Arabati Baba Teqe u bë pronë e BFI-së, u paralajmëruan investime

Kompleksi Arabati Baba Teqe zyrtarisht është bërë pronë e Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.

Kreu i BFI-së, Shaqir Fetahi theksoi se kjo pronë historikisht ka qenë pronë e BFI-së dhe se kjo është dëshmuar edhe me fletë pronësinë e re nga Kadastra.

“Kompleksi Arabati përfundimisht pronë e myftinisë, përfundimisht pronë që do menaxhoj myftinia e Tetovës, apo myftiu Slever Xhemaili bashkë me bashkëpunëtorët e tij, unë mendoj se ka qenë një problem mbi 20 e ca vite , deri sa kjo pronë u humb u bë pronë e Teteksit dhe ne nuk u dorëzuam si Bashkësi Fetar Islame bashke me myftiun duke qenë të pa kompromis, se kjo vakëf dh ka qenë pronë bashkësisë Fetare Islame dhe se ne bëmë çmos që kjo pronë të kthehet, tha Fetahi.

Ai paralajmëroi investime të reja në Teqenë Arabati Baba pas përfundimit të këtij problemi me çështjen pronësore.

Kujtojmë që periudhën e fundit ka filluar të shembet muri rrethues i Arabatit Baba Teqe, për çka alarmoi edhe shoqata kulturore ‘HUTA’.

Rikonstruimin e kompleksit Arabati Baba Teqe në mandatin e kaluar e premtoi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, por të njëjtën nuk e realizoi. Ai u arsyetua se kompleksi ka konteste pronësore-juridike.

Në programin me të cilin garoi dhe fitoi mandatin e dytë, Kasami te pjesa e kulturës përmend mbrojtjen dhe afirmimin e trashëgimisë materiale kulturore të qytetit si dhe restaurimin e objekteve të rëndësisë së veçantë historike për komunën, por nuk i referohet konkretisht kompleksit Arabati Baba Teqe.

Kujtojmë që Kompleksi Arabati Baba Teqe është një nga pikat historike të qytetit. Ndërtimi filloi në vitin 1538 nga Sersem Ali Dede ku zgjati deri në vitin 1548. Kjo godinë (faltore Bektashiane) më vonë u emërtua në Teqe Aarabati, që do të thotë godinë shenjtërie ose tempull.