Muzika shqipe jehoi në New York, klarinetisti Ylli Zhavelli performoi në Merkin Hall

Ylli Zhavelli performoi në Kaufman Music Center Merkin Hall në New York, një nga skenat më prestigjioze të muzikës klasike dhe bashkëkohore në Shtetet e Bashkuara. Në këtë mbrëmje të veçantë artistike, Zhavelli u prezantua para publikut amerikan me një interpretim të nivelit të lartë, i shoqëruar nga një ansambël i jashtëzakonshëm dhe në bashkëpunim me artistë të shquar ndërkombëtarë, shkruan Portalb.mk.

Organizatori Ilir Rizaj për Portalb.mk tha se qëllimi i këtij koncerti ishte që muzika shqiptare të dëgjohej në një nga sallat më prestigjioze të New York-ut, për të dëshmuar se ajo ka thellësi, bukuri dhe dinjitet për të qenë pjesë e skenës botërore.

“Qëllimi ishte të tërheq sa më shumë publik vendas, prandaj vendosa t’ia bëjë kuartetin me muzicientë shqiptarë dhe amerikan. Shtuam edhe perkusionist, flautiste dhe klarinetist, dhe kështu u kompletua ansambli. E zgjedha Kaufman Music Center, sepse është sallë perfekte, në zemër të pjesës kulturore të New York-ut, desha që herën e parë të jemi aty që simbolikisht të dëshmojmë se muzika Shqiptare ka thellësi dhe bukuri që të dëgjohet edhe në këso vendi prestigjioz, dhe të jemi krenarë. Sfidat kanë qenë tejet të mëdha, sepse disa nga muzicientët ishin të angazhuar në muzikalet e Broadway, violinistja Margret Radovani jeton në Washington DC, Edi Xhani tani jeton në Florida, kështu që edhe për t’u mbledhur për prova ishte vështirë të gjejmë orar sinkronizues. Por, të gjithë muzicientët kishin aq shumë pasion për këtë projekt, u sakrifukuam të gjithë dhe i realizuam provat. Fadil Berisha, si gjithmonë, ishte ndihmë e veçantë, si me fotografimin e artistëve tonë, si me studion e tij, ku edhe i bëm provat”, tha Rizaj.

Foto nga koncerti. Foto: Ilir Rizaj
Foto nga koncerti. Foto: Ilir Rizaj

Klarinetisti Ylli Zhavelli për Portalb.mk tha se të ngjitesh në skenën e Merkin Hall si një emigrant i sapoardhur dhe të interpretojë muzikën e vendit ku je rritur, është një emocion që nuk përshkruhet me fjalë.

“Kaufman Music Center, saktësisht Merkin Hall, është një skenë gjigande me një histori të pasur arti, ku kanë performuar artistë dhe interpretues të nivelit shumë të lartë në Manhattan të New York-ut. Momenti kur jam ngjitur në skenë ka qenë një emocion i papërshkrueshëm. Duke pasur parasysh faktin që jam një emigrant i sapoardhur në Amerikë që nga viti 2024 dhe që, për një kohë të shkurtër, kam arritur të performoj në një skenë gjigande të nivelit të lartë, duke interpretuar vepra të vendit tim, të gjuhës që flas dhe të muzikës me të cilën jam rritur, e duke e përcjellë atë muzikë tek publiku përmes instrumentit të klarinetit, ishte një ndjenjë e jashtëzakonshme. Njëkohësisht, ishte edhe një “përgjegjësi” shumë e madhe që, në mënyrën sa më profesionale, përpara publikut shqiptar, por sidomos atij amerikan, të tregojmë vlerat tona muzikore”, tha Zhavelli.

Foto nga koncerti. Foto: Vasjana Photography
Foto nga koncerti. Foto: Vasjana Photography

Ai shtoi se publiku shqiptar e njihte këngën që në notën e parë, ndërsa për publikun amerikan ajo ishte një zbulim.

“Publiku shqiptar, që në notën e parë, e kuptonte menjëherë se cila këngë po vijonte, ndërsa për publikun amerikan kjo ishte një surprizë. Dhe pikërisht kjo ishte vula që vendosëm të gjithë së bashku në atë skenë: që interpretuam dhe përcollëm ndjenjën e muzikës shqiptare tek publiku amerikan. Duke ditur që muzika popullore shqiptare ka ndryshime të vazhdueshme ritmesh gjatë rrjedhës së veprës dhe që perkusioni është baza e saj (pra ritmi), në bashkëpunim me klarinetin, flautin, violinën, violën dhe violonçelin, kjo bëri që edhe publiku amerikan ta përjetonte ndjenjën e ritmit të muzikës popullore. Mënyra se si e kanë mirëpritur muzikën dhe artin shqiptar atë natë ishte një ndjesi e paparë. Duartrokitjet e zgjatura pas çdo vepre ishin rezultati i arritjes së qëllimit tonë artistik”, tha Zhavelli.

Koncerti u organizua nga Ilir Rizaj dhe Petrit Pula, me përkushtim profesional dhe vizion artistik, duke e shndërruar këtë mbrëmje në një ngjarje të veçantë kulturore.