sërpska, në shënimin e “Shën Savës”, festës nacionale të komunitetit serb, organizuar nga Qendra Kulturore Serbe në Shkup, kishte drejtuar porosi kundër Bashkimit Europian. Dodiku ishte i ftuar special i zëvendëskryeministrit të RMV, Ivan Stoilkoviq.
Raporti i ri nga Parlamenti Evropian, paralajmëron për rritjen e ndikimit të Rusisë dhe Kinës dhe dënon promovimin e konceptit të një “bote serbe” nga zyrtarët e Maqedonisë së Veriut.