Ambasadorja suedeze në RMV: Prej jush varet nëse vendi do të anëtarësohet në BE deri në vitin 2030
Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, gjatë panel diskutimit “Rruga drejt vitit 2030”, theksoi rëndësinë e vazhdimit të reformave thelbësore përmes instrumenteve të BE-së, transmeton Portalb.mk.
“Vitin e kaluar kemi filluar negociatat, më 19 korrik, Skriningu është jashtëzakonisht i dobishëm për ne, sepse na jep mundësinë të reflektojmë se ku jemi, por edhe të marrim pyetje dhe të zbulojmë se si është situata sot në Bashkimin Evropian, për sa i përket temave dhe fushave kryesore. Krahas Skriningut kemi raporte në bazë të të cilave do të duhet të bëhen instrumentet kyçe- udhërrëfyesit”, tha Mariçiq.
Këtij paneli i parapriu panel diskutimi me përfaqësues të organizatave rinore, në të cilin fjalime hyrëse patën Sekretari shtetëror i MPJ-së, Filip Tosevski dhe Ambasadorja e Mbretërisë së Suedisë në Shkup, Ami Larson Jane, në cilësinë e Presidencës suedeze aktuale me Këshillin e BE-së.
Ambasadorja suedeze, Ami Larson Jane, nga ana tjetër, në fjalimin e saj nënvizoi se nga qytetarët e Maqedonisë së Veriut varet nëse vendi deri në vitin 2030 do të arrijë të bëhet anëtare e plotë e Unionit, gjegjësisht nëse do ta shfrytëzojnë momentin.
Panel diskutimi “Rruga drejt vitit 2030” u mbajt në Ministrinë e Punëve të Jashtme, si ngjarje hapëse e Forumit të Prespës për Dialog, i cili do të mbahet në Strugë, më 15 dhe 16 qershor me titullin “Familja evropiane e zgjeruar deri në vitin 2030: mision i (pa)mundur?”
Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.
Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.
Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.
Më shumë lajme në lidhje me procesin e skriningut gjeni duke klikuar KËTU.