Arroganca e fuqisë: Kur liderët ngatërrojnë forcën me virtytin

Shkruan: Prof.dr.Muhamet Racaj, Universiteti” Nënë Tereza”- Shkup 

Marrëdhëniet ndërkombëtare gjithmonë janë mbështetur te fuqia, shpeshherë në kurriz të virtytit. Historia na tregon se shumë perandori janë ngritur dhe janë shkatërruar sepse udhëheqësit e tyre besuan se forca është njësoj si drejtësia, ose se dominimi mund të maskohet si moralitet. Senatori amerikan William Fulbright këtë dukuri e quajti “arroganca e fuqisë”, duke paralajmëruar se kur liderët humbasin ndjenjën e masës, rrënohet edhe rendi ndërkombëtar. Ky paralajmërim është më aktual se kurrë sot, në shekullin XXI. 

Rusia dhe Shtetet e Bashkuara janë dy shembuj të qartë të sfidës mes fuqisë dhe virtytit. Përmes ndërhyrjeve të saj në Gjeorgji, Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, Rusia ka përdorur fuqinë ushtarake si mjet imponimi të interesave të saj strategjike. Justifikimet janë ideologjike – “denazifikimi”, “mbrojtja e botës ruse”, apo “misioni historik”. Por në realitet, ky është vetëm rikthimi i logjikës së perandorisë me maskën e virtytit. 

Nga ana tjetër, gjatë presidencës së Donald Trump, SHBA-të ndoqën politikën e “America First”. Në vend të bashkëpunimit multilateral, Trump vuri mbi gjithçka interesin kombëtar amerikan, madje edhe kur kjo e dëmtonte sistemin global të aleancave, marrëveshjeve për klimën apo tregtinë botërore. Ky model i politikës së jashtme shpesh e paraqiti fuqinë si virtyt, duke injoruar pasojat afatgjata për botën. 

Të dy këta liderë, ndonëse të ndryshëm, përfaqësojnë të njëjtin fenomen: arrogancën e pushtetit. Putini me autoritarizëm të centralizuar mbi ushtrinë dhe energjinë; Trumpi me nacionalizëm dhe retorikë të ashpër populiste. Në të dy rastet, kemi një personalizim të skajshëm të pushtetit, ku lideri paraqitet si mbrojtësi absolut i kombit, madje si mishërim i së vërtetës. Ky është fanatizmi politik, më i rrezikshëm sesa vetë fuqia. Sepse kur liderët identifikojnë pushtetin e tyre me idealin e kombit, atëherë institucionet dobësohen, demokracia zbehet dhe ligji ndërkombëtar bëhet armë në duart e më të fuqishmëve. 

Lufta në Ukrainë është shembulli më i freskët i këtij realiteti. Ajo ka nxjerrë zbuluar se arroganca e fuqisë, kur maskohet si mision historik ose si mbrojtje morale, nuk sjell asgjë tjetër veçse kriza, dhunë dhe kërcënim për stabilitetin e të gjithë kontinentit. Po ashtu, tërheqja e SHBA nga Marrëveshja e Parisit dhe marrëveshje të tjera ndërkombëtare gjatë administratës Trump tregon sesi edhe fuqitë demokratike mund të bien në grackën e vetëshpalljes së pushtetit si virtyt. 

Çfarë na mbetet në këtë situatë? Alternativa është virtyti, jo thjesht si nocion filozofik, por si praktikë konkrete politike. Virtyti manifestohet në respektimin e ligjit ndërkombëtar, në barazinë sovrane të shteteve, në forcimin e institucioneve shumëpalëshe dhe në gatishmërinë për të menduar për pasojat afatgjata, jo vetëm për interesin e menjëhershëm të pushtetit. 

Vetëm kur fuqia balancon me virtytin, mund të garantohet paqja dhe stabiliteti. Përndryshe, arroganca e fuqisë do të vazhdojë të prodhojë rrezik, destabilizim dhe tragjedi njerëzore. Për këtë arsye, përgjegjësia nuk bie vetëm mbi liderët globalë, por edhe mbi akademinë, median dhe shoqërinë civile, të cilat duhet të denoncojnë arrogancën e pushtetit dhe të ofrojnë alternativa etike për mënyrën si udhëhiqet bota. 

Në fund të fundit, historia na mëson një gjë të thjeshtë: fuqia pa virtyt është thjesht dhunë, ndërsa virtyti pa fuqi është i pafuqishëm – bota ka nevojë për ekuilibrin mes tyre.