BDI e shqetësuar me rastin e Komunës së Çairit, ku i dhanë mijëra euro kafiterisë së zëvendësministres pa prokurim publik
Pas lajmit të publikuar në Portalb, BDI ka raguar duke thënë se shpreh shqetësim të thellë për “skandalin e radhës në Komunën e Çairit”, ku mijëra euro nga buxheti publik janë derdhur në kafiterinë e zëvendësministres Kaltrina Zekolli-Shaqiri, pa shpallje publike dhe në shkelje të Ligjit për Prokurime Publike, transmeton Portalb.mk.
“Ky rast dëshmon qartë abuzimin me paranë publike, favorizimin e bizneseve të lidhura me zyrtarë të Lëvizjes Demokratike dhe kapjen e institucioneve nga një rrjet i organizuar politik që përdor pushtetin për interesa të ngushta. Kafiteria “1sh”, e njohur si seli alternative e Mexhitit dhe Ganiut, ka përfituar mbi 30 mijë euro nga Komuna e Çairit – vetëm këtë vit mbi 14 mijë euro, pa konkurrencë e transparencë. Abuzimet në Çair shtrihen edhe te ndërtimet pa leje, lejimi selektiv i ndërtimeve shumëkatëshe dhe keqpërdorimi i pronës publike, gjithnjë në shërbim të rrethit politik të Visar Ganiut dhe VLEN-it”, thanë nga BDI.
Ndryshe, Portalb paraprakisht njoftoi se, mijëra euro nga Komuna e Çairit i janë ndarë në mënyrë sistematike kafiterisë ‘1sh’ në pronësi të zëvendësministres së Transportit dhe ndër njerëzve më të afërm të Izet Mexhitit, Kaltrina Zekolli Shaqirit. Mjetet janë ndarë pa shpallje publike dhe me marrëveshje sy-më-sy.
Kompania “NEAR 2015” ka pranuar në mënyrë të vazhdueshme transaksione parash nga 110 mijë deri në 130 mijë denarë nga Komuna e Çairit. Portalb-i zbuloi se në fakt pas kësaj kompanie qëndron kafiteria në Çair që shërben edhe ushqim të shpejtë, e njohur si “1sh”, që është në pronësi të Kaltrina Zekolli Shaqiri, zëvendësministre nga radhët e Lëvizjes Demokratike.