Armata e RMV-së do të shpallë konkurs për 300 ushtarë të rinj
Ministria e Mbrojtjes së shpejti do të shpallë konkurs për rekrutimin e 300 ushtarëve të rinj në Armatë, njoftoi ministri i Mbrojtjes Vllado Misajllovski. Në një paraqitje në televizionin Sitel, ai informoi se shpallja pritet të publikohet pasi të merret dokumentacioni i nevojshëm nga Ministria e Financave, në mënyrë që rekrutimi të fillojë në semestrin e pranverës, transmeton Portalb.mk.
“Kur të mbërrijnë të gjitha dokumentet e nevojshme nga Ministria e Financave, do t’i shpallim konkurset, shpresoj në semestrin e ardhshëm të pranverës, në mënyrë që sa më shumë njerëz të mund të hyjnë, të konkurrojnë me njëri-tjetrin dhe të jenë pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes, pra Armatës”, thotë Misajllovski.
Ai theksoi se interesi tek të rinjtë ekziston dhe se kuadri oficer dhe njësitë speciale janë në një nivel të lartë trajnimi. Misajllovski shtoi se rritja e buxhetit të mbrojtjes do të krijojë edhe kushte për përmirësimin e statusit dhe të ardhurave të pjesëtarëve të Armatës.
“Vitin e kaluar, që nga janari, të gjithë punonjësit në Ministri morën rritje prej 30 përqind të pagave të tyre. Kur të rritet buxheti i Ministrisë, sigurisht që do të sigurohemi që stafi të paguhet më mirë dhe këtë mund ta premtoj”, tha Misajllovski.
Ministri njoftoi gjithashtu se së shpejti do të ketë zgjidhje që do të mbante ushtarët që mbushin 45 vjeç, në mënyrë që të mund të vazhdojnë të japin kontributin e tyre në Ushtri.
” Ka iniciativa, më e rëndësishmja prej të cilave është se si të mbahen të gjithë ushtarët që mbushin 45 vjeç. Mendoj se së shpejti do të ketë një zgjidhje që do t’i kënaqë të gjithë, si të mbahen të gjithë ushtarët në Ushtri, në mënyrë që ata të mund të japin një kontribut shtesë”, tha Misajllovski.
Kujtojmë se edhe në mars të vitit të kaluar u publikua shpallje për pranimin e 300 ushtarëve të rinj profesionistë dhe shpallje për 10 nënoficerë në Armatë. Nuk dihet nëse nga ky konkurs u pranuan ushtar dhe nëse bëhet fjalë për konkurs të përsëritur.