Apasiev sulmoi fizikisht deputetin e VMRO-së, Gashi thirri sigurimin e Kuvendit
Deputeti dhe lideri i të Majtës, Dimitar Apasiev, në seancën e sotme të Kuvendit fillimisht ka hyrë në një debat verbal me deputetin e VMRO-DPMNE-së, Zoranço Jovançev, e më pas i ka hedhur kufjet dhe ka tentuar ta konfrontojë fizikisht, transmeton Portalb.mk.
Apasiev, i bërtiti Jovançevit që të mos përmendte më familjen e tij. Ka ndërhyrë edhe sigurimi parlamentar.
Kryeparlamentari Afrim Gashi dha dhjetë minuta pauzë për të qetësuar situatën.
View this post on Instagram
Përplasje të ngjashme në Kuvend pati në qershor të vitit 2022. Në seancën e atëhershme të Komisionit për Çështje Evropiane pati tensionim të situatës ndërmjet udhëheqësit të atëkohshëm të Komisionit, Arber Ademit, dhe anëtarët të Komisionit nga radhët e opozitës që atëherë ishte VMRO-ja, nga ku situata kaloi edhe në dhunë fizike.
Situata eskaloi në momentin kur po votohej për rendin e ditës, ku duhet të debatohej për Ligjin për Gjyqtarët, më saktësisht për zgjatjen e punës së gjyqtarëve që i plotësojnë kushtet e pensionimit.
Situata u tensionua në momentin kur kryetari i Komisionit, Arbër Ademi (BDI) tentoi të mbyll debatin për rendin e ditës dhe të votohet i njëjti. Deputeti Halil Snopçe (ASh) kërkoi fjalën dhe doli në foltore, pas tij edhe Elmi Aziri (ASh). Ndërkaq, deputetja Dafina Stojanovska (VMRO-DPMNE) fiku mikrofonin e foltores në të cilën po mbahej seanca.
Në këtë periudhë, deputeti Antonio Milloshevski (VDMRO-DPMNE) tentoi të ndërpresë votimin duke thyer mikrofonin para Arbër Ademit. Për këtë, Ademi reagoi edhe fizikisht, duke gjuajtur me filxhan dhe shishe. Deputetja Arta Bilalli-Zendeli (BDI) mundohej ta qetësojë Ademin, por pa sukses.
Pas kësaj ndërhyri sigurimi i Kuvendit duke nxjerrë jashtë Ademin.