Arsovska e shkarkoi sekretarin e deritanishëm të Qytetit të Shkupit, do ta zëvendësojë Natalia Mitovska

Sekretare e re e Qytetit të Shkupit është emëruar Natalia Mitovska. Ky vendim është sjellë pasi që, siç kumtuan nga Qyteti i Shkupit, sot është shkarkuar sekretari i deritanishëm Zoran Gligorov, njofton Portalb.

Gligorov ishte bashkëpunëtori më i afërt i Arsovskës, ndërsa shkarkimi i tij vjen pasi bashkëshortja e tij e ka denoncuar në polici për dhunë familjare.

Nga Qyteti i Shkupit kumtuan se Mitovska ka qenë bartëse e funksioneve udhëheqëse në Qeveri.
“Nga viti 1998 punoi si këshilltare e nënkryetarit të Qeverisë, ndërsa nga viti 200 deri në vitin 2002 ka qenë ndihmës-minister e Punëve të Brendshme e angazhuar për bashkëpunim ndërkombëtar dhe integrime evropiane. Mitovska ka qenë edhe këshilltare e drejtorit të përgjithshëm të ELEM-it nga periudha 2015-2019 në periudhë kur ndërmarrja i ka shënuar rezultatet më të mira ekonomike dhe operative, ka përvojë në sektorin provat me pozita të larta ekzekutive, si dhe punë si asistent profesor i shkencave politike. Në pozitën sekretare e Qytetit të Shkupit vjen si profesioniste e cila mundet jashtëzakonisht të kontribuojë drejt punës së administratës së qytetit dhe realizim të projekteve nga programi ‘Për Shkup modern'”, njoftuan nga Qyteti i Shkupit.

Përndryshe, Mitovska është pronare e produksionit “Tripëll dixhit prodakshën” dhe është bashkëshortja e pronarit të portalit “Infomaks” Aleksandar Mitovski-Meçka.

Kujtojmë se kryetarja Danella Arsovska, e cila postin e mori në nëntor të vitit 2021, ka ndërruar drejtorë të disa institucioneve nën kompetencë të Qytetit të Shkupi.

Në Raportin e ndjekjes së strukturave drejtuese në institucionet e sektorit publik të Qendrës për menaxhimin me ndryshimet (QMN) është theksuar se  me 40 përqind të institucioneve, në vend të drejtorëve udhëheqin ushtruesit e detyrës drejtor. Në këtë raport, mes të tjerash, thuhet se gjatë emërimit të u.d. drejtor kandidatët jo domosdoshmërisht duhet të plotësojnë minimumin e kushteve ligjore të cilat gjithsesi janë shumë të përgjithshme.

“Ushtruesit e detyrës janë një zgjidhje kalimtare deri në zgjidhjen, gjegjësisht emërimin e drejtorëve dhe atë më së shumti deri në 6 muaj. Nga numri i përgjithshëm i 274 drejtorëve dhe zëvendësve të tyre, 105 janë emëruar si ushtrues detyre, që do të thotë se ka shumë gjasa që edhe ato minimum kushte të përcaktuara me ligj, e që përfshijnë shtetësinë, arsimin e lartë, përvojën e punës, vërtetimin për mosndaliminn e kryerjes së detyrës dhe çertifikatën ndërkombëtare për njohjen e gjuhës së huaj, të jenë anashkaluar”, thuhet në analizë.

Në raportet e tij për progresin e Maqedonisë së Veriut, Komisioni Evropian rregullisht thekson se ndryshimi i shpeshtë i drejtorëve apo pozitave të larta në institucione nuk është praktikë e mirë, pasi mund të shkaktojë vonesa serioze në proceset reformuese.