Antikorrupsioni nis konsultimet për strategjinë e re 2026–2030: Prokurimet dhe gjyqësori mbeten pikat më kritike

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) ka njoftuar se ka nisur procesin konsultativ për Propozim-Strategjinë Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit 2026–2030, shkruan Portalb.mk.

Sipas Antikorrupsionit, kjo Strategji Kombëtare paraqet një dokument kyç për parandalimin e korrupsionit dhe forcimin e integritetit institucional. Dokumenti është përgatitur përmes një procesi të gjerë konsultativ, me pjesëmarrjen e institucioneve, organizatave të shoqërisë civile, ekspertëve, sektorit privat dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit thekson se fokusi i Strategjisë është vendosur në fushat me rrezik të lartë nga korrupsioni siç janë: prokurimet publike, mbikëqyrja e zbatimit të ligjeve, gjyqësori, planifikimi hapësinor dhe urbanistik, transporti dhe projektet infrastrukturore, shëndetësia, mjedisi jetësor, energjetika dhe burimet natyrore.

Hartimi i kësaj strategjie pesëvjeçare përputhet me një periudhë sfidash të mëdha për vetë sistemin e integritetit në Maqedoninë e Veriut. Gjetjet e fundit institucionale tregojnë se zbatimi i mekanizmave mbrojtës mbetet i dobët. Raporti i Monitorimit të Sistemit të Integritetit për vitin 2025 i publikuar nga KSHPK tregon se jo të gjitha institucionet në RMV kanë rregullore për konfliktin e interesit. Ky rrezik bëhet edhe më i madh kur bëhet fjalë për ndikimin mbi organet e ndjekjes penale, ku së fundmi kryetari i KSHPK-së, Adem Çuçul, deklaroi publikisht se institucioni ai drejton nuk ka autoritet ligjor për komentuar ose ndërhyrë në vendimet e Prokurorisë.