ARMIQTË E LIBRIT

Përndjekja dhe censurimi i librit i ka rrënjët në Greqinë antike. Për habi, shëmtinë në fjalë e nisi filozofi i madh Platoni, i cili në veprën “Shteti” kërkoi asgjësimin e librave që nuk i shkonin për hoshafi shtetit. Ai kërkoi madje dhe censurimin e veprave të Homerit dhe të tragjedianëve të tjerë të asaj kohe.

Sipas ilirologut arbëresh, Aleksandër Stipçeviqit, shkrimet e para që u dogjën publikisht në shekullin e V para erës së re qenë ato të filozofit Protagora, i cili në veprën “Për zotat”, shprehu dyshimin e ekzistimit të tyre. Pas këtij rasti, veçmas në periudha kur pushtetarët ishin buzë greminës, u shpeshtuan konfiskimet dhe persekutimet e autorëve të veprave me përmbajtje antishtetërore. Viktimë e mendësisë antilibër qe dhe filozofi famëmadh Sokrati, të cilin e detyruan të pinte helm për shkak se nuk u besonte zotave të shtetit.

Më pas, Roma u bë më e pamëshirshme se Greqia ndaj autorëve që guxuan të prekin sedrën e perandorit, qoftë edhe nëpërmjet ndonjë aluzioni të mjegullt. Ndër ata qe e paguan shtrenjtë lirinë e shprehjes qe oratori dhe miku i artistëve Titus Labienus dhe shumë të tjerë, që u persekutuan për shkak të prishjes së moralit të shoqërisë romake.

Përndjekje të librave dhe autorëve pati edhe në Kinë, ku, në vitin 213 para erës së re, u dogjën të gjithë librat e Konfuçit dhe krijuesve të asaj kohe, përveç librave të mjekësisë dhe bujqësisë. Asokohe perandori Çin Shi urdhëroi që, brenda një dite, të vriten 470 autorë, të cilët kishin shkruar kundër tij. Këtë traditë të agër dhune ndaj shkrimtarëve e trashëgoi edhe Kina e Mao Ce Dunit, që gjatë Revolucionit kulturor ekzekutoi pamëshirshëm mijëra krijues.

Fati i librave dhe autorëve mendjelirë u përkeqësua gjatë periudhës së mesjetës, kur, bashkë me qytetërimin antik, u zhdukën dhe librat e bibliotekave të qendrave evropiane, përjashto një pjesë të tyre që mbijetoi nëpër bibliotekat e manastireve, peshkopatave dhe shkollave fetare.

Nga periudha e Rilindjes evropiane e gjer te Revolucioni Francez libri ushtroi një ndikim të paparë në jetën shoqërore dhe rrjedhën e ngjarjeve historike. Por, pikërisht për këtë, u bë dhe cak sulmesh i pushtetarëve që nuk e toleronin rrezikimin e privilegjeve. Në këtë betejë të pabarabartë ndërmjet hegjemonëve dhe artistëve e pësuan këta të fundit, sepse persekutorët ua dogjën librat, ua sekuestruan pasuritë, i maltretuan, i internuan dhe i likuiduan pamëshirshëm, njësoj si në mesjetë. Ata hartuan ligje të posaçme, nëpërmjet të cilëve i bënin përgjegjës për librat e rrezikshëm edhe botuesit, shitësit dhe lexuesit e tyre.

