Angela Aggeler është një nga 30 ambasadorët e tërhequr nga presidenti Donald Trump
Administrata e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, po tërheq gati 30 ambasadorë dhe diplomatë nga ambasadat amerikane në të gjithë botën, të emëruar nga paraardhësi i tij, Joe Biden. Qëllimi është të riformësohet qëndrimi diplomatik i SHBA-së jashtë vendit me diplomatë që shihen si mbështetës të plotë të prioriteteve të Trumpit, transmeton Portalb.mk.
Departamenti i Shtetit nuk pranoi të jepte numër specifik të diplomatëve ose ambasadorëve të prekur, por mbrojti ndryshimet, duke i quajtur ato një proces standard në çdo administratë. Në këtë drejtim, ata shtojnë se ambasadori është përfaqësuesi personal i presidentit dhe është e drejta e tij të sigurojë që të ketë individë në vendet e huaja që promovojnë agjendën “Amerika në vend të parë”.
Sipas mediave botërore, të cilat citojnë informacione nga Departamenti i Shtetit, Afrika është kontinenti më i prekur ku do të zëvendësohen ambasadorët nga 13 vende – Burundi, Kameruni, Kepi i Gjelbër, Gaboni, Bregu i Fildishtë, Madagaskari, Mauritiusi, Nigeri, Nigeria, Ruanda, Senegali, Somalia dhe Uganda.
I dyti është Rajoni i Azi-Paqësorit, me ndryshime ambasadorësh në gjashtë vende – Fixhi, Laosi, Ishujt Marshall, Papua Guinea e Re, Filipinet dhe Vietnami. Ndër vendet evropiane të prekura janë Maqedonia, Mali i Zi, Sllovakia dhe Armenia. Algjeria dhe Egjipti janë të prekura në Lindjen e Mesme, Nepali dhe Sri Lanka në Azinë Jugore, si dhe Guatemala në Amerikën Qendrore dhe Surinami në Amerikën e Jugut.
Ambasada e SHBA-së në Maqedoninë e Veriut ka konfirmuar se ambasadorja Angela Aggeler është ndër diplomatët në mbarë botën që presidenti i SHBA-së Donald Trump ka vendosur t’i tërheqë nga postet e tyre.
“Jemi thellësisht mirënjohës ndaj ambasadores Aggeler për shërbimin e saj në Maqedoninë e Veriut gjatë tre viteve të fundit dhe jemi të përkushtuar për të siguruar një tranzicion të qetë dhe efektiv që i jep përparësi misionit të SHBA-së dhe marrëdhënieve tona diplomatike”, tha Ambasada e SHBA-së në një deklaratë për MIA-n.
Ata shtuan se Ambasada do të vazhdojë të funksionojë normalisht gjatë tranzicionit ambasadorial.
Angela Ageler u betua si ambasadorja e re e SHBA-së në Maqedoninë e Veriut në një ceremoni në Departamentin e Shtetit të SHBA-së në shtator 2022, dhe në fillim të nëntorit të të njëjtit vit ajo mori detyrën dhe ia dorëzoi kredencialet e saj presidentit të atëhershëm Stevo Pendarovski.