Antikorrupsioni zvarrit lëndën e mijëra eurove nga Komuna e Çairit që përfunduan në arkën e lokalit të zëvendësministres
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit edhe pas shtatë muajsh nuk ka sjellë vendim për pagesat e Komunës së Çairit ndaj kafiterisë “1Sh”, që është në pronësi të zëvendësministres së Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, shkruan Portalb.mk.
Pavarësisht se Antikorrupsioni në korrik 2025 njoftoi se kanë hapur lëndë për këtë rast pas raportimit të Portalb.mk, ky institucion me muaj po e zvarrit këtë rast duke mos sjellë vendim.
Nga KSHPK thonë se ende po vijojnë ‘hetimet’.
“Procedurat për këtë lëndë janë në zhvillim. Pas konstatimit të gjendjes faktike në rastin konkret, do të merret vendim në seancë publike të KSHPK-së”, thanë nga Antikorrupsioni.
Kujtojmë që Portalb.mk në qershor 2025 zbuloi se mijëra euro nga Komuna e Çairit i janë ndarë në mënyrë sistematike kafiterisë ‘1sh’ në pronësi të zëvendësministres së Transportit dhe ndër njerëzve më të afërm të Izet Mexhitit, Kaltrina Zekolli Shaqirit.
Mjetet janë ndarë pa shpallje publike dhe me marrëveshje sy-më-sy.
Afër 9 mijë euro i janë lëshuar kësaj kafiterie që kur Zekolli-Shaqiri është zëvendësministre, për më pak se 1 vit.
Fqinjët e intervistuar nga Portalb-i thanë se kafiteria më së shpeshti frekuentohet nga aktivistë të Lëvizjes Demokratike.
Komuna e Çairit s’i komentoi transaksionet e vjetra, thotë se në vitin 2025 aty janë ushqyer sportistët e Çairit kur kanë pasur gara, gjithashtu nuk përgjigjet se pse vetëm ky lokal ndër vite kryen këtë ‘shërbim’ për ata, pa ju dhënë mundësi bizneseve tjera.
Zëvendësministrja theksoi se është vetëm pronare dhe se nuk merret me pjesën e pagesave.
Për këtë rast më pas reaguan edhe partitë politike.
- LEXO: Zgjedhjet zvarritën lëndët në KSHPK, ende s’ka vendim për mijëra eurot e Komunës së Çairit që përfunduan te lokali i zëvendësministres
- LEXO: Antikorrupisoni filloi hetimin për mijëra eurot e Komunës së Çairit që përfunduan te lokali i zëvendësministres së Transportit
- LEXO: BDI e shqetësuar me rastin e Komunës së Çairit, ku i dhanë mijëra euro kafiterisë së zëvendësministres pa prokurim publik
- LEXO: E Majta: Kafiteria në pronësi të zëvendësministres nga VLEN ka marrë 9.000 euro nga Komuna e Çairit, heshtje nga KSHPK-ja e kompromentuar
- LEXO: Komuna e Çairit jep mijëra euro për kafiterinë në pronë të zëvendësministres Kaltrina Zekolli Shaqiri, pa shpallje publike dhe transparencë