Arabati Baba Teqe në Tetovë drejt rrënimit, institucionet nuk e rinovojnë (Video)

Kompleksi kulturor Arabati Baba Teqe në Tetovë dita ditës ka filluar të shkatërrohet, ndërsa institucionet tani për tani nuk e kanë ndërmend të intervenojnë në rregullimin e saj. Së fundmi aty ka filluar të rrënohet muri rrethues për çka alarmon edhe shoqata kulturore ‘Huta’. Gjendja alarmante në terren është konstatuar edhe nga Qendra Nacionale Konzervatore në Shkup, shkruan Portalb.mk.

Pamjet e para në këtë kompleks historik janë shqetësuese: gurrë përtokë, dërrasa të shkëputura, fasada të dëmtuara, papastërti dhe shumë të tjera.

Megjithatë, më shqetësues mbetet murri rrethues i kompleksit i cili ka filluar të rrënohet.

Kompleksi i Teqes Arabati Baba - Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk (04.02.2026)
Kompleksi i Teqes Arabati Baba – Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk (04.02.2026)

Nderim Limani nga ‘Huta’ për Portalb.mk thotë se ky objekt historik po lihet qëllimisht anash dhe institucionet nuk tregojnë përgjegjësi ndaj ruajtjes së tij.

“Edhe pse që nga viti 2022 ekzistojnë projekte të përgatitura për konzervim dhe restaurim të murit rrethues dhe objekteve përbërëse të kompleksit, deri sot asnjë veprim konkret nuk është ndërmarrë. Arsyeja e vetme e dhënë është mungesa e mjeteve financiare e cila është e papranueshme dhe dëshmon mungesë vullneti politik dhe institucional”, tha Limani.

Ai tha se ende më alarmante është se për vitin 2026 nuk është paraparë asnjë denar për këtë monument pavarësisht konstatimeve zyrtare për rrezikun real që i kanoset.

“Ky është një sinjal se trashëgimia kulturore nuk trajothet si prioritet por si barrë e panevojshme nga institucionet”, tha Limani.

Ai tha se çdo dëmtim i mëtejmë i kompleksit është përgjegjësi direkte e institucioneve.

Pas kërkesës së shoqatës kulturore ‘HUTA’, Qendra Nacionale Konzervatore – Shkup formoi ekip profesional dhe më datë 22.12.2025, ekipi kreu inspektim në terren në lokacionin përkatës, me ç’rast konstatoi se objekt i inspektimit ishte muri rrethues verilindor, ku në segmentin në të djathtë të Portës së Teqesë deri te Shtëpia e Dervishit, në një pjesë të murit (me gjatësi rreth 3.30 m), janë konstatuar dëmtime të mëdha me shembje dhe rënie të pjesëve të muraturës nga ana e jashtme drejt rrugës.

“Po ashtu, vërehet shembje edhe në murin fasador të Shtëpisë së Dervishit, e cila është e integruar në bedemin verilindor. Në vendngjarje janë të dukshme mbetjet e materialit të rënë drejtpërdrejt në trotuar dhe në rrugë”, thuhet në përgjigjen e Qendrës Nacionale Konzervatore – Shkup.

Nga aty thonë se në bazë të gjendjes së konstatuar në terren, është e nevojshme të ndërmerren këto ndërhyrje:

  • Poseduesi obligohet që me kujdes ta largojë materialin e rënë nga rruga dhe ta depozitojë në një vend të përshtatshëm brenda kompleksit.
  • Shërbimet kompetente të komunës duhet të vendosin sinjalizim përkatës, si dhe shirit mbrojtës/shtylla për kufizimin e lëvizjes së këmbësorëve dhe automjeteve në pjesën e rrugës ku ka shembje të murit rrethues verilindor.
  • Janë të domosdoshme ndërhyrje urgjente restauruese dhe konsoliduese përgjatë gjithë gjatësisë së murit rrethues verilindor (në të djathtë të Portës së Teqesë), si dhe në Shtëpinë e Dervishit, pasi ekziston rrezik real për shembje të përsëritur të kësaj pjese. Gjendja aktuale e pjesës tjetër të bedemit (në të djathtë të Portës së Teqesë) do të jetë objekt i analizave dhe hulumtimeve shtesë; në pjesën më të madhe ajo është e pakënaqshme, ndërsa në segmente të caktuara vlerësohet me shkallë të lartë degradimi, për shkak të dëmtimeve strukturore të dukshme, deformimeve të pjesëve muratore.