Ndër ligjet barbare bën pjesë dhe ai i censurës preventive i vitit 1485, të cilin e zbatoi fillimisht kryeipeshkvi i Majncit Bertold von Heneberg. Sipas tij: “Është me lehtë të zhvillosh luftë kundër ndonjë libri të rrezikshëm, nëse ai nuk botohet fare”. Shembullin e kryeipeshkvit e ndoqën verbërisht dhe despotët tjerë, të cilët, sa herë që patën mundësi, dogjën shtypshkronja dhe tirazhe të mëdha librash. Ata formuan dhe komisione që kujdeseshin për pastërtinë e librave dhe që nuk do të jepnin leje për botimin e dorëshkrimeve të rrezikshme për shtetin dhe moralin shoqëror.
Por, meqë ndërkohë krijuesit rebelë gjetën mënyra për botimin e veprave të tyre, duke i shtypur ato në shtypshkronja vendesh të tjera, duke gjetur përkrahjen e tipografëve dhe librarëve të guximshëm, duke shkruar me pseudonime apo duke trilluar vendin e shtypjes dhe botuesin, pushteti shpiku mekanizmat e rradhës, të ashtuquajturit: regjistra të veprave të ndaluara. Këtë marifet e shpiku i pari mbreti anglez Henriku VIII, që tmerrohej veçmas prej librave të Martin Luterit. Në këto regjistra u gjendën edhe veprat e Dante Aligierit, Mishel Montenjit, La Fontenit, Bokaços, Erazmo Roterdamit, Rëne Dekartit, Blez Paskalit, Xhon Lokut, Daniel Defosë, Xhonatan Suiftit, Volterit, Rusosë, Didëroit…

Tradita e djegies publike të librave, heshtjes së emrave të autorëve dhe persekutimit të tyre metastazoi në gjenocid të paparë shpirtëror pas dy luftërave botërore, atëherë kur shumëkushi mendonte se shekulli XX nuk i takon kohës së gurit. Mjerisht, pas kësaj periudhe, fjalës së lirë dhe përhapjes së informacionit nisën t’u frikësohen njësoj të gjitha llojet e diktaturave, të djathta e të majta, madje edhe shumë vende të konsideruara demokratike e liberale perëndimore, ku censurën nuk e shihte gjithkush.

Në vitin 1933 Hitleri hartoi Regjistrin e zi me emrat e 71 autorëve të paraparë për linçim nga naziztët. Ai dogji në sheshin e Berlinit dhe jo vetëm qindra mijëra libra armiqë të kombit gjerman. Gjer në vitin 1944, regjistrat u pasuruan me emra të rinj viktimash. Në to ishin dhe emrat e krijuesve të mëdhenj si: Tomas Mani, Stefan Cvajgu, Bertolt Brehti, Erih Maria Remarku…
Pas Luftës së Dytë Botërore, gjer në rrënien e Murit të Berlinit, flamurin e cenzurës së egër dhe persekutimeve lemeritëse të artistëve shpirtlirë e mori BRSS dhe vendet tjera të kampit bolshevik. Likuidimet barbare të librave dhe autorëve u bënë të përditshme, po dhuna nuk arriti ta gjunjëzojë shpirtin prometean të arstistëve. Përkundrazi, persekutimet shtazarake lindën disidencën e njohur, nga gjiri i së cilës dolën emra të shquar shkrimtarësh, si: Ana Ahmatova, Osip Mandelshtami, Marina Cvetajeva, Boris Pasternaku, Aleksandër Shollzhenjicini…

Mjerisht, edhe letërsia shqipe gjatë periudhës së monizmit ka një listë të gjatë krijuesish të ekzekutuar, të persekutuar e të përndjekur letrarë, si: Musine Kokalari, Vilson Blloshmi, Genc Leka, Havzi Nela, Uran Kalakula, Ndre Zadeja, Pjetër Arbnori, Vinçenc Prendushi, Bernardin Palaj, Lazër Shantoja, Ndoc Nikaj, Nikollë Mazreku, Zef Pllumi, Zef Simoni, Ethem Haxhiademi, Mitrush Kuteli, Vedad Kokona, Trifon Xhaxhika, Suzana Selenica, Ahmet Golemi, Faik Ballanca, Zyhdi Morava, Roland Gjoza, Namik Mone, Bilall Xhaferi, Aleksandër Gera, Ernest Perdoda etj.
Disidentë pati edhe në mesin e krijuesve shqiptarë të mbetur jashtë kufijve të shtetit amë, që nga Adem Demaçi dhe poeti i talentuar tetovar Sadudin Gjura, vdekja e të cilit mbeti enigmë, e gjer tek krijuesit e persekutuar nëpër burgjet jugosllave gjatë viteve të furtunshme si: 1945, 1968, 1981…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.