ANALIZË: Komunat me numrin më të madh të banorëve do të mund të aplikojnë për paratë e shtetit, e disa prej tyre janë “zhytur” në borxhe (Infografik)

Komunat me numër më të vogël të banorëve kanë raportuar borxhe më të larta. Ka edhe vetëqeverisje lokale që si kandidatë potencialë për fondet shtetërore nga kredia hungareze, nuk kanë detyrime të prapambetura, por u detyrohen shuma milionëshe NP-ve të krijuara dhe të menaxhuara nga pushtetet lokale. Në nivel shtetëror, me përjashtim të komunave të Shkupit, numrin më të madh të banorëve e kanë komunat e: Kumanovës, Manastirit, Tetovës, Prilepit, Ohrit dhe Strugës, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.

Me numrin më të madh të banorëve është Kumanova, ndërsa me borxhe më të mëdha është Tetova…

Si komunë më e madhe në nivel shtetëror, me 98.104 banorë, komuna e Kumanovës dhe sipas numrit të banorëve, kjo vetëqeverisje lokale i plotëson kërkesat për aplikues potencial për fondet shtetërore nga paketa me vlerë 100 milionë euro për këtë vit. Komuna e Kumanovës deri në fund të gjashtëmujorit të parë ekonomik nuk ka detyrime të prapambetura dhe të papaguara, por në “listën e borxhlinjve” të Ministrisë së Financave me borxhe të raportuara janë ndërmarrjet publike të formuara nga komuna dhe nën kompetencë të komunës. Si p.sh. N.P. “Ujësjellësi” – Kumanovë, me borxh prej gati 9,2 milionë euro dhe N.P. “Pastërtia dhe gjelbërimi” me 3,5 milionë euro.

Me 85.164 banorë, Komuna e Manastirit është komuna e dytë për nga madhësia. Në fund të muajit qershor, detyrimet e prapambetura, por të papaguara arritën në 310.300 euro, ndërsa borxh në vlerë prej 453.000 euro kishte raportuar NPK “Ujësjellësi”, si dhe N.P. “Strezhevë” – Manastir me detyrime të prapambetura, por të papaguara në vlerë prej gati 207.000 euro.

E treta sipas numrit të banorëve, me 84.770, është Komuna e Tetovës. Kjo vetëqeverisje lokale prej shumë vitesh renditet ndër komunat me borxh më të madh në nivel shtetëror. Në fund të tremujorit të dytë të këtij viti, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, Tetova kishte 9,9 milionë euro detyrime të prapambetura, por të papaguara, dhe për këtë arsye renditet e 13-ta në listën e re të institucioneve shtetërore me borxhe. Detyrime të papaguara, ndër të tjerat, kanë raportuar edhe NKP “Tetovë” në vlerë prej 5,7 milionë euro dhe N.P. “Parkingu i Qytetit” – Tetovë me borxh prej 67.500 euro.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Me përjashtim të komunave të Shkupit, Komuna e Prilepit është në vendin e katërt me 69.025 banorë. Kjo vetëqeverisje lokale në fund të qershorit raportoi rreth 732.000 euro borxh të prapambetur, ndërsa detyrime të papaguara në vlerë prej afro 400.000 euro kishte edhe N.P.K. ”Komunalec” – Prilep, ndërsa detyrime kanë edhe N.P. të tjera nën ombrellën e komunës.

Komuna e Ohrit me 51.428 banorë, është një nga vetëqeverisjet lokale që, sipas numrit të popullsisë rezidente, i plotëson kushtet për paratë e shtetit. Edhe kjo komunë prej shumë vitesh renditet lartë sipas shumës së borxheve që zgjasnin me vite. Ohri në fund të qershorit raportoi borxh prej 1,1 milionë euro. N.P. “Ujësjellësi” – Ohër ka borxh dukshëm më të lartë se komuna, me detyrime të prapambetura dhe të papaguara në shumë prej 5,9 milionë euro.

Më pas për nga numri i banorëve, me 50.980, është Komuna e Strugës. Edhe kjo vetëqeverisje lokale me vite ka raportuar borxhe në shuma milionëshe. Në fund të qershorit ato arritën vlerën 1,4 milionë euro, ndërsa një shumë të madhe prej 3,9 milionë eurosh kishte raportuar N.P. “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” – Struga, si dhe N.P. “Komunalno” me detyrime prej 740.300 euro.

Fondet shtetërore nga kredia hungareze do të shpërndahen pas miratimit të rebalancit të buxhetit me njoftimin se qasja nuk do të politizohet dhe nuk do të ketë selektivitet, por para do të marrin ato komuna që do të ofrojnë projekte infrastrukturore cilësore.