Në vitin 2022, nga ana e IN Qendra Nacionale Konzervatore – Shkup, në bashkëpunim me TIKA-n, janë përgatitur projekte të veçanta për të gjitha 14 objektet e kompleksit Arabati Baba Teqe, ndër të cilat edhe Projekti bazë për konzervimin dhe restaurimin e mureve rrethuese–bedemeve dhe portave hyrëse (objekte dhe grupe strukturash brenda kompleksit të Teqesë së Madhe “Sersem Ali Baba” – Arabati Baba Teqe), si dhe Projekti bazë për konzervimin dhe restaurimin e objektit – Shtëpia e Dervishit (nr. ynë 08-10/1, datë 09.01.2022).

“Këto projekte deri më tani nuk janë realizuar, prandaj është me rëndësi parësore të sigurohen mjete financiare për zbatimin e tyre të plotë”, thuhet në përgjigje.

Në kuadër të Programit Vjetor të Punës të IN Qendra Nacionale Konszervatore – Shkup për vitin 2025 nuk ishin planifikuar mjete financiare për kryerjen e ndërhyrjeve mbrojtëse në objektet e kompleksit Harabati Baba Teqe në Tetovë.

Përgjigje nga Qendra Nacionale Konservatore – Shkup. Foto: HUTA
Përgjigje nga Qendra Nacionale Konzervatore – Shkup. Foto: HUTA

Lidhur me këtë problem, nga Ministria e Kulturës në përgjigjen e tyre ndaj ‘Huta’ theksuan se kërkesa me shqetësimet e ngritura për gjendjen në terren është përcjellë për veprime të mëtejshme te Drejtoria për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.

“Duke pasur parasysh se në kërkesën tuaj dhe në Raportin e Institucionit Nacional – Qendra Nacionale Konzervatore – Shkup, nga inspektimi profesional i kryer në murin rrethues verilindor të kompleksit Teqeja e Madhe “Sersem Ali Baba” (Arabati Baba) në Tetovë, është theksuar nevoja për sigurimin e mjeteve financiare për realizimin e projekteve bazë për konszervimin dhe restaurimin e pjesëve të objektit Arabati Baba Teqe, një kopje e kërkesës i është dërguar për informim dhe kompetencë edhe Sektorit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit”, thuhet në përgjigjen nga Ministria e Kulturës.

Përgjigje nga Ministria e Kulturës. Foto: HUTA
Përgjigje nga Ministria e Kulturës. Foto: HUTA

Ministria e Kulturës për Portalb.mk tha se bazuar në inspektimin e kryer nga Qendra Kombëtare e Konservimit dhe analizën profesionale, do të përgatiten udhëzime dhe propozime për masa konservimi dhe restaurimi, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

“Sipas këtyre gjetjeve profesionale, aktivitetet e nevojshme do të planifikohen dhe përfshihen në programin e punës së Qendrës Kombëtare të Konservimit, pasi të zgjidhen plotësisht marrëdhëniet pronësore brenda kompleksit “Harabati Baba Tekke”, thanë nga Ministria e Kulturës.

Portalb.mk kërkoi sqarime shtesë nga Drejtoria për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, Qendra Nacionale Konzervatore – Shkup dhe Komuna e Tetovës, por nga asnjëri institucion nuk u përgjigjën në pyetjet gazetareske.

Rikonstruimin e kompleksit Arabati Baba Teqe në mandatin e kaluar e premtoi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, por të njëjtën nuk e realizoi. Ai u arsyetua se kompleksi ka konteste pronësore-juridike.

Në programin me të cilin garoi dhe fitoi mandatin e dytë, Kasami te pjesa e kulturës përmend mbrojtjen dhe afirmimin e trashëgimisë materiale kulturore të qytetit si dhe restaurimin e objekteve të rëndësisë së veçantë historike për komunën, por nuk i referohet konkretisht kompleksit Arabati Baba Teqe.

Kujtojmë që Kompleksi Arabati Baba Teqe është një nga pikat historike të qytetit. Ndërtimi filloi në vitin 1538 nga Sersem Ali Dede ku zgjati deri në vitin 1548. Kjo godinë (faltore Bektashiane) më vonë u emërtua në Teqe Aarabati, që do të thotë godinë shenjtërie ose tempull.