ANALIZË: Borxhi “i brendshëm” i të gjitha institucioneve në RMV, komunave, NP-ve, shëndetësisë, arsimit, shkon në 408,1 milionë euro

Borxhi i përgjithshëm i të gjitha institucioneve shtetërore, shëndetësisë publike, arsimit, gjyqësorit, shërbimeve sociale, agjencive, komunave, ndërmarrjeve publike, në fund të vitit 2023 ishte 408,1 milionë euro. Ndërmarrjet publike në nivel qendror dhe kompanitë shtetërore kanë detyrimet më të mëdha të prapambetura, por të papaguara. Pjesa më e madhe e borxhit, ose 91,3 milionë euro, është për shërbimet komunale, transportin, komunikimet. Në listën e re të “borxhlinjve”, në tre vendet e para janë tre kompani shtetërore, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

41% e borxheve ndaj sektorit privat…

Me totalin e detyrimeve të prapambetura, por të papaguara në vlerë prej 167,2 milionë euro në fund të vitit 2023, ndërmarrjet publike në nivel qendror dhe kompanitë shtetërore janë të parët në listë sipas shumës së borxheve. Të dhënat e reja të Ministrisë së Financave tregojnë se sipas sektorëve, sipas shumës së detyrimeve të prapambetura, por të papaguara, në vendin e dytë janë ndërmarrjet publike komunale me borxh prej pothuajse 76,0 milionë euro.

Detyrimet e prapambetura, por të papaguara (2023)
Detyrimet e prapambetura, por të papaguara (2023)

Komunat janë në vendin e tretë të lartë me borxhe në vlerë prej 58,6 milionë euro. Të dhënat tregojnë se nga totali i detyrimeve të papaguara të sektorit shtetëror, pjesa më e madhe ose 213,3 milionë euro janë ndaj sektorit publik, gjegjësisht borxh i brendshëm mes vetë institucioneve. Nga shuma totale e detyrimeve të prapambetura, por të papaguara të autoriteteve dhe institucioneve shtetërore dhe lokale, 41% janë ndaj sektorit privat – në fund të vitit 2023 është regjistruar një borxh në vlerë prej 169,8 milionë euro.

Detyrimet e raportuara
Detyrimet e raportuara

Detyrimet e papaguara ndaj subjekteve të huaja arrijnë në 22,5 milionë euro, kurse ndaj personave fizikë 2,4 milionë euro.

Në tre vendet e para – tre kompani shtetërore…

Nëse analizohet struktura e borxhit, pjesa më e madhe në shumën prej 91,3 milionë eurosh është për shkak të shërbimeve komunale, ngrohjes, transportit, komunikimeve. Mbi  bazën e “shpenzimeve të tjera rrjedhëse” janë raportuar detyrime prej 62,2 milionë euro, për materiale dhe inventar të imët nuk janë paguar fatura në vlerë prej 59,4 milionë euro, ndërsa detyrimet e prapambetura dhe të papaguara në bazë të “shërbimeve kontraktuale” arrijnë në 41,1 milionë euro.

Në listën e re të “borxhlinjve”, në tre vendet e para janë tre kompani kompanitë shtetërore. HM Transporti me detyrime të prapambetura, por të papaguara në vlerë prej 64,8 milionë euro, HM Infrastruktura me gati 41,0 milionë euro dhe ESM – Shpërndarja e ngrohjes me detyrime të raportuara në vlerë prej 22,2 milionë euro.

Detyrimet e prapambetura, por të papaguara
Detyrimet e prapambetura, por të papaguara

Në mesin e “dhjetë” ndërmarrjeve me më shumë borxhe është EP nga fusha e shëndetësisë – Shërbimi i përbashkët për furnizimin e klinikave, me një borxh të raportuar prej 21,7 milionë eurosh. Edhe në këtë listë përfundimtare të borxhlinjve për vitin 2023 gjenden një numër i madh spitalesh dhe klinikash. ISHP “Klinika Universitare për Radioterapi” ka raportuar borxhe në vlerë prej 6,5 milionë euro, ISHP “Klinika Universitare për Neurologji” ka raportuar borxh prej gati 4,4 milionë euro, ndërsa “Klinika Universitare për Traumatologji”, 4,1 milionë euro.

Në dhjetë vendet e para për nga borxhet janë edhe dy ndërmarrje publike – NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” – Shkup dhe NP “Ujësjellësi” – Kumanovë, si dhe dy komuna, Tetova dhe Gostivari.

Në analizën e radhës “Portalb”-i do të publikojë të dhënat për gjendjen e borxheve në nivel lokal.