ANALIZË: Shpenzimet buxhetore parazgjedhore në RMV (Infografik)

Në dy “muajt e parë parazgjedhorë”, përqindje më të lartë të realizimit në raport me planin prej 21,2% ka te shpenzimet buxhetore për “subvencione dhe transferime”, ndërsa më të ulët, prej 7,6%, ka te shpenzimet kapitale. Sipas rregullores ligjore, Ministria e Financave e publikoi Raportin e parë Parazgjedhor që i mbulon dy muajt e parë të këtij viti të ri zgjedhor ekonomik, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Të ardhurat dhe shpenzimet në periudhën parazgjedhore…

Sipas Raportit Parazgjedhor, totali i të hyrave në dy muajt e parë, ku përfshihen dy javët e para pas shpalljes së zgjedhjeve, arriti në gati 670 milionë euro, që përbën 13.7% në krahasim me shumën e planifikuar. Te zëri “të ardhurat tatimore” dominojnë të ardhurat nga “Tatimet e brendshme për mallra dhe shërbime”, ku përfshihet edhe TVSH-ja, në vlerën prej 249 milionë euro dhe kontributet për sigurimin social në nivelin prej gati 242 milionë euro. Përmes zërit “të ardhurat jo tatimore” në periudhën parazgjedhore janë mbledhur 57,4 milionë euro.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Nga fillimi i vitit fiskal 2024 deri në fund të shkurtit, shpenzimet buxhetore arritën në 848,8 milionë euro, që paraqet një realizim prej 14,9% krahasuar me shumën e planifikuar. Të dhënat e detajuara nga Raporti parazgjedhor tregojnë se në anën e shpenzimeve, shuma më e lartë në vlerë absolute prej 345,4 milionë eurosh është paguar në bazë të “përfitimeve sociale”, që paraqet një realizim prej 17,5% në krahasim me planin. Përmes këtij zëri, shpenzimet për FSPIM-në vetëm për pagesën e pensioneve arrijnë në 237,4 milionë euro.

Zëri dytë më “i shtrenjtë” është “mallra dhe shërbime”, përmes të cilit në dy muajt e parë janë paguar 151,2 milionë euro ose 13,8% në krahasim me planin. Nëpërmjet këtij zëri, vetëm në bazë “shpenzimeve të udhëtimit dhe shpenzimeve ditore” janë shpenzuar 1,5 milionë euro, që paraqet 11,2% në raport me planin. Nënzëri më i lartë te “mallrat dhe shërbimet” është “shërbimet kontraktuale” në vlerën prej 121,1 milionë euro ose 15% realizim në raport me planin.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Për pagesën e “rrogave dhe shtesave” janë shpenzuar gati 106 milionë euro ose 15.8% e planit, ndërsa në bazë të “subvencioneve dhe transferimeve” për ndërmarrjet publike, organizatat joqeveritare, kompanitë private, fermerët janë paguar 83,5 milionë euro – realizim prej 21,2% në raport me planin.

“Në këtë kategori, pjesëmarrje më të madhe kanë shpenzimet për subvencione në bujqësi të paguara nga Agjencia për Mbështetjen Financiare të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në vlerë prej 19,5 milionë euro. Drejtoria e të Ardhurave Publike ka realizuar shpenzime në vlerë prej 12,9 milionë euro për kthim të TVSH-së” – thuhet në Raportin e parë Parazgjedhor.

Në dy muajt e parë parazgjedhorë për “investime kapitale” janë shpenzuar 59,2 milionë euro, që paraqet një realizim prej 7,6% krahasuar me planin.

“Për dotacione kapitale për NJVL-të janë realizuar shpenzime në vlerë prej 17,7 milionë denarë (289.000 euro) – thuhet në raport.

Në bazë të “kamatave” për kreditë e marra nga kreditorët e huaj dhe vendas, shteti ka paguar 30,6 milionë euro në dy muajt e parë.

Rregullorja ligjore ekzistuese parashikon kufizime të shumta për shpenzimin e parave publike në periudhën nga shpallja e zgjedhjeve deri në ditën e zgjedhjes së Presidentit të Shtetit, deputetëve në Kuvend si dhe deri në zgjedhjen e Qeverisë së re. Një nga kufizimet më të rëndësishme është se nuk mund të fillojë ndërtimi i projekteve të reja që nuk janë planifikuar në vitin buxhetor në të cilin zhvillohen zgjedhjet. Ndalohen edhe pagesat e kompensimeve që nuk janë pjesë e planit buxhetor. Sipas informacioneve më të fundit, deri tani KSHPK-së i janë drejtuar mbi 20 parashtresa për shkelje të Kodit Zgjedhor në periudhën parazgjedhore, e më të shumtat janë ato për shfrytëzimin e burimeve shtetërore për qëllime partiake.